Ky personalitet është frymëzuesi i vendosjes së demokracisë parlamentare si formë e pushtetit në Angli

0
104

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 41 me rradhë ka Oliver Kromuell.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXXI- Oliver Kromuell

(1599-1658)

Udhëheqësi i shquar ushtarak, Oliver Kromuell, është frymëzuesi i vendosjes së demokracisë parlamentare si formë e pushtetit në Angli. Në luftën civile, që u zhvillua aty, ai u solli fitoren fuqive parlamentare.

Ai është lindur në vitin 1599 në Hantington të Anglisë.Vitet e rinisë i kaloi në një Angli të rrënuar nga kundërshtitë fetare të drejtuara nga mbreti, i cili besonte në mënyrë të patundshme në monarkinë absolute. Kromuelli, me prejardhje familjeje të fisme provinciale, ishte puritan i vendosur. Në vitin 1628 ai u zgjodh anëtar i Parlamentit, ku nuk qëndroi gjatë sepse pas një viti, u emërua nga mbreti Çarls I në një detyrë si drejtues i shtetit. Në vitin 1640, kur i duheshin para për luftën kundër skocezëve, mbreti mblodhi Parlamentin e ri, anëtar i të cilit u zgjodh për të dytën herë edhe Kromuelli. Parlamenti këmbënguli për marrjen e masave që garantonin mosvendosjen e pushtetit despotik. Por, Çarli I nuk iu nënshtrua vendimeve të Parlamenit e si rrjedhim, në vitin 1642 shpërtheu lufta midis ithtarëve të mbretit dhe përfaqësuesve të Parlamentit. Sigurisht që Kromuelli mbështeste vendimet e Parlamentit. Ai u kthye në Hantington, ku organizoi ushtrinë kalorësiake kundër mbretit. Gjatë luftës katërvjeçare me ushtritë e mbretit u shprehën aftësitë e tij ushtarake dhe u rrit edhe popullariteti i tij. Në këtë luftë katëvjeçare, Kromueli luajti rolin kryesor si në betejën vendimtare të Marston Murit (2.7.1644), ashtu edhe në atë të Nejzbigut (14.6.1645). Në vitin 1646 lufta mbaroi. Çarlsi I u zu rob, ndërsa Kromuelli u njoh si udhëheqësi kryesor e fitimtar i Parlamentit. Por, paqja nuk u arrit. Për qëllime të ndryshme, forcat parlamentare u ndanë në fraksione. Mbreti nuk donte të pajtohej me situatën. Kështu që pas një viti filloi Lufta e Dytë Civile. Mbreti i arratisur mblodhi për së dyti forcat e tij. Në këtë përplasje Kromuelli doli përsëri fitimtar duke mënjanuar anëtarët më të matur të Parlamentit, ndërsa mbreti Çarls I u ekzekutua në vitin 1649.

