Lirohet nga akuza depoisti i Komunës së Graçanicës, i cili i shkaktoi dëm 58,021.47 € komunës

0
46

Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Krime të Rënda, ka liruar nga akuza Sladjan Trajkoviq, i akuzuar për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, raporton Drejtësia Sot.
Sladjan Trajkoviq akuzohej se duke shfrytëzuar pozitën e tij si depoist kryesor në depon e Komunës së Graçanicës, ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore me vlerë rreth 58,021.47 €.

Trupi gjykues në përbërje prej gjyqtarëve Violeta Namani, Nushe Kuka Mekaj dhe Naser Foniqi, gjetën se i akuzuari Trajkoviq nuk ka cilësinë e personit zyrtar, ngaqë për të pasur një pozitë të tillë i njejti duhet të jëtë i zgjedhur ose i emëruar nga ndonjë organ shtetëror.

Tutje trupi gjykues theksoi se nuk janë lëshuar fare në vlerësimin e dëshmive dhe provave të propozuara nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për shkak të ekzistimit të faktit si më lartë.
Kujtojmë që sipas aktakuzës së ngritur nga ana e prokurores Dulina Hamiti, i pandehuri Sladjan Trajkoviq, prej muajit dhjetor të vitit 2013 deri me datë 13.10.2014 duke e shfrytëzuar detyrën e tij pasi që ka qenë depoist kryesor në depon e Komunës së Graçanicës, në mënyrë të vazhdueshme ka marrë paisje medicinale si dhe 3 ventilatorë, meqenëse ka qenë i vetmi qe ka pasur qelsat e dyerve dhe njëherit ka pasur qasje në ketë objekt gjatë dhe pas orarit të punës.

Tutje thuhet se gjësendet e marra i pandehuri me veturën e tij private i ka dërguar në drejtim të panjohur me qëllim të përfitimit të kundëligjshëm të dobisë pasurore për vete, me ç’rast i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm Komunës së Graçanicës rreth 58,021.47 €./DrejtesiaSot