Masat e reja të Qeverisë së Kosovës rreth pandemisë

0
183

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë marrë pjesë në takimin e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me korona virus.

Pas takimit, kryeministri Hoti dhe ministri Zemaj kanë mbajtur konferencë për media, në të cilën thanë se është diskutuar në detaje me të gjithë bartësit e institucioneve për gjendjen në të cilën po kalon vendi, në veçanti gjatë ditëve të fundit.

“Më lejoni të them shumë qartë dhe drejt para jush dhe para të gjithë qytetarëve se nuk mund të lejojmë që gjendja të dalë jashtë kontrollit, jeta e qytetarëve është mbi të gjitha, është prioriteti ynë i parë. Kemi 49 raste me fatalitet. Klinika Infektive është e stërmbushur, nuk ka vende më për njerëz në Klinikën Infektive. Tash ministri dhe drejtori i Institutit, drejtori i QKUK-së janë duke krijuar hapësira shtesë nëpër klinikat e tjera, edhe nëpër spitale regjionale”, tha kryeministri Hoti.

Ai tha se masat janë shumë të thjeshta dhe shumë të qarta: maskat, distanca fizike, larja e duarve, tri masa të thjeshta, të cilat jemi të obligueshëm që të gjithë t’i ndërmarrim.

Fjala e plotë e kryeministrit Hoti në konferencë:

Jemi bashkë me ministrin e Shëndetësisë dhe drejtorin e Institutit, pas mbledhjes së Komitetit që është përgjegjës për të menaxhuar situatën me pandeminë nga Covid 19. Diskutuam në detaje me të gjithë bartësit e institucioneve për gjendjen në të cilën po kalojmë, në veçanti gjatë ditëve të fundit. Më lejoni të them shumë qartë dhe drejt para juve dhe para të gjithë qytetarëve se nuk mund të lejojmë që gjendja të dalë jashtë kontrollit. Jeta e qytetarëve është mbi të gjitha, është prioriteti jonë i parë. Kemi 49 raste me fatalitet. Klinika Infektive është e stërmbushur, nuk ka vende më për njerëz në Klinikën Infektive.

Tash ministri, drejtori i Institutit, drejtori i QKUK-së janë duke krijuar hapësira shtesë nëpër klinika tjera, edhe nëpër spitale regjionale.

Masat janë të thjeshta, shumë të thjeshta dhe shumë të qarta: maskat, distanca fizike, larja e duarve, tri gjëra të thjeshta. Jemi të obligueshëm që të gjithë t’i ndërmarrim këto masa. Kur ecim në rrugë, kur hipim në autobus, kur vijmë në punë, kur shkojmë në biznes, kur hyjmë në market, kur hyjmë në barnatore, gjithkund.

Çdokush që nuk i zbaton këto masa bën vepër penale, sepse rrezikon shëndetin e vet, jetën e vet dhe të qytetarëve të tjerë.

Deri sot kemi pasur 2.677 raste të prekura nga Covid- 19, për momentin i kemi 113 që janë të hospitalizuar, gjashtë janë në gjendje të rëndë shëndetësor. Stafi shëndetësor është duke e bërë maksimumin. Nëse i shihni shifrat se kush ka qenë më së shumti i prekur nga këto raste me të infektuar deri më sot, del që 8 për qind të rasteve totale janë mjekë, stafi jonë shëndetësor që janë prekur nga kjo sëmundje, sepse ata janë vija e parë e frontit në përballje me Covid 19.

Të gjithë jemi të rrezikuar, të gjitha institucionet janë të rrezikuara dhe duke qenë të rrezikuar në institucione, biznese e në rrugë, ne rrezikun e çojmë në shtëpi, te fëmijët tanë, te prindërit tanë. Situata është nën kontroll, nën kontroll të brishtë, duhet të punojmë shumë, të gjithë së bashku për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të menaxhuar rastet të cilat janë duke u paraqitur.

