Kuvendi miratoi rezolutën e propozuar nga Reshitaj, për të luftuar kancerin e gjirit

0
131

Nga Albena Reshitaj, deputete

Sot, në Kuvendin e Kosovës u miratua rezoluta të cilën e kam propozuar pas debatit parlamentar të inicuar nga ana ime javë mē parë në kuadër të angazhimeve në luftën e përbashkët kundër kancerit të gjirit.
Kjo rezolutë ka për qëllim “Senzibilizimin dhe masat që duhet të merren nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse” në luftën kundër kancerit të gjirit.
Me këtë rast dua të falenderoj të gjitha Grupet Parlamentare dhe secilin deputet per kontributin e dhënë në harmonizimin dhe miratimin e kësaj rezolute.
Tani ftoj të gjitha institucionet përgjegjëse për zbatimin e kësaj rezolute kaq të rëndësishme për të gjithë të prekurit nga kanceri i gjirit si dhe ata që kanë nevojë për shërbime profesionale nga fusha e Onkologjisë.
Më poshtë e gjeni tekstin e Rezolutës:
1. Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Shëndetësisë të ndërmarrë veprimet e duhura për të rritur numrin e personelit shëndetësor dhe atij të mesëm në Klinikën e Onkologjisë, përfshirë repartin e ri te kimioterapisë, si dhe rritjen e hapësirave të sallave onkologjike.
2. Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Shëndetësisë të sigurojë buxhet për t’i pajisur me mamograf të gjitha qendrat kryesore të mjekësisë familjare me qëllim kontrollimin në kohë reale për të gjitha ata që kanë nevojë për mamografi, si dhe të shtojë kapacitetet e personelit shëndetësor pranë këtyre qendrave.
3. Obligohet Qeveria e Kosovës që sa më parë të sjellë në Kuvend ligjin e ri për shëndetësi, me anë të cilit do të rregullohet kontrollimi i rregullt me mamografi si dhe sigurimi i mjeteve financiare për mamografi për gratë mbi moshën 40-vjeçare.
4. Ministria e Shëndetësisë të sigurojë mjaftueshëm medikamente për trajtimin e kancerit të gjirit, të bëjë përditësimin e listës esenciale bazuar në rekomandimet e onkologëve, si dhe të organizojë decentralizimin e shërbimeve shëndetësore, me theks të veçantë, shpërndarjen e medikamenteve të nevojshme.
5. Në kuadër të sistemit tonë shëndetësor të krijohet mbështetja financiare duke filluar nga diagnostifikimi, trajtimi, krijimi i protezave përbrenda klinikave adekuate si Onkologjia, Ortoprotetika, si dhe në bashkëpunim me organizatat në luftimin e kancerit të gjirit të sigurojë materialet shtesë si gjoksoret dhe perikat.
6. Ministria e Shëndetësisë të sigurojë mbështetje më të madhe psiko-sociale dhe fizioterapeutike për pacientët që trajtohen në repartet e Onkologjisë, që do të thotë shtimin e mjaftueshëm të psikologëve dhe fizioterapeutëve për t’u ofruar shërbime të gjithë atyre që kanë nevojë.
7. Institucionet shëndetësore në vend duhet të bëjnë edukimin e vazhdueshëm shëndetësor si dhe përpilimin e programeve adekuate për edukimin shëndetësor të popullatës në ndërgjegjësim dhe diagnostifikim të hershëm.
8. Të rregullohet me udhëzim administrativ që në kuadër te profesionistëve shëndetësor në kujdes parësor të lejohet shërbimi i radiologut, gjinekologut dhe pediatrit, pa e ndërlidhë me ekzistencën e maternitetit nëpër komuna.
9. Të bëhet hapja e repartit të onkologjisë në Spitalin e Pejës, dhe të shërbej si qendër referente për regjionin e Dukagjinit, ku do të gravitonin pacientët e komunës së Gjakovës, të Deçanit, të Pejës, Istogut dhe Klinës.
10. Të rregullohet me Ligj të Punës qështja që të gjithë pacientët që marrin Kimioterapi, të kenë të drejtën e pushimit me pagesë.
11. Të krijohet hapësirë ligjore për hulumtime shkencore klinike në vend, dhe të krijohet mundësia e përdorimit të terapisë më të avancuar për trajtimin e pacientëve me kancer të gjirit.