Mali i Munellës në Pukë, një atraksion dhe vlerë e shtuar në guidat turistike

0
497

Munella është kthyer vitet e fundit në një atraksion që po tërheq të apasionuarit pas malit.

Mali i Munellës, ndodhet në kufirin midis Pukës dhe Mirditës dhe arrin një lartësi prej 1996 metra. Ky mal ofron një natyrë çlodhëse me biodiversitet të larmishëm të faunës dhe florës që ka.

Kryetari i bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj, shprehet se, Munella është një atraksion dhe vlerë e shtuar në guidat turistike për potencialet e veçanta që mbart.

Sipas tij, pasuritë e rralla në këtë mal, ku rritet një florë e larmishme me llojshmëri bimësh dhe ku nuk mungojnë lloje të ndryshëm kafshësh nga lepuri, rrëqebulli, kaprolli, derri i egër e arinjtë, e bëjnë Munellën një vend me mjaft interes për t’u eksploruar.

“Burimet ujore ku dominojnë puset kaspike janë bukuri të rralla natyre për çdo vizitor”, shprehet Gjonaj.

Gjithashtu thotë ai, Munella të ofron mundësinë edhe të zhvillimit të biznesit blegtoral dhe agroturistik.

“Blegtoria e rritur në këto zona, dallon për shijen e veçantë të mishit e bylmetrave. Ndërsa stanet dhe bujtina, janë oaze që frekuentohen nga vizitorët e ndryshëm që zhvillojnë guida për eksplorimin e malit të Munellës”- thotë Gjonaj./ATSH