Kush është shqiptarja, e nominuar për “Inspirational Global Woman 2021”

0
101

Jonela Hasani, prej 20 vitesh jeton në New York. Në një intervistë për “Diaspora Shqiptare” ajo tregon se fillimet në SHBA nuk kanë qenë aspak të lehta, por sot ajo është zgjedhur nga “Global Woman Club”, si kandidate për çmimin “Inspirtation Global Women”(Gruaja Globale Frymëzuese”) e nominuar për një nga çmimet e vitit 2021. Votimet për këtë çmim vazhdojnë deri më 2 mars dhe mbështetja mbarëshqiptare nuk ka munguar për të votuar Jonela Hasanin.

Jeni nominuar për çmimin prestigjioz të “Global Woman Club”, në kategorinë “Inspirational Global Woman Award”. Gjithcka falë punës suaj me fëmijët e varfër dhe probleme të ndryshme sociale. Na tregoni pak si erdhi ky nominim dhe si e pritët ju vet?

Unë jam bërë anëtare në “Global Woman Club” që në Dhjetor të vitit 2020. Pjesëmarrja e parë ka qenë në eventin virtual “Global Woman Club/ New York” që u zhvillua më 29 Dhjetor, 2020. Një javë më vonë kam marrë pjesë në eventin virtual “Watch Me 2021 Challenge with Mirela Sula” për 5 ditë (nga data 4 deri në 9 Janar, 2021). Në këtë event unë krijova një rrjet të ngushtë me gratë të fushave të ndryshme profesionale nga e gjithe bota, ku edhe fola rreth jetës time. Më pas, kam marrë pjesë dhe në evente të tjera që “Global Woman Club” ka organizuar gjatë muajit Janar dhe Shkurt.

Më datën 16 Shkurt 2021 nga “Global Woman Club” unë mora një email që isha nominuar me cmimin “Inspirational Global Woman of the Year 2021 Award” (Gruaja Globale frymëzuese e Vitit 2021) dhe gjithashtu të marr pjesë në “Global Woman Summit 2021”. Fillimisht, e mora me sportivitet, kur e disktutova me disa miq të afert, ata më dhanë kurajo dhe më mbështetën në këtë rrugëtim. Ndihem shumë krenare dhe mirënjohëse për nominimin tim si finaliste në mesin e grave nga e tërë bota. Pjesëmarrja në këtë eveniment është krenari dhe privilegj jo vetëm për mua si individ, familjen time, të afërmëve të mi dhe rrethit tim shoqëror, por për të gjithë Femrat Shqiptare dhe Shqiptaret në Botë. Dua të shtoj, për të fituar këtë çmim prestigjoz duhet të kryet votimi. Votimi është i hapur deri në 2 Mars, 2021.

Mënyra e votimit: Në linkun këtu mund të votoni: https://voting.globalWomanlounge.com/ Duhet të votoni 1 person për çdo kategori dhe në fund të shpypni butonin “submit”, në mënyrë që vota të jetë e saktë

Përgjatë rrugëtimit tim të votimit, mbështetja e shqiptarëve nga e gjithë bota ka qenë shumë e madhe dhe e ngrohtë, ku me shumë dashuri po më mbështesin për një fitore timen për këtë çmim. Jam shumë mirënjohëse dhe falenderuese të gjithëve që po më mbështesin dhe në të njëjtën kohë ndihem e privilegjuar dhe shumë e emocionuar.

Me pjesëmarrjen time në këtë eveniment më jepet mundësia të njihem me personazhe të mëdhenj nga e gjithë bota, të profesioneve të ndryshme dhe të kem mundësinë të ndaj objektivat e mia profesioniale që unë aktualisht ushtroj.

“Global Woman Summit 2021” do të zhvillohet në datën 5-8 Mars 2021. Ky është Samiti i 5-stë i “Global Woman Club”, që do zhvillohet në Londër, në Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë Samit do të marrin pjesë personazhe të mëdhenj nga e gjithë bota të profesioneve të ndryshme që hapin gjurmët e trasformimit, fuqizimit dhe zhvillimit. Gjithashtu, me datën 8 Mars, 2021 në Ditën Ndërkombëtare të Grave në këtë Samit do të zhvillohet “Global Woman Aëard 2021” ku do vlerësohet arritja e grave nga e gjthë Bota. Qëllimi i këtij eventi është të fuqizojë gratë në nivel lokal dhe t’i lidhin ato globalisht.

Sigurisht pas këtij çmimi fshihet një rrugëtim i gjatë. Na tregoni disa detaje mbi historinë tuaj të emigrimit, kur u larguar nga Shqipëria?

