Kush ishte Musine Kokalari, gruaja që trembi komunizmin

0
773

Musine Kokalari u lind më 10 Shkurt të vitit 1917 në Adana të Turqisë në gjirin e një familjeje Gjirokastrite patriotike e të etur për dije. Më 1920, së bashku me familjen u kthye në Gjirokastër. Si fëmija më i vogël i familjes, Musineja u trajtua me një dashuri e përkujdes të veçantë. Që në moshë të re, Musineja tregoi një pasion të veçantë për letërsinë në përgjithësi dhe për folklorin kombëtar në veçanti. Pasionin e saj e kultivoi veçanërisht përmes librarisë “Venus” që i vëllai i saj Vesim Kokalari zotëronte në Tiranë në mes të viteve ’30. Në periudhën 1930-1937 u shkollua në Tiranë, fillimisht në institutin “Qiriazi” e më pas në institutin e ciklit të mesëm “Nëna Mbretëreshë”.

Përgjatë vitit 1937, një sërë artikujsh të Musinesë mbi problemet sociale u publikuan në gazetën “Shtypi” nën pseudonimin “Muza”. Më 1938, Musineja nis studimet në Fakultetin e Letërsisë Moderne në universitetin “La Sapienza” në Romë. Më 1939, Musine Kokalari shkruan veprën e saj të parë profesionale letrare të titulluar “Siç më thotë nënua plakë”. Kjo vepër u publikua rreth vitit 1941 në Tiranë si një koleksion i përbërë nga dhjetë rrëfenja të frymëzuara kryesisht nga kultura popullore e zonës së Gjirokastrës dhe të kompozuar në dialektin Toskë. Në qendër të kësaj vepre qëndon figura e gruas Gjirokastrite dhe mundimet që duhet të përballeshin prej saj brenda një shoqërie thellësisht patriarkale. “Siç më thotë nënua plakë” cilësohet si vepra e parë letrare e shkruar dhe publikuar nga një grua Shqiptare në të gjithë historinë e vendit.

Gjithashtu, më 1940 Musineja arrin të botojë një fjalor Italisht-Shqip që, për fat të keq, nuk është ruajtur. Ndjesitë e përjetuara si studente në një vend të huaj të përfshirë nga lëvizja fashiste , ajo i përjetëson përmes shkrimeve në gjuhën Italiane gjatë viteve 1940-1942, në formën e një ditari të njohur me titullin “La Mia Vita Universitaria” (“Jeta ime Universitare”). Këtë shkrim të mirëfilltë letrar Musineja duket se synonte t’a publikonte fillimisht në shtetin Italian në gjuhën Italiane, qëllim që nuk pati mundësi t’a arrinte gjatë jetës së saj.  Në fillim të vitit 1942, Musine Kokalari diplomohet me rezultate të shkëlqyera, pas katër viteve të mbushura me studime e punë kërkimore.

Që nga fillimi i vitit 1942 Musineja përfshihet në lëvizjet antikomuniste dhe antifashite në Romë e me të njejtat bindje kthehet në Shqipëri. Me një vizion tashmë të zgjeruar e të pasuruar, ajo vendoset në Tiranë ku krahas punës vetjake letrare, ndërmerr dhe nisma të rëndësishme në fushën e publicistikës. Gjithashtu, përgjatë vitit 1942, emri i Musine Kokalarit përfshihet në Enciklopedinë Italiane si një shkrimtare e talentuar me potencial të lartë letrar. Si pjesë e nismës antifashiste në Shqipëri, ajo jep ndihmesën e saj në botimin e revistës “Gruaja Shqiptare” në Qershor të 1943 nën pseudonimin “Tacitta”. Në të njëjtin vit, krijohet “Partia Social Demokrate e Shqipërisë” pjesë e së cilës ishte dhe Musineja si themeluese e frymëzuese kryesore e këtij entiteti politik. Në vijëmësi të këtij projekti politik, në 1 janar të vitit 1944 Musine Kokalari bashkë me Prof. Isuf Luzi publikojnë numrin e parë të gazetës “Zëri i Lirisë” që shërbente si një gazetë zyrtare e partisë së sapothemeluar Social Demokrate.

