“Leximi i amendamenteve të propozuara për rezolutën e sotme të Parlamentit Evropian është çdo herë kënaqësi”

0
46

Nga Demush Shasha

Leximi i amendamenteve të propozuara për rezolutën e sotme të Parlamentit Evropian është çdo herë kënaqësi aq sa edhe leximi i vet rezolutës. Çfarë nuk gjen njeri në këto 132 faqe të fjalës së lirë të eurodeputetëve. Prej qëndrimeve tejet dinjitoze dhe serioze, deri te ato më shqetësuese dhe qesharake. Kjo laramani mendimesh edhe përfaqëson diversitetin e opinionit të qytetarëve të BE-së. Në orët e mbrëmjes do kuptojmë se cilat amendamentet do kalojnë e cilat jo, por është interesant për të ngritur në vëmendje disa prej tyre sepse janë indikacion i disponimit politik brenda BE-së.

Përkitazi me liberalizimin e vizave ishte interesant për të parë se znj. Nathalie Loiseau, e cila ishte Ministre për Evropën në Qeverinë e Francës dhe prijëse e listës së partisë së Presidentit Macron në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, ka kërkuar që të hiqet nga rezoluta vlerësimi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e liberalizimit të vizave. Po ashtu ka kërkuar që të hiqet kërkesa për Këshillin e BE-së që të procedoj me liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo është në konsistencë me qëndrimin e vazhdueshëm të Francës sa i përket liberalizimit të vizave.

Ndërsa, kolegët e saj nga partia e dytë në Francë, respektivisht partia e znj. Marine Le Pen, kanë shkuar edhe më larg duke kundërshtuar hapur dhe fuqimisht liberalizimin e vizave për Kosovën.

Disa eurodeputet kanë përfshirë në amendamentet e tyre edhe çështjen e vendimit të Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem. Në propozim amendamentet ata kanë rikujtuar se hapja e ambasadës në Jerusalem, dhe jo në Tel Aviv, është në kundërshtim me qëndrimin e BE-së për zgjidhjen “dy shtete” në mes Izraelit dhe Palestinës.

Në atë skajin shqetësues, por edhe qesharak, të propozim amendamenteve, gjeni propozime si këto:

– Të largohet menjëherë NATO nga Kosova, pasi që përbënë “rrezik për rajonin”;
– Kosova nuk është “vend”, por “territor”;
– Kosova nuk mund bëhet vend anëtar i BE-së për shkak “natyrës së saj kriminale”;
– Ftesë BE-së që të vendosin UÇK-në në “listën e organizatave që mbështesin terrorizmin”.

Lajmi i mirë është se këto zëra janë pakicë ekstreme në Parlamentin Evropian.