Ky vend po pret ndihmat ndërkombëtare

0
46

Udhëheqësi i opozitës venezueliane Juan Guaido, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë njohur si president kalimtar, pritet të njoftojë të dielën se kur do të fillojë shpërndarja e ndihmave humanitare në vendin e përfshirë nga kriza.

Guaido u tha mbështetësve të tij të shtunën se opozita do të fillojë grumbullimin e ndihmave humanitare në Brazil, Kolumbi dhe një vend tjetër dhe i bëri thirrje ushtrisë që të lejojë ndihmat të hyjnë në vend.

“Nuk janë vetëm 20 milionë dollarë amerikanë që morëm. Sot shpallëm një koalicion ndërkombëtar për ndihmat humanitare dhe lirinë e Venezuelës. Ne gjithashtu njoftojmë se populli venezuelian tashmë ka 3 pika ku do të grumbullohen ndihmat humanitare. Pika e pare do të jetë në Cucuta të Kolumbisë ku do të vendoset qendra e pare e grumbullimit. Do të ketë dy pika të tjera të cilat do t’i njoftojmë në ditët në vijim, por një rado të jetë në Brazil. ”

Duke folur pas një podiumi të dekoruar me vulën presidenciale të Venezuelës, Guaido përsëriti gjithashtu thirrje ushtrisë që të dezertojë nga qeveria socialiste e vendit.

“Ushtarë, ka ardhur ora, ka ardhur momenti për të deklaruar mbështetjen tuaj për kushtetutën, ndihmën humanitare dhe për ndryshime për familjen tuaj, vendin tuaj dhe nderin e forcave të armatosura venezueliane”.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të transportojnë ndihma për Venezuelën me kërkesë të zotit Guaido. Presidenti Nicolas Maduro ka refuzuar të pranojë ndihmën sepse ai beson se ajo hap rrugën për një ndërhyrje ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Dy udhëheqës ushtarakë dhe një ambasador dezertuan të shtunën nga qeveria e presidentit Nicolas Maduro dhe njohën Guaidon si president të përkohshëm.