Veprimtaria e saj si mbrojtëse e idealeve demokratike dhe patriotike përqendohet në librarinë “Venus” që zotërohej nga vëllezërit e saj. Kjo librari u kthye shpejt në një qendër ku mblidheshin dijetarë dhe dashamirës të ndryshëm të letërsisë dhe politikës që ndanin pikëpamjet progresiste të Musinesë. Përgjatë vitit 1944, Musineja shkroi një sërë studimesh gjuhësore. Në të njëjtin vit, përmes Shtëpisë së Botimit “Mesagjeritë Shqiptare” që zotërohej nga vëllezërit e saj, Musineja publikoi dy veprat e saj me titujt “Rreth Vatrës” dhe “Sa u tunt Jeta”. Këto vepra të kompozuara në formën e koleksioneve me tregime të shkurtra apo në formën e rrëfenjave folklorike u pritën mjaft mirë nga një numër i madh shkrimtarë brënda dhe jashtë vendit si dhe konfirmuan vlerat si shkrimtare të Musine Kokalarit. Gjithashtu, shkrimtarja vazhdoi punën në fushën e folklorit Shqiptar, duke arritur të mbledhë një numër të madh legjendash e rrëfenjash nga vende të ndryshme të kombit si Gjirokastra, Tepelena, Vlora, Elbasani, Korça, Shkodra dhe Shkupi.

Fatkeqësisht, kjo kohë e frytshme në rrafshin letrar për Musinenë përkonte me një kohë tragjike në rrafshin njerëzor e shoqëror në Shqipëri. Forcat komuniste Shqiptare do të synonin te monopolizonin qëndresën e bërë ndaj pushtuesve nga shumë grupe Shqiptare. Përmes forcës së armëve forcat komuniste ne Shqiperi do te nisnin një përndjekje të egër ndaj shumë intelektualëve që nuk ndanin bindjet e tyre. Ethet për marrjen e pushtetit pas mbylljes eventuale të Luftës së Dytë Botërore kishin përfshirë tashmë forcat komuniste në Shqipëri. Kudo përgjatë Tiranës dhe përgjatë Shqipërisë, intelektualë, patriot dhe opozitarë ndaj frymës komuniste vriteshin në mes të ditës dhe masakrat ndaj grupeve të tjera luftuese sa vinin dhe shtoheshin. Kjo kohë përbën dhe një tragjedi më vete për Musine Kokalarin teksa më 12 Nëntor 1944 forcat komuniste ekzekutuan dy vëllezërit e saj më të mëdhenj Vesim dhe Muntaz Kokalarin. Vëllai më i vogël, Hamit Kokalari shpëtoi vetëm për shkak se ishte i sëmurë rëndë.