Diskutuam në detaje për masat që do t’i ndërmarrim menjëherë qysh në mbledhjen e ardhshme të qeverisë nëse ka nevojë për vendime ekzekutive, duke filluar nga reduktimi i stafit në institucione për të gjithë ata që kanë mundësi të kryejnë punën nga shtëpia duhet të kujdesen bartësit e institucioneve që t’i lirojnë ata në shtëpi.

Do të mbyllen menjëherë të gjithë sektorët, departamente të ndryshme, në biznese ose në institucione ku ka raste të paraqitura.

Duhet detyrimisht përmes organeve të rendit të kontrollohen që personat që janë të infektuar mbesin të izoluar. Ata paraqesin rrezik për qytetarët tjerë. Duhet të aktivizohen menjëherë shtabet lokale të komunave. Shumë nga komunat i kanë aktive, por duhet të ngrisin nivelin e aktivizimit të tyre.

Inspektorati sanitar do të marrë masat e nevojshme në përputhje me ligjin. Ligji për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse është shumë i qartë sa i përket masave që duhet të ndërmerren, masat ndëshkimore, në rrugë, biznese, në institucione kurdo. Inspektorët do të jenë 24 orë në rrugë duke ecur rrugës, duke hyrë në kafe, në barnatore. Nëse nuk mbani maskë do të dënoheni në përputhje me ligjin.

Jemi duke konsideruar nëse duhet të ndërmarrim masa për karantinimin e disa prej lokacioneve, ku ka më së shumti raste të paraqitura. Do të ndalojmë grumbullimin e personave, qytetarëve në hapësira të hapura apo të mbyllura për më shumë se 100 persona në çdo situatë. Duhet të rregullojmë pak më mirë ceremonitë mortore vetëm me rrethin e ngushtë familjarë, ashtu siç kanë qenë të rregulluara më herët.

Policia do të ndërmarrë të gjitha autorizimet e nevojshme që gjatë kontrollit të trafikut të mbikëqyrë edhe zbatimin e masave për mbrojtje nga kjo pandemi. Të gjitha resurset shtetërore i kemi vënë në dispozicion edhe për inspektoratin duke shtuar shpejtë numrin e inspektorëve, por duke transferuar edhe inspektorë nga sektorë të tjerë në dispozicion të Inspektoratit sanitar, i cili është i autorizuar me ligj për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ata që nuk i përfillin masat mbrojtëse anti COVID. Gjithashtu, për shkak të ngarkesës së madhe të stafit shëndetësor u kërkua që të rrisim edhe kapacitetet me infermierë shtesë. Çështje ditësh në përputhje me ligjet në fuqi do të rrisim së paku edhe për 100 numrin e infermierëve që do të punojnë në klinikat që merren me këto çështje.

Do të punojmë gjithashtu që të fuqizojmë më shumë ekipet mjekësore në pikat kufitare për t’u siguruar për aq sa është e mundshme në përputhje me protokollet që i ka zhvilluar OBSH dhe Komisioni Evropian të kontrollojmë hyrjet brenda në vend.

Këto janë masat që do t’i ndërmarrim menjëherë nëpër ministritë përkatëse, nëpër institucionet përkatëse, por edhe në mbledhjen e ardhshme të qeverisë për të mbajtur situatën nën kontroll.

Mesazhin që unë dëshiroj të jap sot qartë, drejtpërdrejt për të gjithë qytetarët: Jemi në rrezik nga vala e dytë. Na ndihmoni në mënyrë që të mos kemi nevojë ta mbyllim komplet ekonominë siç ka ndodhur para tre muajve.

Faleminderit!

Fjala e plotë e ministrit Zemaj në konferencë:

Ministria e Shëndetësisë me të gjitha potencialet e saj është duke u angazhuar në menaxhimin e situatës, duke përfshirë edhe shërbimet tjera shëndetësore që janë nevojë e qytetarëve të Republikës tonë.

