Luanë, ujqër e struca mbahen të mbyllur e në kushte të këqija në Kosovë

0
1678

Kopshtet zoologjike dhe restorantet në Kosovë që strehojnë ujqërit, luanët, strucat dhe majmunët janë pjesë e një trendi në rritje me kafshë të egra dhe ekzotike të cilat mbahen të bllokuara, të importuara dhe të mbyllura në mënyrë të jashtëligjshme dhe në kushte të këqija.

Në periferi të qytetit të Gjakovës jeton një ujk me emrin Trump. Por në vend që të zvarritet mes pemëve në fshat siç mund të presim nga një kafshë e egër, Trump po jeton në një kafaz, i rrethuar me tela dhe duke fjetur në një dysheme betoni.

Trump dhe kopeja e tij – tre ujqër të tjerë dhe gjashtë qen të lindur rishtazi – u mbyllën dhe u zbutën nga Hysni Rexhaj, pronari i kopshtit privat zoologjik ‘Mbreti Gjakova Ujku Trump’

Nëse vizitoni kopshtin zoologjik, ju mund të shihni që Trump bën truqe. Ai i bindet urdhrave gojorë nga Hysniu, duke kërcyer nga njëra anë në tjetrën sipas urdhrave të dhënë pa hezituar fare. “Ai më dëgjon vetëm mua, askënd tjetër,” u thotë Hysniu vizitorëve.

Vizitorët mund të paguajnë një euro secili për ta parë Trumpin në kafazin e tij, bashkë me 200 kafshë të tjera, përfshirë strucat, drerët, papagajtë, shqiponjat, lepujt, macet, pallonjtë, gjarpërinjtë dhe një dhelpër.

Sipas Taulant Hoxhës, i cili punon për organizatën FOURPAWS që drejton Strehimoren e Arinjve Prishtina (Sanctuary Bear Prishtina), ky institucion nuk duhet të konsiderohet kopsht zoologjik.

Taulanti beson se nuk ka mundësi që Rexhaj të ketë burimet e nevojshme për t’u kujdesur për kafshët me përgjegjësi.

“Në FOURPAWS, ne e dimë se sa investim i madh është ky dhe sasia e burimeve njerëzore dhe financiare që kërkohen,” ai tha për PrishtinaInsight. “Eshtë e pamundur të bëhet privatisht, dhe se një licencë biznesi për të drejtuar një biznes nuk është e mjaftueshme.”

Rregulloret për mbajtjen e kafshëve në Kosovë janë përcaktuar qartë në një udhëzim administrativ të vitit 2012. Kafshët e mbrojtura të mbajtura të mbyllura kërkojnë kujdes të vazhdueshëm për të gjitha nevojat e tyre biologjike, si dhe hapësirë ​​të mjaftueshme, ndriçim, ushqim të duhur dhe stërvitje dhe pastrim të hapësirave në të cilat ata jetojnë, të përcaktuara në bazë të njohurive shkencore të ekspertëve për speciet në fjalë.

Nëse pronarët nuk mund t’i plotësojnë këto kushte, shpjegon udhëzimi administrativ, ata do të konsiderohen si të përfshirë në “tortura”.

Elza Ramadani, bashkëthemeluese dhe drejtore e OJQ-ve lokale Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, beson se gjendja e kafshëve në Gjakovë është shqetësuese.

“Ujqërit shfaqin sjellje jonormale, ata sillen para-mbrapa dhe në rreth brenda në kafaz, mund ta shihni këtë në veshët dhe trupat e tyre, ata janë të dëshpëruar,” shpjegoi Elza. “Kafshët e egra kanë nevoja specifike, nuk mund t’i marrësh për shëtitje sikur të jenë qen.”

Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit, MIE, ka konfirmuar për PrishtinaInsight se Hysni Rexhaj ka bërë kërkesë për licencë të rregullt për të pasur në posedim një kopsht zoologjik, por kërkesa e tij u refuzua pasi ai nuk ishte në gjendje të plotësonte kushtet. Rexhës i është kërkuar të punësojë një veteriner të përgjegjshëm me pajisje të përshtatshme për të kujdesur për nevojat e të gjitha kafshëve të mbajtura të mbyllura në pronën e tij, gjë që ai deri më tani nuk ka arritur ta bëjë.

Pas presionit të bërë nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, MIE e ka hartuar një raport inspektimi nga kopshti zoologjik më 7 shkurt, në Gjakovë. Raporti thotë se “gjendja shëndetësore e kafshëve duket se është në rregull [..], pronari është i detyruar të kujdeset për sigurinë dhe mbrojtjen e kafshëve dhe është i detyruar të vazhdojë procedurat për të kompletuar dokumentacionin e kërkuar nga ministria.”

Sidoqoftë, Elza nuk është e bindur që këto inspektime e tregojnë  historinë e plotë. “Nëse inspektori shkon në kopshtin zoologjik, pronari u thotë atyre se kafshët hanë dhe nuk janë të sëmura, dhe kjo është gjithçka që duhet të dëgjoni,” tha ajo.