Unë emigrova drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2001, duke lënë pas prindërit e mi dhe të shkoja drejt vëllait tim që jetonte në New York. Kam ardhur në vitin 2001 si emigrante me një vizë të thjeshtë si çdo emigrant tjetër shqiptar, ku kam hasur shumë vështirësi me gjuhën anglishte, me dokumentat dhe anën ekonomike. Kam patur mbështetje të ngrohtë nga vëllai im që është 6 vite më i madh se unë, që kishte ardhur 3 vite më përpara. Unë isha vetëm 19 vjeçe dhe vëllai në atë kohë ishte 25 vjeç. Ne të dy ishim shumë të rinj në moshë kur nisem një rrugëtim të panjohur të jetës tonë në Amerikë. Prindërit tanë i kishim në Tiranë, kështu që si unë dhe vëllai im e filluam jetën tonë nga fillimi, ku më shumë se kurrë na mungonte edukumi dhe ngrohtësia prindërore që na nevojitej asaj kohe.

Në vitin 2001, pa humbur kohë unë filloj një punë, merrem me procedurat e dokumentave të mia dhe futem në shkollë. Fillova punë në një dyqan lulesh që e kisha pranë me shtëpinë ku unë jetoja. Në atë kohë baza e pagesës për orë ishte $5 dollar, nëse ishe me dokumentacione. Por, për fat të keq unë nuk kisha dokumentat dhe kjo e bënte më të vështirë për të marre atë pagë aq të ulët. Kështu që unë paguhesha vetëm $3.75 për orë dhe punoja me orë të zgjatuara.

Ëndrra ime ka qenë që të bëhesha dikushi në jetë. Kjo ëndërr më ndiqte gjithmonë dhe pse nuk dija se nga t’ia filloja dhe çfarë doja të arrija. Shpresa dhe dëshira që kisha brenda meje më mbante të motivuar dhe më jepte shtytje që të merrja inisiativën e vetme për çdo gjë në jetë. Nuk mund të shmang frikën që gjithmonë më ka ndjekur në çdo hap që kam bërë dhe në çdo vendim që kam marrë. Frika, është pika ime më e fortë që më bën të dal nga vetvetja dhe të marr përsipër timonin e jetës time në dorë.

Nuk kam patur asnjë mbështeje ekonomike, prindërit i kam patur në Shqipëri dhe unë jam përballur me jetën e vështirë dhe po ashtu dhe të ashpër të New Yorkut në një moshë shumë të re. Cdo gjë që e kam arritur në jetë, është me forcat e mia, me shumë sakrificë, mundim dhe kam patur shumë netë që nuk i numëroj dot ku kam qëndruar pa gjumë, por ia kam dalë mbanë. Objektivi im përgjatë gjithë këtyre viteve ka qenë që çdo gjë që kam arritur në drejtim të jetës time profesionale të më shpërblehet një ditë.
A ishte e vështirë përshtatja për ju me një vend të huaj?

Sigurisht që fillimi ka qenë shumë i vështirë dhe besoj se për çdo emigrant fillimi është gjithmonë i vështirë. Ëndrra për të ardhur në Amerikë është ëndrra e çdokujt. Ëndërroja që do shkoja në Amerikë dhe do ti kisha të gjitha gjërat gati. Por ne fakt, kur unë erdha në New York u ndesha me një jetë dhe realitet të panjohur ku ato ëndrra që kisha mu shuajtën që në fillim.

Fillimisht u ndesha me jetën e vështirë të New Yorkut, ku më mungonte komunikimi, shoqëria dhe prindërit e mi. E vetmja mbështetje që kisha ishte vëllai im që asaj kohe ishte vetëm 25 vjeç. Më mungonte shumë mbështetja dhe ngrohtësia prindërore. Me kalimin e kohës mbas disa muajsh arrita të futem në punë dhe në shkolle dhe gradualisht fillova të ambientohesha.

Keni përfunduar studimet në New York?

Dhe pse shkollën e mesme e kisha kryer në Tiranë në gjimnazin “Ismail Qemali” në të cilin u diplomova në vitin 2000. Për arsye të gjuhës dhe dokumentave unë fillova përsëri studimet në një shkollë të mesme trasferuese e quajtur “Manhattan Comprehensive Night and Day High New York”. Diplomohem në Qershor të vitit 2003 me rrezultate të shkëlqyera gjithashtu dal në gazetën New York Times The New York Times (At School for Hardest Cases, Perseverance, Night and Day. Mbështetja morale shumë e ngrohtë e të gjithë stafit të “Manhattan Comprehensive Night and Day High School” kanë qenë një shtyes që unë të bëja një intervistë për New York Times. Sot, kam nderin të falenderoj të gjithë stafin e kësaj shkolle dhe pse kanë kaluar plot 18 vjet që nga dita ku unë u diplomova. Pa mbështetjen e tyre dhe këtij institucioni unë nuk do isha kjo që jam dhe këtu ku jam.Dalja e emrit tim në gazetën “New York Times” ka qenë dhe zanafilla e ëndrrave të mia në Amerikë ku më hapi rrugën për të filluar ëndrrën time. Kjo gazetë me ndihmoi për fillimin e procedimit të dokumentacioneve të mia gjë që ishte një arritje shumë e madhe për mua në atë kohë dhe më pas për pranimin tim në kolegj.

