Kush ishte Arbën Xhaferi, rruga me emrin e të cilit u jetësua

15 gusht është data kur ai ndërroi jetë. Në vitin 2012 iku kryetari i nderit i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferi, i lindur në vitin 1948.

Shkollën fillore dhe të mesme e ka kryer në Tetovë ndërsa studimet filozofike në Beograd.

Do të vijë viti 1993 kur Arben Xhaferi do të kthehet në vendlindje, tashmë jo si analist, por si politikan ku së bashku me Menduh Thaçin themelojnë Partine Demokratike Shqiptare të cilën ai e udhëhoqi plot 12 vjet deri në vitin 2007.

Ai ishte edhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë gjatë kësaj periudhe qeverisjeje.

Do të mbahet mend si një nga mendimtarët që lexoi drejt kalendarin në të cilën jetonte dhe atë kalendar e shënoi me veprimtarinë dhe mendimin e tij që zbërthente dhe u jepte kahë proceseve në mbarë shoqërinë shqiptare.

Me kthimin në Maqedoni, në njëfarë mënyre, shqiptarëve, Xhaferi ua ktheu nderin e munguar të mendimit politik shqiptar. Ndaj edhe shumë shpjet u bë figura më e spikatur politike, e cila nga dita në ditë do merrte edhe përmasat e mendimtarit mbarëkombëtar.

Ai ia doli të kontribuojë për faktorizimin politik të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe ta përcaktojë vendin e tyre si faktor i rëndësishëm për mbarë shqiptarinë.

Duke vepruar në një Maqedoni ku përballë kishte arrogancën e politikës maqedonase, e pas vetes inferioritetin e politikës shqiptare, Xhaferi duhej të ecte drejt së ardhmes si ai që duhet të vinte baraspeshë mes ëndrrave iracionale maqedonase dhe ambicieve shumë tokësore të shqiptarëve.

Pra, ngaqë duhej të vepronte lokalisht, por duke menduar mbarëkombëtarisht, ai herë herë nuk u kuptua drejt as nga bashkëkombësit e vet në Maqedoni, e aq më pak nga maqedonasit etnike, të cilët në fillimet e veprimtarisë së tij politike, mendimin e tij e përjetonin si fatkeqësi natyrore që i ka ndodhur Maqedonisë.

E ajo që atë do e bëjë të pavdekshëm, mbase nuk janë vendimmarrjet politike, të cilat gjithsesi nuk mungojnë, por mendësia e tij, e një filozofi që gjithmonë shihte më qartë e më larg se thuajse të gjithë politikanët e tjerë shqiptarë.

Kuptohet edhe si i tillë, largpamës e me mendim të ndritur, ai nuk ka mundur ta parashikojë se do vdiste pasditen e kësaj të mërkure gushti, por gjithsesi se më qartë se cilido tjetër, i shihte rrugët e ardhmërisë ngado shkonte kjo shqiptari e copëtuar, të cilës mbase më së shumti i mungojnë njerëz vizionarë si Arbën Xhaferi.

Rruga që lidh Prishtinë e Shkupin mbanë emrin e tij, kjo autostradë tashmë u jetësua.