Kush ishte Gjergj Xhuvani që ndërroi jetë dhe punoi deri në ditën e fundit

0
180

Vdekja e regjisorit Gjergj Xhuvani e tronditi mbarë opinionin publik shqiptar. Kineasti i njohur vdiq në shtëpinë e tij  në Romë nga infarkti. Xhuvani është pjesë e brezit të artistëve shqiptarë që krijuan dhe kontribuan në periudhën e demokracisë.

Por, cili është kontributi dhe jeta e ish-regjisorit të ndjerë?

Gjergj Xhuvani lindi në Tiranë në vitin 1963. Ai ishte djali i shkrimtarit të njohur Dhimitër Xhuvani, i cili u nda nga jeta 10 vite më parë. Gjergji u diplomua në Akademinë e Arteve në vitin 1986.

Për katër vite, punoi si asistent regjisor dhe në moshën 24-vjeçari drejtoi filmin e tij të parë ‘’Bardh e Zi’’ në vitin 1990, ku shkroi dhe skenarin e tij.

Xhuvani bashkëpunoi me gruan e tij Luiza Xhuvanin në disa filma të tij. Në vitin 1995, ai prodhoi filmin “Dashuria e fundit’’, ku Luiza luante rolin e një prostitute. Më pas ai prodhoi në vitin 1999 ‘’Funeral Business’’  duke kontribuar si producent dhe skenarist.

Kulmi i karrierës së tij regjizoriale erdhi në vitin 2001, kur drejtoi dhe nxori në ekran filmin e njohur ‘’Parrullat’’, një komedi-dramë nga epoka e diktaturës. Ky film bashkoi një numër aktorësh të njohur të ekranit shqiptar, si: Birçe Hasko, Agim Qirjaqi, Artur Gorishti, Luiza Xhuvani, Fadil Kujofca, Marko Bitraku, Niko Kanxheri etj. Filmi pati sukses dhe u hyri në listën e ‘’Çmimeve Oskar për Filmin më të mirë të Huaj’’ në vitin 2002, por nuk arriti të kandidohej.

Ai vazhdoi të prodhonte filma të tjerë interesantë si: I dashur armik (2004) dhe Lindje,Perëndim, Lindje (2008), ku u vlerësua pozitivisht nga kritika dhe u përfshi për herë të dytë në listën e filmave të huaj më të mirë për ‘’Çmimet Oskar’’ në vitin 2009, por sërish qëlloi i pafat.

Nga martesa e tij me Luiza Xhuvanin, ata lindën Konstandin Xhuvanin, autori i masakrës së 4 personave pranë Fakultetit Ekonomik në Tiranë në2015, krim për të cilin është dënuar me 35 vite burg.

Gjergj Xhuvani vdiq teksa po punonte për xhirimin e filmit ‘’Liqeni im’’.

Arti dhe kinematografia shqiptare humbën sot një nga figurat më të nderuara, i cili i dha dimension filmit shqiptar edhe në periudhën e vështirë të demokracisë.

Produksioni i Gjergj Xhuvanit është:

‘’Regjisor

Në kërkim të kujt – (2011) telefilm me 5 seri

Lindje, perëndim, lindje – (2008)

I dashur armik – (2004)

Parullat -(2001)

Funeral Business – (1999)

Dashuria e fundit – (1995)

Një ditë nga një jetë – (1994)

E diela e fundit – (1993)

Bardhë e zi – (1991)

Skenarist

Në kërkim të kujt – (2011) telefilm me 10 seri

I dashur armik – (2004)

Parullat -(2001)

Funeral Business – (1999)

Dashuria e fundit – (1995)

Një ditë nga një jetë – (1994)

E diela e fundit – (1993)

Bardh e zi – (1991)

Producent

Funeral Business – (1999)

Një ditë nga një jetë – (1994)

Aktor

Edhe ne luftuam – (1981) (TV).”