Letër shqetësuese nga Strehimoret e Kosovës për Koordinatorin Nacional

0
136

Për:Z.Naim Qelaj /Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje

 Nga: Strehimoret e Kosovës

 I nderuari Z.Qelaj,

 Siç e dini sipas raporteve të Policisë së Kosovës gjatë këtij viti  janë raportuar mbi 1300 raste viktima të dhunës në familje. Një numër i konsiderueshëm i tyre kanë kërkuar strehim në strehimoret e Kosovës,  525  raste viktima të dhunës në familje kanë marrë shërbime strehuese vetëm gjatë këtij viti në strehimoret e Kosovës,  34 raste ka pas Qendra  strehuese “Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve”në Prishtine dhe Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore-Prishtine 30 raste, viktima te trafikimit dhe viktima potenciale te trafikimit.

Strehimoret që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit, fëmijët pa përkujdesje prindërore si dhe fëmijët e abuzuar dhe neglizhuar udhëhiqen nga OJQ-të lokale të licencuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Këto strehimore që nga pas lufta kanë ofruar shërbime rehabilituese dhe re integruese  cilësore për viktimat gra dhe fëmijë. Këto strehimore përmes procedurave të aplikimit në MPMS- kanë marr edhe përkrahje financiare nga kjo Ministri në shuma të ndryshme.

Gjatë vitit të kaluar përmes Rrjetit të Grave të Kosovës është avokuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për një fond të qëndrueshëm nga buxheti i Kosovës për strehimoret e Kosovës. Pas një sërë takimesh të mbajtura është arritur që financimi i strehimoreve të hyj si amendament i veçante në Buxhetin e vitit 2019, ky amendament edhe u aprovua nga Kuvendi i Kosovës. Mirëpo edhe pse kjo ishte një lajm i shumëpritur dhe entuziazmoi të gjithë ofruesit e shërbimeve në të gjitha strehimoret në 2 muajt e fillim vitit 2019  këto strehimore nuk kanë pas asnjë përkrahje financiare nga Qeveria e Kosovës edhe shuma e përkrahjes e aprovuar nga Kuvendi i Kosovës nuk është realizuar. Në ketë amendament të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës janë ndarë nga 60,000.00 euro për secilën strehimore në Kosovë derisa shuma maksimale e përkrahjes nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për këtë vit ka qenë për strehimoren e fëmijëve në vlerë prej 35,000.00 euro, kurse vlera më të ultë janë ndarë për strehimoret qe ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje. Të gjitha strehimoret kanë Kontratë të nënshkruar me MPMS-në deri me 31 Dhjetor 2019, kurse derisa jemi në javën e dytë të muajit Dhjetor ende nuk është shpallur thirrja e re nga MPMS-ja për vitin 2020.

Për fat të keq strehimoret e Kosovës që nga viti 2016 kanë pas zbrazëtira  për 2 ose 3 muaj nga përfundimi i kontratave të nënshkruara dhe kontratat e reja dhe kjo në disa raste ka shkaktuar mbylljen e përkohshme të disa strehimoreve në mungesë të buxhetit, për tu rihapur prape në kohën kur janë nënshkruar Kontratat e reja.

Ne si strehimore përmes kësaj letre shfaqim unanimisht shqetësimin tonë për mungesën e buxhetit për të filluar vitin 2020, ku aktualisht kemi të akomoduar në strehimore gra dhe fëmijë ku një pjesë e tyre janë pa asnjë strategji dalëse dhe mbyllja edhe e përkohshme e këtyre strehimoreve do të vinte në rrezik këto gra dhe fëmijë e po ashtu do të mbyllte derën për rastet e reja që mund të jenë në nevojë urgjente për strehim.

Andaj duke u bazuar që ju z.Qelaj, si Koordinator Nacional kundër dhunës në familje keni qenë dhe jeni një zë i fuqishëm i viktimave të dhunës në familje në Republikën e Kosovës dhe po ashtu keni qenë çdo herë afër nesh në trajtimin sa më të mirë të këtyre rasteve ju drejtohemi ju që të jeni zëri i strehimoreve të Kosovës dhe zëri i viktimave te Qeveria e Republikës së Kosovës që përmes një fondi emergjent të përkrah strehimorët në vazhdimin e ofrimit të shërbimeve sociale strehuese për viktimat gra dhe fëmijë nga 1 Janari 2020, deri në nënshkrimin e Kontratave të reja me MPMS-në.

Mos të harrojmë të theksojmë faktin që Qeveria e Republikës së Kosovës ka obligime ligjore ndaj këtyre rasteve në nevojë për mbrojtje sociale, të garantuara me infrastrukturë ligjore në Kosovë dhe Konventa Ndërkombëtare.

Me shpresë që kërkesa jonë do të trajtohet me prioritet dhe seriozitet ne ju falënderojmë paraprakisht ju si Koordinator Nacional dhe shpresojmë që edhe këtë herë në një situatë kaq emergjente do të gjeni një zgjidhje sa më të shpejtë.

 

Sinqerisht,

Qendra për Mbrojtjen  dhe Rehabilitimin  e Grave dhe Fëmijëve“LIRIA”-Gjilan

Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve- Prishtinë

Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës- “Raba Voca” Mitrovicë

Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore-Prishtinë

Qendra për Mirëqenien e Gruas-Pejë

Qendra për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve-Prizren

Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve -Kosovë

Shtëpia e Sigurtë-Gjakovë

Strehimorja e Grave-Ferizaj

Strehimorja -Novoberdë