Ky vend posedon Ministrinë e Lumturisë, ku nuk kultivohet as pihet duhani

0
99

Butani është një shtet që jo shumë e kanë dëgjuar. Ky shtet, i vendosur midis Indisë dhe Kinës në Azinë Jugore, ishte i pa zbuluar nga turistët deri në vitin 1974. Sa misterioz, aq edhe piktoresk!

Sot, pas shumë përpjekjesh, turistë nga mbarë bota mund ta vizitojnë Butanin, ndonëse procedurat janë tmerrësisht të stërzgjatura, pasi mbreti i vendit përpiqet të kufizojë numrin e turistëve.

Deri në vitin 1999, në Butan ishte i ndaluar rreptësisht përdorimi i televizorit dhe internetit. Pasi u pa që ishte e pamundur të qëndrohej larg teknologjisë, u vendos të anulohej ligji.

Çfarë e bën këtë vend të izoluar një nga vendet më të lumtura në botë? Arsyet janë nga më të ndryshmet.

Për t’u kujdesur për qetësinë shpirtërore, në vitin 2008 u formua Komiteti i Lumturisë. Për më tepër ekziston edhe Ministria e Lumturisë, që përcakton ekuilibrin e vlerave financiare, mendore dhe shpirtërore.

Në Butan, nuk ka asnjë njeri që jeton rrugëve. Nëse dikush humbet shtëpinë apo është i pastrehë, mjafton të drejtohen te mbreti Jigme Khesar Namgyel Wangchuck, i cili menjëherë kujdeset për t’iu dhënë një copë tokë ku të mund të jetojnë.

Çdo banor ka të drejtën të përfitojë kujdes mjekësor falas.

Ndalohet kultivimi dhe shitja e duhanit. Është praktikisht e pamundur të blesh duhan. Turistët duhet të kenë një sërë dokumentesh të nevojshme dhe duhet të paguajnë tarifë nëse duan të marrin cigare me vete.

Vendi tregon një kujdes të jashtëzakonshëm për ekologjinë dhe natyrën. Në vitin 2015, Butani vendosi një rekord botëror duke mbjellë 50,000 pemë në vetëm një orë.

Ndonëse turistët mund të vizitojnë vendin, mbreti nuk i lejon vizitat në të gjitha zonat. Nuk lejohen vizitat personale, pra duhet të jeni me guidë. Çmimet e hoteleve vendosen nga qeveria. Një ditë (hotel-ushqim-vizita-aktivitete zbavitëse) kushton diku tek 25,000 lekë/ditë.

Niveli social i një personi dallohet nga ngjyrat e shallit të vendosur në shpatullën e majtë. Njerëzit e zakonshëm mbajnë shall të bardhë, ndërsa fisnikët dhe murgjit veshje të verdha.

Gratë janë më të respektuarat në vend. Të gjitha pronat, sendet personale dhe pasuritë e tjera i shkojnë vajzës së madhe, jo djalit.

Sot, bota po përpiqet vazhdimisht të shkojë drejt gjërave “bio”. Në Butan, nuk ka probleme të këtij lloji. Është e jashtëligjshme përdorimi i produkteve kimike. Çdo gjë kultivohet brenda vendit me metoda krejt natyrale.

Në Butan, është e ndaluar të martohesh me një të huaj. Mbreti kujdeset që të ruajë veçantinë dhe izolimin e vendit nga pjesa tjetër e botës. Gjatë ceremonive martesore, murgjit lexojnë mantra.

Për më tepër, në kryeqytetin Thimphu nuk ka trafik, nuk ka semaforë dhe kjo nuk është problem për këmbësorët. Në të gjitha rrugët ndodhen policë që drejtojnë qarkullimin.

Përkundër të gjitha masave të rrepta, njerëzit e Butanit janë shumë miqësorë dhe të lumtur./alsatm