Lajm i keq për Avdijajn

0
42

Përfaqësuesja e Kosovës kryesisht përbëhet nga futbollistë të rinj, ndërsa janë të dalluar edhe për nga diciplina.

Mirëpo, njëri nga yjet e Kosovës, Donis Avdijaj, e ka thyer paksa këtë rregull.

Pas një udhëtimi që bëri në tregun e Krishtlindjeve në Meppen, ish-lojtari i Schalke 04 është pezulluar nga klubi i tij aktual, Willem II Tilburg, që garon në divizionin e parë holandez. Avdijaj dhe tre shokët e tij gjermanë, Timon Wellenreuther, Thomas Meissner dhe Atakan Akkaynakbaxten, mbrëmjen para ndeshjes së të dielës me FC Emmen, janë larguar pa leje nga hoteli i ekipit.

Futbollistët në fjalë bënë fshehurazi një udhëtim në Gjermani, në tregun e Krishtlindjeve në Meppen. Qyteti është vetëm 30 kilometra larg nga Emmen, vendi ku do të luhej ndeshja dhe ishin të grumbulluar. Megjithatë, udhëtimi i tyre u zbulua nga trajneri Adrie Koster, që i la jashtë skuadrës dhe i pezulloi për arsye disiplinore deri në njoftimin e mëtejshëm.

Avdijaj, që dikur konsiderohej një talent i madh, kishte shkaktuar probleme të tilla disiplinore edhe në të kaluarën, herë pas here. Duke dashur të justifikohet për sjelljen, 22-vjeçari pati thënë: “Te Schalke isha shumë i ri dhe bëra gabime. Besoja se gjithçka ishte kundër meje dhe e kërkoja fajin vetëm te të tjerët”. Por, ngjarja e fundit dhe pezullimi tregon se lojtari i Përfaqësueses së Kosovës ka ende vend për përmirësim./OxygenPress.info