Kështu, Anglia u bë republikë duke u drejtuar nga një këshill shtetëror, president i të cilit u zgjodh Kromuelli. Megjithatë, forcat mbretërore filluan të mblidhen në Iskutsk dhe Skoci për t’i dhënë mbështetje Çarlit II, djalit të mbretit të ekzekutuar. Kjo situatë e shtyu Kromuellin që me disa veprime luftarake t’ia dilte përsëri mbanë, duke i shkaktuar humbje të rënda ushtrisë mbretërore. Pas përfundimit të luftërave erdhi koha e vendosjes së pushtetit të ri. Sa ishte gjallë Kromuelli problemet ende nuk ishin zgjidhur. Ai u kishte siguruar fitoren kundërshtarëve të monarkisë absolute, por as fitorja dhe as prestigji i tij nuk ishin të mjaftueshme për zgjidhjen e konflikteve shoqërore. Konfliktet u ndërthurën edhe me armiqësi të thella fetare, që përçanin mes tyre protestantët dhe katolikët. Kur e mori pushtetin Kromuelli, nga Parlamenti i vitit 1640 kishin mbetur një pakicë ekstremistësh, një mbeturinë parlamenti. Në fillim, në zgjedhjet e reja ai pati probleme me ta aq sa u detyrua të shpërndante Parlamentin. Që nga ai çast e derisa vdiq e mblodhi dhe e shpërndau Parlamentin tri herë. Aty u përpiluan dy kushtetuta, por asnjëra nuk u miratua. Gjatë gjithë asaj periudhe Kromuelli drejtoi me ndihmën e ushtrisë. Ai ishte diktator ushtarak. Por, përpjekjet e shumta për të sjellë proceset demokratike në vend dhe kundërshtimi që i bëri fronit mbretëror që iu ofrua tregojnë se ai nuk synonte nga diktatura. Megjithatë, diktatura për të ishte e pashmangshme sepse ithtarët e tij nuk gjenin mirëkuptim për krijimin e një pushteti të përbashkët. Nga viti 1653 deri në vitin 1658 Kromuelli udhëhoqi Anglinë, Skocinë dhe Irlandën si lord-protektor. Në ato vite, siguroi një pushtet të mirë dhe administratë të qëndrueshme, përmirësoi ndonjë nga ligjet ekstreme dhe financoi arsimin. Ai ishte ithtar i durimit fetar, megjithatë, hebrenjtë i lejoi të ktheheshin për së dyti në Angli dhe të faleshin në fenë e tyre. Ata, tre shekuj më parë ishin ndjekur nga mbreti i Anglisë, Eduardi I. Kromuelli ndoqi edhe një politikë të jashtme të suksesshme. Kromuelli vdiq nga malarja në vitin 1658 në Londër. Vendin e tij e zuri djali i tij i madh, Riçard Kromuell, por nuk qëndroi gjatë. Në vitin 1660, në fronin mbretëror u kthye Çarli II. Trupi i Oliver Kromuellit u nxor nga varri dhe u var në trekëmbësh. Ky veprim i shëmtuar nuk mund ta fshinte faktin se beteja për monarki absolute tashmë kishte perënduar. Çarli II e kuptoi shumë mirë këtë ndaj nuk u përpoq që ta frenonte rolin e Parlamenit. Kur Xhejmsi II,ithtar i tij, u përpoq ta kthente përsëri monarkinë absolute, pas një kohë të shkurtër, në vitin 1688, u rrëzua nga një goditje prapa koke. Si rezultat i gjithë këtyre qëllimet e Kromuellit u plotësuan: u vendos monarkia kushtetuse, ku mbreti qëndron më poshtë se parlamenti dhe durimi fetar. Tre shekuj pas vdekjes së Kromuellit, personaliteti i tij nuk pushoi së qeni si shembull i zgjidhjes së konflikteve. Një numër i madh kritikësh e paraqesin si hipokrit,për faktin se krijoi një diktaturë ushtarake, që luftonte për udhëheqjen  e parlamentit dhe kundër monarkisë absolute. Megjithatë,mbizotëron mendimi se Kromuelli e afirmoi demokracinë me shumë çiltërsi edhe pse për disa ngjarje, që nuk vareshin prej tij, u detyrua të sillej si diktator. Ata, që e mbështesnin këtë mendim thonë se Kromuelli asnjëherë nuk ka qenë i pasinqertë, ai kundërshtoi kurorën mbretërore dhe ishte kundër diktaturës së qëndrueshme. Gjatë pushtetit të tij kryesisht ishte i matur dhe tolerant. Si duhet vlerësuar ndikimi i përgjithshëm i Kromuellit në histori? Sido që të jetë, ai më tepër njihet si komandant i jashtëzakonshëm, si shkatërrues i forcave ruajaliste në Angli. Ky ishte suksesi i tij kryesor. Duke parë faktin se në fillimet e luftës, para se ai të vihej në krye, forcat parlamentare pësonin humbje të njëpasnjëshme, atëherë mund të thuhet se po të mos ishte Kromuelli forcat parlamentare nuk do të arrinin në fitore. Sukseset e tij sollën rivendosjen e pushtetit demokratik në Angli.

Nuk mund të thuhet me siguri, se kjo mund të ndodhte më parë ose më vonë. Në shekullin XVII pjesa më e madhe e Evropës lëvizte drejt rrugës së absolutizmit. Fitorja e demokracisë në Angli ishte ngjarja, që iu kundërvu prirjeve të përgjithshme. Shembulli i Anglisë, më vonë luajti rol të rëndësishëm në Revolucionin Francez dhe në vendosjen e regjimit demokratik në Evropën Perëndimore. Veç kësaj, nuk ka dyshim, që fitorja e forcave demokratike në Angli ka luajtur rol thelbësor edhe në vendosjen e demokracisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në kolonitë e tjera angleze, siç ishin Kanadaj dhe Australia. Edhe pse në hartën e botës Anglia është shumë e vogël, demokracia nisi aty dhe shpejt pushtoi shumë pjesë të mëdha të globit. E vendosim Oliver Kromuellin më lart se filozofin Xhon Lok, i cili ka pothuajse të njëjtat merita për forcimin e institucioneve demokratike në Angli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk është e lehtë të vlerësohet raporti i rëndësisë së Kromuellit, si njeri i veprimit, dhe i Lokut, si njeri i ideve. Por, po të marrim parasysh klimën shpirtërore në kohën e Lokut, mund të themi se ide të ngjashme me të tijat do të shfaqeshin edhe pa ekzistencën e tij; ndërsa pa Kromuellin, forcat parlamentare do ta kishin humbur luftën.

 

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Aleksandër Bell.