Ky person zbuloi se sëmundjet shkaktohen nga mikrobet

0
2675

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të njëmbëdhjetin me radhë e ka Lui Paster.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr XI

Lui Paster

           1822-1895

Kimisti dhe biologu francez, Lui Paster është figura më e njohur e historisë së mjekësisë. Pasteri ka shumë merita në zhvillimin e shkencës, por merita kryesore e tij qëndron në zbulimin e teorisë se sëmundjet shkaktohen nga mikrobet si dhe në përpunimin e teknikës për vaksinimet preventive, parandaluese.

U lind në vitin 1822 në Dol të Francës Lindore. Në shkollën e lartë në Paris, ai studio disa disiplina shkencore. Gjatë kohës kur ishte student, ai nuk shprehu ndonjë talent të veçantë. Madje, një nga profesorët e tij, nuk e vlerësoi ashtu si duhet. Megjithatë, kur mbrojti disertacionin për doktoraturë, në vitin 1847,Pasteri tregoi se profesori i tij kishte gabuar. Provat eksperimentale që kishte bërë me uthullën, vërtetuan që ai, që në moshën 26-vjeçare,paskej qenë një kimist i shquar.

Kështu, synimi i tij shkencor u përqendrua në tharmimin e uthullës, ku vërtetoi se ky proces vazhdon në forma të përcaktuara mikrogjallesash. Pasteri demonstroi gjithashtu, se ekzistenca e formave të tjera të mikrogjallesave sillnin rezultate të padëshirueshme gjatë tharmimit. Kjo ide e shpuri në mendimin, se këto mikrogjallesa dëmtonin njeriun dhe gjallesat e tjera.

Pasteri nuk  është zbuluesi i parë i teorisë se sëmundjet shkaktohen nga mikrobet.Hipoteza të ngjashme,kanë shfaqur para tij Xhirolamo Frakastoro,Fridrih Henle,etj.Por,mbrojtja energjike që i bëri Pasteri kësaj teorie,duke e argumentuar me shumë eksperimente dhe demonstrime,është faktori kryesor që siguroi vërtetësinë shkencore të kësaj teorie.

Duke menduar se mikrobet janë shkaktari i sëmundjeve, Pasteri në mënyrë logjike arriti në përfundimin, se sëmundjet mund të shërohen, në qoftë se ndalohet futja e mikrobeve në organizimin e njeriut.

Mikrobet e dëmshme hyjnë në organizmin e njeriut nëpërmjet ushqimit dhe lëngjeve. Pasteri përpunoi teknikën (e cila më vonë u quajt Pasterizëm) për zhdukjen e mikrogjallesave në lëngjet. Kur kjo teknikë zbatohet në praktikë, për shembull te qumështi, atëhere, ai pushon së qeni burim infeksionesh.

Pikërisht, për këtë arsye, Pasteri këmbënugli aq shumë për përdorimin e metodave antiseptike në mjekësi, duke ndikuar kështu edhe te Xhef Listeri,i cili zbatoi një metodë të tillë në kirugji.

Për rreth 55 vjet Pasteri iu kushtua Antraktit (plasjes),sëmundje shumë infektive te kafshët dhe gjallesat e tjera, por që kalon lehtë edhe te njeriu. Ai arriti të vërtetonte se sëmundja e Antraktit shkaktohet nga forma të përcaktuara bakteresh.

Por, më e rëndësishmja është se ai gjeti mënyrën e luftimit të mikrobit të Antraktit: Në një organizëm të gjallë ai futi bacil të dobët Antrakti,i cili provokoi një sëmundje të lehtë, por në të njëjtën kohë  ndihmoi organizmin të krijonte imunitet vetjak. Pasteri e demonstroi dukshëm efektin e imunitetit tek kafshët, gjë që shkaktoi lot gëzimi. U bë e qartë, se kjo mënyrë mund të shfrytëzohej edhe për luftimin e shumë sëmundjeve të tjera infektive.

Pasteri krijoi edhe teknikën përvaksinimin e njerëzve kundër sëmundjes së tmerrshme të Tërbimit. Pas tij, shkencëtarë të tjerë krijuan vaksina kundër sëmundjeve të ndryshme, si kundër Tifos epidemike, paralizës së fëmijëve (Poliomelitit) etj.

Pasteri, shkencëtari i jashtëzakonshëm dhe i dashuruar pas punës ka dhe një varg zbulimesh të tjera, jo aq të njohura, por me vlera të mëdha: Falë eksperimenteve të tij, është vërtetuar se organizmat nuk lindin vetvetiu. Ai zbuloi edhe shfaqjen e Anaerobisë, aftësinë e disa mikrogjallesave për të jetuar pa ajër ose pa oksigjen. Studimet e tij për sëmundjet e krimbit të mëndafshit kanë rëndësi të madhe ekonomike. Midis arritjeve të tjera është edhe krijimi i vaksinës kundër kolerës së pulave.

Pasteri vdiq në vitin 1895 pranë Parisit.

Shpesh, Pasteri krahasohet me mjekun anglez, Eduard Xheneri, që zbuloi vaksinën kundër sëmundjes së rëndë të Lisë. Edhe pse zbulimi i Xhenerit ka ndodhur 80 vjet e ca më parë, ne nuk e vlerësojmë atë më shumë, pasi vaksina e tij vepron vetëm kundër një sëmundje, ndërsa vaksinat e zbuluara nga Pasteri mund të zbatohen për të luftuar shumë sëmundje.

Nga gjysma e dytë e shekullit XIX, në pjesën më të madhe të botës, jeta mesatare e njeriut thuajse u dyfishua. Zgjatja karakteristike e jetës reflektohet shumë më thellë te njerëzit se nga çdo zbulim tjetër në gjithë historinë e gjinisë njerëzore. Shkenca bashkëkohore dhe mjekësia, si të thuash, na fali edhe një jetë tjetër. Në qoftë se kjo ishte meritë vetëm e Pasterit, nuk do të mëdysheshim për ta vënë në vend të parë. Megjithatë, arritja e Pasterit është themelore dhe pa dyshim, merita më e madhe e tij është për pakësimin e vdekjeve gjatë shekullit të kaluar. Për këtë shkak ai meriton plotësisht vendin dinjitoz në këtë libër.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, dymbëdhjetë që është Galileo Galilei.