Aktivistja për të drejtat e kafshëve është veçanërisht e mërzitur me faktin se raporti inkurajon Hysni Rexhajn ta regjistrojë kopshtin zoologjik. “Unë jam aq e zemëruar pse ata e kanë bërë këtë,” tha Elza. “Eshtë diçka e natyrshme, gjithmonë duhet të bartni një licencë për të ofruar një shërbim, por jo nëse ky shërbim ka si qëllim ekspozimin e ujqërve të egër që keni kapur.”

Sipas ministrisë, Hysni Rexhajt i është bërë me dije se ai po e menaxhon kopshtin zoologjik në mënyrë të paligjshme, dhe se planet janë që ta mbajnë atë përgjegjës penalisht për importin e paligjshëm të kafshëve, përfshirë strucin dhe një nga ujqërit, por asnjë hetim zyrtar penal nuk është inicuar.

Pronari i kopshtit zoologjik të palicencuar fitoi një reputacion të keq pas paraqitjeve në mediat kombëtare gjatë muajit të kaluar, duke sjellë Trump-in dhe kafshë të tjera në emisione televizive të drejtpërdrejta në kanale televizive përfshirë RTV Dukagjini, Klan Kosova dhe Top Channel.

“Media po e sensibilizon këtë çështje,” tha Taulant Hoxha. “[Rexhaj] me të vërtetë e shijon këtë reputacion si një lloj pëshpëritësi i ujkut, dhe për t’i bërë gjërat edhe më keq, njerëzit në media ndiheshin krenarë që raportuan për të.”

Taulanti paralajmëroi se ekspozimi në ekranet televizive të kafshëve të egra të kapura mund të ketë efekte të dëmshme në mirëqenien e vetë kafshëve, dhe të japë përshtypjen se trajtimi i tyre si i tillë është i pranueshëm.

“Nëse mediat pajtohen që ujqërit të jenë pjesë e studiove televizive, kjo do të krijojë një precedent të ri që trajtimi i kafshëve në këtë mënyrë është normal,” tha ai. “Ne kemi ngecur aty në mes, ndërmjet një medie që kënaqet me spektaklin dhe zyrtarëve qeveritarë që e shohin [mirëqenien e kafshëve] si një ushtrim që plotëson kërkesat administrative por jo edhe gjendjen faktike.”

Një problem në rritje

Kopshti zoologjik i Hysni Rexhaj nuk është i vetmi i këtij lloji në Kosovë. Në Prizren kopshti zoologjik ‘Kopshti Zoologjik Shqiponja’ me shumë krenari i bën reklamë mundësisë për të parë majmunin e tij, ndërsa në Gjilan, një luan mbahet në kafaz në një restorant në fshatin Stanaj për muaj të tërë për të argëtuar vizitorët që shkojnë aty. Hoxha është i shqetësuar se kjo është pjesë e një trendi më të madh.

“Pse po ndodh kjo përsëri? Ne menduam se tashmë e kishim hequr qafe këtë lloj trendi gjatë kohës kur Strehimorja e Arinjëve (Sanctuary Bear) ishte duke funksionuar dhe ne ishim krenarë për atë që kishim bërë,” tha ai për Prishtina Insight. “Eshtë e trishtueshme të thuash, por jo të gjithë janë të vetëdijshëm se mbajtja e këtyre kafshëve në kafaze është gabim nga këndvështrimi i mirëqenies së kafshëve. Kam frikë se kjo do të bëhet një standard shoqëror, i rrjedhshëm, i ngjashëm me atë që ndodhi me arinjtë. “

Autoritetet në Kosovë janë në dijeni me problemin. Prokuroria Themelore në Gjilan dhe Doganat e Kosovës, që të dyja,  janë duke e hetuar rastin për mënyrën sesi u bë që luani të gjendet në Gjilan, dhe kanë ngritur një padi penale kundër pronarit të restorantit për importin e paligjshëm të një specie të mbrojtur dhe të rrezikuar.

Mirëpo, sipas Elzës, gjykatat, doganat apo edhe qeveria nuk mund të bëjnë asgjë për t’i shpëtuar këto kafshë. Duke mos qenë anëtar i Kombeve të Bashkuara  dhe në pamundësi për t’iu bashkuar Konventës për Tregtinë Ndërkombëtare të Specieve të Rrezikuara, Kosova nuk mund t’i eksportojë me ligj këto kafshë në vendin e tyre të origjinës.

Një zgjidhje për speciet e huaja të tilla si luani, majmuni dhe strucët të mbajtur të mbyllur në Kosovë ende nuk është gjetur, ndërkohë që kafshët shtëpiake tani të papërshtatshme për tu lëshuar përsëri në natyrë, po ashtu nuk ka ndonjë vend tjetër që ujqërit e Gjakovës të kthehen në habitatin e tyre në mënyrë të sigurtë.

