Kuvendi: Vjosa Osmani në seancën solemne për nder të 12 Qershorit, Ditë së Paqes, ka përmendur shumë qartë kontributin e UÇK-së për lirinë e vendit

0
117

Në ekspozenë për nder të 12 Qershorit, Ditës së Paqes, kryetarja e Kuvendit, dr.Vjosa Osmani ndër të tjera theksoi:

“Po kështu, i kujtojmë sot edhe heronjtë tanë, të cilët lirinë e vendit e patën ideal jetësor, komandantin e Ushtrisë Çlirimtare, Adem Jasharin, familjen Jashari, e cila dha gjithçka për Kosovën, u sakrifikuan për lirinë e vendit, dëshmorët e heronjtë e këtij vendi, por i kujtojmë po kështu me dhimbje mbi 1.600 të pagjeturit ende, bijtë e nënë Ferdonijes e të shumë nënave të tjera, i kemi në vëmendje vuajtjet e grave që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës, i kujtojmë martirët e shumtë, përfshirë gratë, fëmijët e pleqtë, si dhe të gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi, të cilët sakrifikuan çdo gjë për lirinë e vendit të tyre; në këtë ditë të veçant e nderojmë edhe gjeneratën e deputetëve të këtij kuvendi, të cilët më 1990 e shpallën Deklaratën e Pavarësisë, aktin themeltar të shtetit të Kosovës dhe, më pas, Kushtetutën e Republikës së Parë, atë të Kaçanikut; si vullnet qytetar, i shprehur me Deklaratën e shpalljes së pavarësisë së vendit”.

Kryetarja e Kuvendit është treguar konsistente në respektimin jo vetëm të luftës së UÇK-së, por edhe ndaj të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.

Me angazhimin e kryetares Osmani, në kuadër të Kuvendit të Kosovës vlerat e luftës janë trajtuar institucionalisht dhe siç e meritojnë.

Më 17 Shkurt, për nder të ditës së pavarësisë së Kosovës është mbajtur seancë solemne. Më 7 mars të këtij vit, në kuadër të Epopesë së UÇK-së është mbajtur seancë solemne. Është mbajtur edhe një seancë tjetër kushtuar të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës. E fundit në vargun e këtyre angazhimeve është seanca e sotme e mbajtur për nder të Ditës së Paqes, respektivisht të ditës së çlirimit të Kosovës. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani do të vazhdojë respektimin e vlerave të luftës dhe të atyre që kontribuuan në çfarëdo mënyrë që vendi ynë të jetë i lirë!