Duke qenë që ne jemi tashmë në fazën e III-të të hapjes graduale ekonomike dhe shumica e veprimtarive janë lejuar, kjo ka rezultuar edhe me një rritje të numrit të rasteve pozitive në Covid-19, që nuk mund të thuhet se ishte e papritur, por që për fat të keq ka rezultuar me rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë tretman spitalor në Klinikën Infektive. Kjo, si pasojë e mosrespektimit të masave të ndërmarra, mosrespektimit nga ana e bizneseve dhe veprimtarive të tjera të lejuara, por edhe nga qytetarët si dhe mosrespektimit të Manualit për mbrojtja nga përhapja e Covid-19.

Mosrespektimi i masave tregon se mirëbesimi i nënkuptuar si kusht për hapje midis institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve, nuk është përkthyer në përgjegjësi pas vendimeve për hapje të plotë dhe lirimit të veprimtarive të ndryshme.

Me qëllim që t’i japim një shans më shumë dhe më tepër frymëmarrjes së bizneseve të dëmtuar nga pandemia, së fundi, ne hapëm edhe linjat e rregullta të fluturimeve ajrore, nga dita e djeshme, si dhe planifikohet të hapen edhe veprimtaritë e tjera.

Por, nëse hapja e këtyre veprimtarive dhe të tjerave, nuk shoqërohet në të njëjtën kohë me rritje të përgjegjësisë në zbatimin e masave, ngritjen e monitorimit në një nivel më të lartë nga të gjitha institucionet mbikëqyrëse dhe zbatuese, siç janë inspektoratet, dilema që do të shtrohet para nesh do të jetë se a ja vlen hapja e mëtejme, dhe marrja e masave të cilat i përmendi me të drejtë kryeministri i Republikës së Kosovës.

Si Ministri e Shëndetësisë kemi ndërmarrë masa që paralelisht me hapjen të fuqizojmë edhe kapacitetet: shërbimet me respiratore të ri të siguruar nga BE dhe Katari dhe janë në proces edhe disa të tjerë si nga partnerët ashtu edhe nga buxheti i MSh-së; kemi aktivizuar tro klinika tjera në QKUK (Pulmo, Derma dhe Mjekësia Sportive) që t’i dalin në ndihmë Infektivës; kemi aktivizuar edhe repartet infektive në spitalet e përgjithshme që të zvogëlojnë fluksin e pacientëve që vijnë në Prishtinë; kemi publikuar e shpërndarë në tre gjuhët manualin me udhëzues për veprimtaritë e hapura; jemi duke përgatitur strategjinë e re të testimeve me synim që të shkojmë edhe me testime në masë; kemi përgatitur dhe emituar së bashku edhe me partnerët dhe Zyrën e Kryeministrit edhe materiale informuese e promovuese lidhur me zbatimin e masave anti covid-19; jemi në finalizim të përditësimit të Protokollit klinik të trajtimit të Covid-19 në Klinikën Infektive dhe njëherësh kemi fuqizuar bashkëpunimin e Komunat përmes vizitave konkrete dhe qendrave rajonale të shëndetit publik për t’u informuar nga afër me punën, kapacitetet e nevojat e tyre.

Të nderuara media,

Por, që të gjitha këto veprime mund të mos sjellin rezultatet e duhura. Nëse ndonjëra nga hallkat e funksionimit si në nivel qendror ashtu edh në atë lokal nuk funksionon si duhet apo nuk i zbaton përgjegjësitë e veta.

Prandaj, sot ne bëmë këto prezantime dhe kërkuam nga institucionet relevant për menaxhimin e pandemisë që masat të cilat janë vënë nga MSH dhe Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike dhe janë bërë obligative nga Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të zbatohen, përndryshe do të kemi konsekuenca të tjera që për mendimin tim dhe të të gjithë të tjerëve në takim, mund të kthehemi prapa, atë të cilën nuk e dëshirojmë.

Ministria e Shëndetësisë me të gjitha kapacitetet dhe institucionet përkatëse po bën çmos që të mos kemi rikthim të asnjë mase të izolimit. Andaj ju lutem na ndihmoni. I ndihmoni vetës, zbatojeni rekomandimet, mbani maskat, mbani distancë, mbani higjienën që të ecim përpara dhe të shkojmë drejt lirisë së plotë ekonomike të lëvizjes dhe rikthimit në normalitet.