Pas diplomimit unë kam punuar disa punë si shitëse, por e kuptova që ëndrrat e mia nuk po më realizoheshin. Punoja shtatë ditë në javë dhe akoma nuk kisha mundësi të paguaja faturat e mia në kohë. Papritmas, kuptova se kisha nevojë për më shumë sesa një diplomë të shkollës së mesme për të arritur një karrierë. Gjithmonë kam dashur të arrija dicka, por e kam patur shumë të vështirë, sepse nuk kisha asnjë përkrahje dhe ndihmë nga askush. Më duhej të punoja 2 punë me orë të zgjatura për të plotësuar nevojat e mia personale.

Në pranverën e vitit 2004, u regjistrova në “City College of New York” si studente me kohë të pjesshme dhe jam diplomuar në vitin 2014 me degën : Shërbime Njerëzore dhe Personat me Aftësi të Kufizuara Intelektuale dhe Zhvillimore. ( City College of New York: Bachelor of Arts- Major; Human Services and Intellectual Developmental Disabilities).

Pasi kuptova që përshtatem më mirë në përqendrimin e Psikologjisë, vazhdova me pasion arsimimin tim në Master në Këshillimin Shkollor. ( Alfred University- Master in Science in Education: School Counseling).

Gjatë gjithë këtyre viteve që kur kam ardhur në Amerikë gjithmonë kam qenë në marrëdhënie pune dhe kam qenë gjithmonë një studente me kohë të pjesshme pasi më duhet të përballoja jetën time ekonomike, të pagoja çdo gjë dhe gjithashtu të ndihmoja në familje. Por asnjëherë nuk e lashë arsimin, doja të kisha një karrierë.

Si nisi puna me fëmijët dhe adoleshentët? Pse e ndjetë se duhet të bënit diçka për këtë kategori?

Në vitin 2005 vendosa të punoj në ish-shkollën e mesme transferuese “Manhattan Comprehensive Night and Day High School” ku unë u diplomova dhe aktualisht punoj dhe sot. Është një shkollë e mesme trasferuese e cila siguron arsimin për popullatë të larmishme kulturore dhe gjuhësore. Misioni i kësaj shkolle është të ndihmoj nxënësit e grupmoshave (17 deri në 21 vjeç), të cilët për arsye dhe rrethana të ndryshme arsimimi i/e tyre ka qenë i/e ndërprerë, dhe i/e mundëson atyre për të fituar diplomën e shkollës së mesme.

Si Këshilltar Udhëzuese në këtë institucion, ku 66% e popullsisë së shkollës janë imigrantë dhe që po përvetësojnë një gjuhë të re, unë me shumë dashuri dhe pasion i ndihmoj me çdo vështirësi që ato përballen në rrugëtimin e arsimit apo dhe atë të jetës së tyre jashtë këtij institucioni. Si emigrante e ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 20 vite më parë jam hasur me të gjitha vështirësitë që çdo emigrant përballet. Në sytë e nxënësve dua të shikoj vetëm sukses dhe në fytyrat e tyre vetëm buzëqeshje. Prandaj me shumë përkushtim dhe dashuri mundohem t’i jap dorën e ngrohtë, t’i kuptoj dhe të mos i gjykoj për vendimet që ata marrin, por i drejtoj dhe i përkrah në çdo vendimarrje që ata marrin për jetën.

Shkollimi dhe pozicioni im me Departamentin e Edukimit të Qytetit të New York-ut për 16 vjet, më ka lejuar të punoj shumë afër me nxënësit. Gjithashtu, më ka dhënë besueshmëri dhe përvojë që të përfshihem në mënyrë aktive në të gjitha aspektet e komunitetit shkollor. Unë i kam kushtuar jetën time fëmijëve/adoleshentëve të varfër ose fatkeq, dhe me punën dhe përkushtimin tim, unë përpiqem gjithmonë t’u hap dyert e suksesit këtyre njerëzve kaq nevojtarë me përvojën time në arsim kam frymëzuar shumë nxenes të bëhen të suksesshëm në jetën e tyre. Filozofia ime është “Çdo student mund të ketë sukses me ndihmën dhe udhëzimin e një mentori, që e sheh botën përmes syve të tyre drejt suksesit. Zemrat e tyre pasqyrojne dashuri dhe dëshirë për të ecur drejt suksesit.