Për këto bindje, që binin ndesh me qëllimet e komunistëve për një regjim diktatorial, Musine Kokalari u arrestua dy herë gjatë periudhës 13-28 Nëntor 1945. Në të njëjtin muaj, ajo përfshihet në një lëvizje intelektuale dhe politike të cilën ajo e quajti “Koalicioni Demokratik”.  Kjo lëvizje përfaqësonte të gjitha grupimet opozitare që kërkonin shtyerjen e zgjedhjeve të 2 Dhjetorit 1945 nga ku asnjë parti tjetër veç asaj  komuniste nuk ishte lejuar të regjistrohej me kandidatët dhe platformat e tyre përkatëse. Në “Koalicionin Demokratik” Musineja ishte përfaqësueja e vetme e Partisë Social Demokratike Shqiptare por njëkohësisht dhe figura kryesore e këtij koalicioni. Kështu, ajo përpilon e vetme një notë me kërkesat e forcave opozitare për shtyerjen e zgjedhjeve të 2 Dhjetorit dhe për caktimin e një date të përshtashme zgjedhjesh parlamentare ku do të mund të merrnin pjesë shumë forca politike. Kjo do të kishte bërë të mundur kështu zhvillimin e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri. Në të njëjtën notë, kërkohej që zhvillimi i këtyre zgjedhjeve pluraliste e të lira të garantohej nga forcat ndërkombëtare e në veçanti nga përfaqësuesit e qeverive Britanike dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për këtë qëllim, nota e përpiluar iu dërgua zyrtarisht përfaqësuesve të qeverive Britanike dhe Amerikane. Për fatin e keq të shoqërisë Shqiptare, projekti i “Koalicionit Demokratik” nuk u realizua. Në Janar të vitit 1946, të gjithë firmëtarët e notës së përpiluar u arrestuan. Musine Kokalari u arrestua më 23 Janar të vitit 1946 dhe iu nënshtrua torturave të vazhdueshme në qeli por refuzoi të hiqte dorë nga bindjet e saj për një sistem pluralist dhe shoqëri të lirë.

Më 2 qershor 1946, Musine Kokalari u gjykua nga komunistët përmes një proçesi gjygjësor të turpshëm e të fëlliqur. Edhe pse e kërcënuan dhe e trajtuan në mënyrë çnjerëzore, Musineja nuk e refuzoi idenë e saj mbi rëndësinë e zgjedhjeve demokratike e pluraliste. Gjatë gjyqit, ajo e shfaqi gjithë guximin e saj kur i ripërsëriti qëndrimet e saj përgjatë kohës shumë të shkurtër kur pati mundësinë të fliste. Rezistenca stoike e Musinesë gjendet e ilustruar në një mënyrë shumë fisnike në një foto të saj gjatë proçesit gjyqësor e shkrepur nga agjencia telegrafike Shqiptare.

Duke u parë si një kërcënim për regjimin totalitar, Musine Kokalari u dënua me 25 vjet burgim (nga të cilat 16 vite i kaloi në burg) si dhe me persekutim të përjetshëm. Gjatë kohës së burgut, iu nënshtrua torturave të tmerrshme e nga më të ndryshme të regjimit. Sidoqoftë, edhe torturat e vazhdueshme nuk ia ndryshuan pikëpamjet, idetë progresiste dhe qëndrimin e lartë moral. Më 1962, Musineja u transferua nga ambientet e burgut në internim në Rrëshen. Këtu u detyrua të punojë në punë të rënda ndërtimi, në kushte shumë të vështira e nën vëzhgimin e rreptë të agjentëve të sigurimit. Përndjekja e vazhdueshme dhe mungesa e kushteve më minimale ndikoi drejtpërdrejtë në aktivitetin letrar të Musinesë që u ndërpre në mënyrë brutale. Vetëm në vitin 1972, Musine Kokalari arriti të përfundonte në fshehtësi një libër të saj të titulluar “Si lindi Partia Social Demokrate” ku ajo shpjegon pikëpamjet e saj anti-komuniste dhe shpjegon alternativën e saj progresiste e demokratike. Arriti t’a ruante këtë vepër përmes një serie shkrimesh që ia dërgoi nipit të saj, Platon Kokalari nën tematikën “Të shpëtojmë sa të mundim nga vlerat morale”. Më 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer të gjirit dhe ashtu e sëmurë u refuzua e u la pa u kuruar nga trupat spitalore. Moskurimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta të kaluara nën përndjekjen komuniste i shkaktuan vdekjen në Gusht të vitit 1983. Izolimi i plotë gjatë përndjekjes i mohoi Shqiptarëve një sërë veprash që do të mund të ishin krijuar dhe publikuar nga vetë Musine Kokalari në kushte të tjera më të favorshme. Musine Kokalari përfaqëson disidenten e parë Shqiptare.