“Po përpiqemi të bëjmë më të mirën për të arritur një marrëveshje me pronarët e kopshtit zoologjik për të na lejuar që t’i shpëtojmë këto kafshë pasi që kemi gjetur strehimore diku në Evropë që mund t’i marrin ato,” shpjegoi Elza. “Por nëse ne nuk ia dalim të gjejmë diçka për to, ato mund të eutanazohen (vriten  nga mëshira).”

MIE ka ndërmarrë hapa kundër të tri bizneseve në Gjakovë, Gjilan dhe Prizren, duke sekuestruar kafshët dhe duke ndalur funksionimin e njërës nga kopshtet zoologjike.

Sidoqoftë, ata nuk kanë qenë të suksesshëm në largimin e kafshëve ose gjetjen e një lokacioni tjetër për ti vendosur ato. Në dhjetor, ministria nxori një rekomandim për krijimin e një qendre të përkohshme rehabilitimi për kafshët e egra me status të mbrojtur që janë importuar në mënyrë të paligjshme ose janë gjetur me lëndime, porse nuk është arritur asnjë përparim në këtë drejtim.

Duke qenë këmbëngulës se për të dy kopshtet zoologjike dhe për luanin e mbyllur në kafaz, ata janë në kërkim të një standardi më të përshtatshëm, ministria thotë se duart e saj janë të lidhura derisa gjykatat të marrin një vendim mbi paligjshmërinë e funksionimit të kopshteve zoologjike.

Nuk ka vend të sigurt për kafshët e huaja

Udhëzimi administrativ i vitit 2012 për lëvizjen ndërkufitare dhe tregtinë e specieve të mbrojtura të egra ndalon në mënyrë specifike importin e një luani në Kosovë, në çdo rrethanë, pa marrë parasysh nëse është kërkuar leja apo jo, dhe Prokuroria Themelore në Gjilan njoftoi më 19 dhjetor se ata kishin filluar hetimet për importin e paligjshëm të luanit në fshatin Stanaj.

Sipas ministrisë, Dogana e Kosovës ka rishikuar pamjet e kamerave (CCTV) në kufi, në përpjekje për të konstatuar saktësisht kur dhe ku ka kaluar kufirin për në Kosovë, por deri më tani pa ndonjë sukses. Përkundër kësaj, një vendim pritet nga Gjykata Themelore në Gjilan para fundit të muajit prill.

Ministria insiston që deri sa të merret një vendim nëse Arsim Halimi e ka bërë importimin e luanit në mënyrë të paligjshshme, krejt çfarë mund të bëjë ministria është që ta mbajë luanin në kafazin e tij dhe të monitorojë shëndetin dhe mirëqenien e tij. Përfaqësues nga ministria raportuan se ata e kishin parë gjendjen e luanit që nga fillimi i monitorimit dhe konfirmojnë se ata kanë inspektorë të kualifikuar për të monitoruar shëndetin e një specie të huaj të tillë sikurse  të një luani.

Sidoqoftë, raporti i ministrisë më 23 janar, pas një kontrolli bërë luanit, thotë se shëndeti i luanit po monitorohet “vizualisht”, duke ngritur pikëpyetje midis aktivistëve nëse ministria është në gjendje të konstatojë siç duhet mirëqenien e luanit.

Elza Ramadani vë theksin tek fakti se vetëm ca vizita për të kontrolluar luanin janë të pamjaftueshme. “Ne jemi në kontakt me një specialist të kopshtit zoologjik në Itali i cili është i trajnuar për të monitoruar kafshët e cirkut, dhe kemi kërkuar që ta sjellim atë në Kosovë dhe ta vizitojmë luanin së bashku me inspektorët e ministrisë. Shpresojmë se kjo do të ndodhë në Mars ose Prill,” tha Elza.

Sipas ministrisë, çështja e luanit në Gjilan është e para e këtij lloji që ata kanë tentuar ta zgjidhin. Sapo të merret një vendim nga gjykata në Gjilan, ata besojnë se kjo mund të hapë rrugën për gjetjen e një zgjidhjeje edhe për speciet tjera të mbrojtura të mbajtura të mbyllura në Prizren dhe Gjakovë.

Sidoqoftë, problemi mbetet që kafshët e huaja dhe të egra nuk kanë vend të sigurt për jetesë në Kosovë pasi të jenë kapur. Për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve po e merr përsipër këtë çështje.

Së bashku me ekspertët juridikë ndërkombëtarë, fondacioni është në procesin e hartimit të një ligji të ri për mirëqenien e kafshëve që do të ndalojë edhe kopshtet zoologjike edhe cirqet që mbajnë kafshët në skllavërim, duke anashkaluar çdo problem të mundshëm të importit dhe eksportit. Ligji i ri gjithashtu do t’i detyrojë të gjithë pronarët e kafshëve, mbarështuesve dhe shitësit në të gjithë vendin që të regjistrohen.

“Ne po bëjmë atë që mundemi si një OJQ e vogël dhe me kapacitete të vogla,” tha Elza. “Megjithë hapat që ka ndërmarrë ministria, kafshët janë ende të mbyllura në kafazet e tyre dhe ndikimi negativ vazhdon akoma.”