Lëvizja Vetëvendosje kërkon procesverbalet dhe transkriptet nga Gjykata Kushtetuese për vendimin e dekretit të presidentit

0
41

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Gjykata Kushtuese që ofrojë të gjitha dokumentet, duke përfshirë edhe procesverbalet dhe transkriptet që pasqyrojnë procesin e shqyrtimit dhe të marrjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit.

LVV kërkon nga Gjykata Kushtetuese që këtë ta bëjë në një afat sa më të shpejt.

“Marrë parasysh rëndësinë dhe ndikimin e madh për rendin kushtetues dhe demokracinë në vendin tonë, domosdoshmërinë për pasqyruar gjithë procesin e shqyrtimit dhe të vendosjes nga ana e Gjykatës Kushtetuese për dekretin antikushtetues të presidentit, sot Kryetari i Grupit Parlamentar i Lëvizjes VETËVEDOSJE! Z. Rexhep Selimi ka kërkuar nga Gjykata që në përputhje me përgjegjësinë për të qenë e hapur dhe transparente për publikun, e veçanërisht për palët, që në afat sa më të shpejtë dhe në format autentik të na ofrojë të gjitha dokumentet, duke përfshirë edhe procesverbalet dhe transkriptet që pasqyrojnë procesin e shqyrtimit dhe të marrjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese për rastin KO72/20”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Më tej LVV thekson se “dekreti antikushtetues i Presidentit nuk mund të justifikohet përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ashtu sikurse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është vënë mbi Kushtetutën për ta arsyetuar Presidentin”.

“Andaj si palë në këtë rast, kërkojmë të njihemi me dokumentet që dëshmojnë se mbi çfarë baze është argumentuar ajo që nuk mund të argumentohej në dritën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar sot Aktgjykimin e plotë lidhur me vendimin e marrë për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetueses thuhet se dekreti i presidentit është në përputhje me Kushtetutën.