Kush ishte Hasan Prishtina? Një përmbledhje historike

0
432

“Hasan Prishtina ishte një patriot”. Kjo është përgjigjja gjysmake dhe e paplotë e shumë studentëve nga Universiteti i Prishtinës dhe atyre që mendojnë të fillojnë studimet akademike këtë vit.

Studentët janë pyetur se çfarë dinë për këtë njeri, emrin e të cilit e mbanë Universiteti më i madh në Kosovë, ata nuk patën përgjigje konkrete apo të plotë.

Në mungesë të njohurive për këtë njeri, shumica e studentëve dhe maturantëve që do të fillojnë studimet në këtë Universitet, fillonte t’i zgjohej kureshtja për këtë emër se kush ka qenë, pse nuk dinë asgjë në lidhje me të, pse Universiteti bartë  atë emër , etj.

Duke u bazuar në njohuritë e studentëve për  njeriun në fjalë, hulumtimi ka disa pika kyçe përmes të cilave mund të fitohen njohuri për  jetën e Hasan Prishtinës, veprimtarinë e tij politike , patriotike dhe kontributin e tij në arsim.

Sipas regjistrave të historisë së Prishtinës Hasan Bej Prishtina (1873-1933) lindi në Vushtrri (Kosovë) dhe ndoqi shkollën e mesme për gjuhë frënge në Selanik.

Sa i përket prejardhjes së Hasan Prishtinës, në shumë literatura historiografike është thënë se vinte nga Palaci i Mikushnicës, pastaj parardhësit e tij janë shpërngulur në Vushtrri.

Mirëpo, “saktësisht dihet se familja “Prishtina” ka prejardhje nga Drenica dhe pikërisht nga katundi Polac, por në Vustrri, siç e quante populli Vuçitërnen, erdhi nga Mikushnica, fshat afër Galicës dhe Lubovecit të grup-fshatrave të Gjytetit të Dubocit”.

Veprimtaria politike dhe patriotike e Hasan Prishtinës

«Dhe, para -së gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur jepni mendimin tuaj»

-Hasan Prishtina-

Hasan Prishtina, në kohën e Revolucionit xhonturk, përkatësisht viti 1908, nuk ishte në listë për deputet të propozuar për Parlamentin e Turqisë, kjo pasi që ai asokohe ende nuk ishte i njohur dhe me autoritet për Kosovën. Mirëpo, si një ish-personalitet i administratës së lartë perandorake, ai vepronte në përkrahje të Ismail Qemalit në Stamboll.

Hasan Prishtina u përkushtua fuqishëm në çështjen e lirisë kombëtare dhe përveç kësaj, në parlament ai foli edhe për çështje me karakter ekonomik e social. Ai madje nuk frikësohej aspak as nga dënimi me vdekje që do të mund të merrte nëse nuk ndërronte sjellje në parlament.

Aty nga fillimi i vitit 1912, Hasan Prishtina shënoi rritjen e vendosmërisë revolucionare për të siguruar liritë kombëtare shqiptare kushtetuese dhe për të ardhur deri tek pavarësimi i Shqipërisë përmes një revolucioni kombëtar demokratik në bashkëpunim me popujt e tjerë të robëruar nga turqit osmanë. Ai iu kërcënua Parlamentit të Turqisë do të ketë revolucion mbarëpopullor në perandori dhe: “Një ndër të parët që do të marrë në dorë flamurin e revolucionit, ndoshta i pari ndër të parët, do të jem unë.”

Në arkivin historik të Prishtinës, lidhur me pushtimin e Prishtinës thuhet se:

“Brenda pak ditësh, mbi 12,000 rebelë u shfaqën jashtë Prishtinës, duke u betuar se do ta merrnin qytetin qoftë me luftë o me paqe. Në mesin e tyre, forcat rebele të regjionit të Gjilanit, Kaçanikut, Prizrenit dhe Tetovës, kishin marrë Grykën e Kaçanikut dhe Caralevës dhe shqiptarët e  Prishtinës të udhëhequr nga Isa Boletini dhe Xhemajl Prishtina Beqir Agë Vushtrria, kishin mundur turqit në Llap e Gollak dha ato në Drenicë nën komandën e Zejnullah Bejt pushtuan Vushtrrinë.“

Komandanti i garnizonit të Prishtinës donte të bënte siç bëri Xhafer Tajari në Pejë, mori të gjitha masat ushtarake të kërkuara për të mbrojtur qytetin nga çdo sulm, por disa burra të guximshëm nga Prishtina e mposhtën rrezikun e luftimeve të përgjakshme duke dërguar një pistoletë në gojën e komandantit lokal në zyrën e telegrafit dhe duke e detyruar atë të nënshkruante një urdhër që ndalonte ushtrinë turke në llogore për të vendosur ndonjë kundërshtim nëse rebelët shqiptarë duhet të përpiqet të marrë qytetin.