Përveç aftësive të mia profesionale në fushën e edukimit, unë demonstroj një angazhim të madh ndaj Unionit. Jam anëtare në Federatën e Bashkuar të Mësuesve / United Federation of Teachers (UFT). Për më tepër, çdo vit kam qenë një pjesëmarrëse aktive duke ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjen e femrave me kancer të gjirit. Gjithashtu kam marre pjese ne shume aktivitete te lidhura me Unionin.

Gjatë karrierës time une kam marrë disa çmime gjithashtu dhe puna ime është pasqyruar në gazeta të ndryshme.

Në Prill 2019, jam nderuar me cmimin “Community Champion Aëard” nga Federata e Bashkuar e Mësuesve / Shkollave të Mesme Akademike.

Në Ceremoninë e Ditës së Unionit të Mësuesve që u mbajt më 5 Nëntor te vitit 2017 jam nderuar me “Career Advancement Aëard” dhe “Above and Beyond Aëard”.

Në qershor te vitit 2016 jam vlerësuar me cmimin “The James F. Dougherty Aëard for Excellent in Professional Counseling’ nga Center Intergrated Teacher Education ( (CITE) etj..

Keni pasur raste të trajtoni fëmijë shqiptarë?

Kam patur kënaqësi dhe krenari të punoj me shumë nxënës shqiptare nga treva të ndryshshme të Shqipërisë dhe Kosovës. Janë diplomuar dhe kanë vazhduar jetën e tyre. Më kanë bërë të ndihem shumë krenare për arritjet e tyre. Sot disa prej tyre janë martuar dhe kanë krijuar familjet e tyre, kanë mbaruar shkollën e lartë, masterin dhe kanë gjetur vetveten. Ndihem shumë mirë kur i shikoj të kompletur dhe të arritur në jetë. Ruaj marrëdhënie shumë të mira me të gjithë nxënësit dhe më kujtojnë gjithmonë. Nuk mund të lë pa përmendur disa prej tyre : Marsela Kalbaj, Denisa Kalbaj, Jutbina Kalbaj, Elton Marku, Florim Kukaj, Orgest Gjoka, Erald Gjoka, Marin Aliaj, Benard Dodaj, e shumë të tjere.

Diaspora shqiptare ju ka përkrahur në këtë nomimin, sa ju motivon ky fakt?

Të kesh përkrahje është një gjë shumë e bukur e cila për mua gjatë gjithë këtyre viteve më ka munguar dhe nuk e kam patur. Ngaqë nuk kisha asnjë përkrahje në jetë më duhet t’ia filloja nga zeroja për të arritur ku jam sot. Por i jam shumë mirënjohëse dhe falenderoj Zotin që më ka përkrahur gjithmonë dhe nuk më ka lënë vetëm. Kam patur vetëm përkrahjen e vëllait dhe u përballa me jetën vetë. I jam shumë mirënjohëse jetës time të vështire që më bëri të jem realiste të përballoj çdo gjë me forcat e mia.

Përkrahja e Diasporës për çmimin që unë jam nominuar më bën të ndihem e lumtur dhe më ka inkuajuar të pasqyroj çdo gjë që kam arritur në jetën profesionale në këtë intervistë.

Për më tepër dua të shtoj që si unë ka shumë shqiptare në botë që kanë arritur shumë gjëra në jetë dhe duhen vlerësuar. Ne jemi një komb shumë i vogël dhe kemi vlera shumë të mëdha. Shumë emigrantë kanë ndërtuar jetën e tyre në çdo kënd të botës gjithmonë drejt një objektivi të panjohur për të ndërtuar një jetë me të mire dhe gjithmonë ia kanë dalë mbanë.

Jeni e angazhuar me Diasporën në New York?

Nuk kam qenë më përpara. Aktiviteti im i parë, ka qenë një mbrëmje shumë e veçantë në Festen e 7-8 Marsit të vitit 2020, të organizuar nga Organizata e Grave Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qirjazi”, me rastin e Ditës së Mësuesit dhe Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Çfarë ju mungon më shumë nga Shqipëria?

Shqipëria për mua është vendi im ku unë jam lindur dhe rritur. Pavaresisht se jetoj në New York, me shumë nostalgji kujtoj fëmijërinë time po ashtu dhe shoqërinë time të vjetër. Jam në kontakt të vazhdueshëm me miqtë të rrethit tim familjar dhe shoqëror.

Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. /diasporashqiptare/