Kush është Shi Huang Ti, çka bëri dhe përse është në mesin e 100 personaliteteve më të shquara të historisë?

0
193

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të shtatëmbëdhjetin me radhë e ka Shi Huang Ti .

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr XVII Shi Huang Ti
259-210 p.e.s

Perandori i madh kinez, Shi Huang Ti, që udhëhoqi në periudhën 238-210 p.e.s., me fuqinë e armëve dhe me reformat që bëri, arriti ta bashkonte Kinën. Bashkimi i Kinës rreth 2200 vjet më parë, është faktori kryesor i ruajtjes së kulturës së veçantë që ajo ka. Shi Huang Ti u lind në vitin 259 p.e.s dhe vdiq në vitin 210 p.e.s. Që të kuptohet rëndësia e tij, duhen njohur së paku kushtet historike të asaj periudhe: Ai u lind në vitet e fundit të Dinastisë Çou, e cila ishte shfaqur në skenën politike kineze rreth vitit 1100 p.e.s. Por, përfaqësuesit e kësaj dinastie nuk kanë qenë të aftë për të drejtuar.Ndaj, Kina ndodhej e përçarë dhe e copëtuar në një numër të madh shtetesh të vogla feudale. Udhëheqësit e këtyre shteteve, vazhdimisht luftonin njeri me tjetrin dhe më të dobëtit dorëzoheshin më shpejt. Një nga shtetet më të fuqishme luftarake u bë shteti Çin, që ndodhej në pjesën perëndimore të Kinës. Udhëheqësit e shtetit Çin, për drejtimin e politikës së tyre shtetërore u mbështetën në idetë e shkollës legalistike filozofike të Kinës. Konfuci kishte treguar gjithashtu, se njerëzit para së gjithash duhet të udhëhiqen nga shembulli moral i udhëheqësve të mirë, por filozofë të tjerë mendonin se shumica e njerëzve ishin të pakënaqur me drejtimin e pushtetit në mënyrë të tillë, daj duheshin zbatuar ligje të ashpra.

Por, ligjet i bënin udhëheqësit dhe i ndryshonin sipas dëshirës, vetëm e vetëm për të forcuar pushtetin e tyre politik. Është e vërtetë, se për shkak të ekzistencës së këtyre ligjeve, të pozitës gjeografike më të përshtatshme dhe për shkak të aftësisë së udhëheqësve të vet, Çini u bë shteti më i fuqishëm ndërmjet shteteve të tjera, pikërisht në kohën e lindjes së Çengut, që ishte emri i Shi Huang Ti-së. Ai u ul në fronin mbretëror në vitin 246 p.e.s., duke treguar aftësi të reja luftarake dhe duke vazhduar luftën kundër shteteve të tjera feudale. Në vitin 221 p,e,s, ra edhe shteti i fundit dhe Çengu u bë mbreti i tërë Kinës.

Për të vënë në dukje shkëputjen nga e kaluara, ai u mbiquajt Shi Huang Ti, që do të thotë “Perandor i Parë”Menjëherë pas kësaj, Shi Huang Tija filloi nga reformat e rëndësishme: Për të shmangur përçarjet e mundshme, që kishin sjellë fundin e Dinastisë Çou dhe të monarkive të saj, ai mori masa të rëndësishme për përmbysjen e sistemit feudal në udhëheqje. Në aspektin feudal në udhëheqje. Në aspektin terriotrial shtetin e ndau në 36 provinca, ku në krye të secilës vuri udhëheqës civilë, funksioni i të cilëve nuk ishte trashëgues. Pas kësaj ,ndoqi praktikën e qarkullimit: udhëheqësit qarkullonin nga një provincë në tjetrën, me qëllim që të pengoheshin synimet ambicioze të ndonjërit prej tyre për pushtetin absolut. Krahas kësaj, çdo provincë kishte edhe udhëheqësin e vet ushtarak, që vendosej dhe ndryshohej nga Perandori. Si drejtpeshues i udhëheqësit civil me atë ushtarak, ishte personi i tretë, përfaqësuesi i lartë mbretëror. Shi Huang Ti-ja ndërtoi edhe një rrjetë të gjerë rrugësh, që lidhte qendrën me provincat, gjë që mundësonte edhe ndërhyrjen e shpejtë të ushtrisë mbretërore në raste kryengritjesh. Shi Huang Ti-ja kreu reforma edhe në tregti duke vënë sistem rregullash të njëjta në të gjithë Kinën: ai njësoi monedhën , ndoqi me zell ndërtimin e rrugëve dhe kanaleve dhe ç’është më e rëndësishmja, në gjithë Kinën vuri sistem të njëjtë dhe norma për gjuhën e shkruar. Njolla më e zezë e këtij perandori është dekreti i shpallur në vitin 213 p.e.s., me anën e të cilit urdhëronte djegjen e të gjitha librave, përveç atyre të fushës së bujqësisë, mjekësisë, të karakterit historik si dhe ato që bënin fjalë për shtetin Çin dhe filozofinë legaliste. Ndërsa veprat e shkollave të tjera filozofike, përfshirë këtu edhe ato të konfucizmit, duheshin të zhdukeshin. Me këtë akt dragonian, shembulli i parë i censurës në historinë njerëzore, Shin Huang Ti donte të ndalonte ndikimin e shkollave kundërshatre filozofike të tij dhe veçanërisht të konfucizmit.Megjithatë, në bibliotekën qendrore të Perandorisë, urdhëroi që të ruheshin kopje të librave të ndaluar.