Popullsia e qytetit i uroi mirëseardhje me entuziazëm analeve kombëtare dhe të gjithë të mëdhenj e të vegjël u bashkuan.

Kontributi i Hasan Prishtinës në arsim –

Hasan Prishtina veprimtarinë e tij e shtriu edhe në fushën e arsimit. Madje, kontributi i tij në këtë drejtim është aq i madh saqë vështië se mund t’i gjendet ndonjë shembull. Një pjesë e luftës së tij i dedikohej shkollës shqipe.

Hasan Prushtina, në pamundësi të bindjes së qeverisë turke  për t’i ndihmuar shkollat shqipe, ndau pesë përqindëshin e të ardhurave të tij dhe në një artikull që botoi në gazetën “Ikdam” kërkoi që edhe patriotët e tjerë shqiptarë të ndanin pjesë të të ardhurave të tyre për   përparim të diturisë në Shqipëri. Pesë përqindëshi i të ardhurave vjetore të Hasan Prishtinës nuk ishte i vogël. Me këto mjete ai mund të mbante nja dhjetë shkolla shqipe në Kosovë dhe t’i shkollonte.

Qeveria turke kishte tendencë për mbylljen e shkollave shqipe. Por,”shtypi i Rilindjës Kombëtare i dha publicitet të madh luftës parlamentare për shkollë shqipe të deputetëve shqiptarë dhe do të konstatojë se: “më tepër zani i Luanit të Prishtinës, Hasan Beut do ta trembi qeverinë të urdhërojë që të mos ndalohet të hapurit për shkollat t’ona”.

Kjo rihapje e shkollave shqipe është meritë e luftës së gjatë legale diplomatike të Hasan Prishtinës në Parlamentin e Turqisë.

Në rrugën e përpjekjeve të tij për arsimin kombëtar, si veprimtar përparimtar dhe me orientim properëndimor, Hasan Prishtina këmbëngulte për funksionimin dhe zbatimin e alfabetit latin, si më të përshtatshëm dhe praktik për shkrimin e gjuhës shqipe.

Hasan Prishtina kërkonte 10 mësues për mësonjëtoret shqipe në Vilajetin e Kosovës, të cilët do t`i mbante vetë, me mjetet e tij. Në një fjalim që ai mbajti në Klubin Dituria të Selanikut vuri në theks dhe u zotua se “Sado që kundërshtimet për shkronja të shenjta janë shumë të rrebta, dituria dhe e drejta e poshtërojnë padijen dhe shtrembërimin. Unë sa të rrojë do të përpiqem për diturinë edhe për atdheun e për mbrothësinë e vendit tonë”.

Përkundër represionit dhe pengesave që nxirrte ajo, Hasan Prishtina nuk u ndal, por e shfrytëzoi foltoren si deputet në parlamentin osman, që aty të ngrite zërin mbi padrejtësitë dhe mohimin e lirive e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në kuadër të Perandorisë Osmane. Në fokus të shqetësimeve të tij qëndronte vazhdimisht çështja e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe dhe zhvillimi i arsimit në frymën kombëtare. Nga procesverbalet e mbajtura gjatë seancave parlamentare dhe diskutimeve që zhvilloheshin aty, Hasan Prishtina, më 2 maj 1911, propozonte ndarjen e një kredie për hapjen e një shkolle praktike bujqësore në Vilajetin e Kosovës, me arsyetimin se ky territor përbëhej nga toka pjellore, duke vlerësuar pozitën e tij si mjaft të rëndësishme për zhvillimin bujqësor dhe ekonomik të vendit.

Përfundimisht, kontributi i Hasan Prishtinës në emancipimin kombëtar të shkollës shqipe dha rezultate konkrete dhe të pazëvendësueshme. Në përfundim, gjithkush mund të pranojë se, Hasan Prishtina mbetet një atdhetar i spikatur; se ai, si rrallëkush dallohet si mbrojtës i zjarrtë i lirisë, tërësisë territoriale dhe arsimit e gjuhës shqipe; se H. Prishtina ka parime të larta morale duke shprehur thelbin e formimit shpirtëror e moral të popullit shqiptar.

Ai u vra 13 gusht 1933 në rrugën Çimisqi- Selanik (Greqi). Atij ia morën jetën dhe kështu nuk arriti që të shohë e të përjetojë lirinë e shqiptarëve, hapjen e shkollave në çdo vend shqiptarë, hapjen e Universiteteve në gjuhën shqipe dhe shkollimin e të rinjëve.