Lewandowski i jep përgjigjen Real Madridit

0
33

Kampioni aktual evropian, Real Madrid, është në kërkim të një sulmuesi cilësor me shpresë për ta mbuluar mungesën e Cristiano Ronaldos, i transferuar te Juventusi.

Në mesin e emrave të lakuar për transferim në “Santiago Bernabeu” është përmendur edhe sulmuesi i Bayern Munichut, Robert Lewandowski.

Mirëpo, vetë polaku i ka dhënë fund çfarëdo shprese që kishte skuadra spanjolle, duke thënë se dëshiron ta përfundojë karrierën e tij me Bayernin.

Për 31-vjeçarin ishte spekuluar edhe për një transferim të mundshëm te Chelsea apo te Paris Saint-Germain. Këto oferta i kishte konfirmuar edhe vetë Lewandowski.

Edhe pse gjatë verës ishte e qartë se Lewandowski dëshironte të largohej nga kampioni gjerman, tani sulmuesi ka ndryshuar mendje dhe dëshiron ta vazhdojë karrierën e tij në “Allianz Arena”.

“Ka shumë mundësi që unë të jem këtu për një kohë të gjatë. Nuk po mendoj të shkoj askund tjetër. Që kur u dhashë fund spekulimeve, zemra ime është 100 për qind me Bayernin”, ka thënë Lewandowski.

“Unë identifikohem plotësisht me klubin. Mund ta shoh veten duke i dhënë fund karrierës sime si futbollist këtu me Bayernin”, ka shtuar sulmuesi polak, i cili sivjet për Bayernin ka shënuar 22 gola, përfshirë të gjitha garat, 8 prej tyre në Ligën e Kampionëve./OxygenPress.info