Lulzim Prenku, njeriu që ofron strehim, kujdes e dashni për qentë endacakë

0
287
Lulzim Prenkun që nga fëmijëria e karakterizon dashuria e madhe për kafshët e sidomos për qentë dhe macet.

Në një qoshe të oborrit të shtëpisë së tij ai tash e disa vjet ka ndërtuar një strehimore ku dhjetra qen përveç strehimit kanë gjetur dashuri e përkujdesje të pashoqe, gjë që vërehet që në shikim të parë tek qentë që jetojnë aty.

Miqësorë, të dashur, lozonjarë dhe të gatshëm për lojë, qentë vrapojnë pas njëri-tjetrit duke shijuar ditën e bukur me diell.

Aktivistët për të drejtat e kafshëve kanë gjetur përkrahjen e Lulzimit për t’u ofruar strehim qenve endacakë, sidomos atyre që kanë qenë viktima të aksidenteve, abuzimeve e keqtrajtimeve të ndryshme.  Ata janë trajtuar tek veterinerët dhe tashmë gëzojnë shëndet të plotë.

Tash për tash janë rreth 40 qen që jetojnë në këtë strehë, por  edhe dhjetra e dhjetra të tjerë pasi janë sterilizuar, kastruar nga kjo strehë kanë gjetur adaptuesit- familjen e tyre të përhershme.

Lulzimi ka në plan që të zgjerojë edhe më tutje këtë strehimore duke ua rregulluar edhe më shumë kushtet qenve që tashmë i ndjen si pjesëtarë të familjes./observer