Kush ishte Shtjefën Gjeçovi?

0
2069

Shtjefën Gjeçovi, 12 korrik 1874 – 14 tetor 1929

Veprimtar i lëvizjes kombëtare, etnolog, arkeolog dhe shkrimtar, klerik françeskan, Mësues i Popullit. At Shtjefën Gjeçovi lindi në Janjevë të Kosovës më 12 korrik, të vitit 1874. Pasi kreu kolegjin françeskan në Troshan, në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896 u dorëzua prift dhe shërbeu në Pejë, Gomsiqe, Theth, Rubik etj.

Atë Shtjefën Gjeçovi përfaqësonte intelektualin erudit, i cili grumbulloi qindra gojëdhëna, përgatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore, etj. Ai ka botuar këta libra: “Jeta e shën Luçis, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit” (1904), “Mark Kuli Kryeqitas” (1905), “Agimi i qytetnis”,(1910), “Shna Ndou i Padues” (1912), “Atil Reguli” (1912), “Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark”, (1915), “Atil Reguli” (1912), “Moisi Golemi” dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933). Ndihmesën më të rëndësishme ai e dha në fushën e etnologjisë. Me një punë hulumtuese shumëvjeçare përgatiti për botim veprën madhore “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, 1933, që e bëri ë njohur në botën shkencore. Në punimet e tij bëri përpjeke t’i lidhte besimet e lashta vendase me botën trako-ilire e pellazge. Rregullat e kanunet ai i mblodhi nga goja e popullit dhe fillimisht i botoi në revistën “Hyll të Dritës”.

Shtejfën Gjeçovi luftoi kundër synimeve shkombtarizueze të serbomëdhenjve ndaj popullsisë e kulturës shqiptare. Për këto qëndrime u vra nga shovinistët serbë më 14 tetor të vitit 1929 në Zym ë Gjakovës. Ai është dekoruar me Urdhrin “Për veprimtari patriotike”, dhe me Urdhrin “Naim Frashëri” të kl. I. Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doctor honoris causa”.