Edhe në politikën e jashtme, Shi Huang Ti u tregua mjaft aktiv; pushtoi një numër të madh vendesh e rajonesh në jug, të cilat ia aneksoi territorit të Kinës. Ndërsa në veri e perëndim, megjithëse ushtritë e tij i fituan luftërat, ai nuk arriti të nënshtronte popullsitë e këtyre vendeve. Për të penguar ndërhyrjet e tyre në Kinë, Shi Huang Ti, filloi të lidhte muret e ndara në kufirin verior të Kinës, duke krijuar kështu murin gjigjant, Murin e Madh Kinez, objekt, që u ka rezistuar të gjitha tundimeve të kohës . Për shkak të shpenzimeve të shumta që kishte bërë si për luftërat e zhvilluara ashtu dhe me ndërtimet e ndryshme, Perandori filloi të humbiste besimin e madh që kishte në popull. Por, me organizimin diktatorial që kishte kryer, praktikisht kryengritjet ishin të pamundura. U bënë disa përpjekje për ta vrarë, por dolën të pasuksesshme. Shi Huang Ti vdiq në vitin 210 p.e.s., nga vdekje natyrore. Vendin e tij e zuri i biri , Er Shi Huang Ti. Por, ai nuk pati aftësinëe të atit: Shpejt shpërthyen kryengritjet dhe pas katër vjetësh ai u vra. Oborri mbretëror dhe bibloteka u dogjën, ndërsa Dinastia Çin mbaroi së ekzistuari.

Megjithatë,vepra e Shi Huang Ti-së mbeti . Kinezët e përshëndetën fundin e tiranisë. Të paktë ishin ata, që kërkuan kthimin prapa në anarkinë e epokës së shkuar. Dinastia e re Han, vazhdoi rrugët bazë të sistemit administrativ të lëna nga Shi Huang Tija. Kështu, pas kësaj, gjatë 21 shekujve, Perandoria Kineze vepronte sipas organizimit të Shi Huang Ti-së. Ligjet e ashpra, që e kishte vënë ai, u erdhën për mbarë edhe perandorëve pasardhës, si atyre të Dinastisë Han ndërsa, përballë kësaj, e tërë filozofia burokratike legaliste u zëvendësua nga konfucizmi, që u bë filozofia zyrtare shtetërore. Arritjet kulturore e politike të Shi Huang Ti-së mbetën të paprekura. Roli i madh i Shi Huang Ti-së për Kinën dhe për gjithë botën është i dukshëm. Perëndimi gjithnjë ka parë me frikë përmasat e mëdha të Kinës.Megjithatë, gjatë gjithë historisë së vet, Kina nuk ka qenë kurrë më e populluar se Evropa. Ndryshimi qëndron në atë, që Evropa vazhdimisht është krijuar nga shtete të vogla, ndërsa Kina, gjithnjë ka qenë një shtet i madh. Kështu, që ndryshimi ka prejardhje politike e sociale dhe jo gjeografike. Pengesat e brendshme, për shembull malet, në Kinë janë të njëjta si ato të Evropës. Bashkimi i Kinës nuk është vetëm meritë e Shi Huang Ti-së sepse edhe personalitete të tjera, si:Suj Ven Ti etj. ,kanë luajtur rol kryesor në këtë bashkim. Megjithatë, asnjëherë nuk vihet në dyshim roli i madh që ka luajtur Shi Huang Ti-ja për këtë. Veprimtaria e Shi Huang Ti-së nuk do të dilte e plotë, në qoftë se nuk përmendet shkëlqesia e tij, kryeministri Li Sy. Ndikimi i tij në politikën e Perandorisë Kineze ka qenë aq thelbësor, sa që është vështirë të bëhen dallimet midis meritave të njërit apo tjetrit për shndërrimet e mëdha në Kinë. Në vend që ta bëjmë këtë ,të gjitha meritat për shndërrimet e mëdha në Kinë, ia përkushtojmë Shi Huang Tisë, sepse me gjithë këshillat e Li Sy-së, në fund të fundit, vendimin e merrte Perandori. Për shkak të djegies së librave, shumica e autorëve konfucian të mëvonshëm, Shi Huang Ti-në e kanë quajtur negativ. Ata e kanë quajtur despot të mbushur me paragjykime, të rrezikshëm dhe jo shumë të talentuar. Veç kësaj, e kanë quajtur edhe si udhëheqës joligjor. Nga ana tjetër, komunistët kinezë e lartësojnë si mendimtar e udhëheqës përparimtar. Autorë të Perëndimit, ngandonjëherë, Shi Huang Ti-në e krahasojnë me Napoleonin. Por , mund të jetë më e udhës, që të krahasohet me Oktavian Augustin, themeluesin e Perandorisë Romake. Të dy ata krijuan perandori të ngjashme për nga territori dhe popullsia. Ndryshimi qëndron, se: Perandoria Romake nuk e ruajti gjatë tërësinë territoriale të saj, ndërsa Kina dhe sot ka mbetur me atë tërësi territoriale, prandaj Shi Huang Ti-ja, vendoset në libër në një rang më të lartë se Oktavian Augusti.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.
Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.
Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Oktavian Augusti.