Kush është Konfuci, çka bëri dhe përse është në mesin e 100 personaliteteve të historisë

0
2590

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të pestin me radhë e ka Konfucin.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit

Nr V 

Konfuci

            551-479 p.e.s

Filozofi i njohur kinez, Konfuci, është i pari që me dijet e tij sintetizoi bazat e arsyetimit të popullit kinez. Filozofia e tij mbështetet në moralin dhe arsyetimin vetjak: qeveritarët duhet t’i shërbejnë popullit duke dhënë shembullin vetjak.

Kjo filozofi ka ekzistuar në jetën dhe kulturën kineze në më tepër se dymijë vjet më parë dhe ka ndikuar te shumë  njerëz të botës.

Konfuci është lindur rreth vitit 551 p.e.s në qendrën e vogël Lu, pjesë e territorit që sot bie në provincën e Shantungut në veri të Kinës. I ati i vdiq kur ai ishte ende i vogël dhe filozofi i ardhshëm jetoi me të ëmën  në mjerim. Në vitet e rinisë punoi si nëpunës i ulët, por më vonë u largua nga ajo detyrë dhe në 16 vjetët e mëvonshme filloi të predikonte dijet e veta duke tërhequr gjithnjë e më shumë ithtarë.

Në moshën 50 vjeçare I dhanë një funksion të lartë shtetëror në Lu.Pas katër vjetësh,

armiqtë e tij të oborrit, jo vetëm e shkarkuan nga detyra, por edhe e burgosën. Në 13 vjetët e mëvonshme ai u bë  mësues shëtitës dhe predikues.

Pas kësaj, u kthye në vendlindje, ku kaloi pesë vitet e fundit të jetës. Vdiq në 479 p.e.s., Konfucin e kanë vlerësuar si themelues të fesë, por kjo nuk është e saktë.

Ai, pothuajse asnjëherë nuk është deklaruar pas ndonjë feje, nuk ka folur për jetën përtej varrit dhe nuk ka pranuar asnjë formë pikëpamjeje metafizike. Në të vërtetë, ai është filozof botëror me interesa të mëdha për moralin vetjak dhe politik, për sjelljen morale.

Sipas Konfucit, dy janë veçoritë kryesore, që përcaktojnë sjelljen e njeriut, Jen dhe Li.

Ngandonjëherë Jen përkthehet “besnikëri” dhe “dashuri”, por më saktë mund të thuhet “meraku shpirtëror për të afërmit”.

Ndërsa Li në vetvete përmban sjelljen njerëzore, ritualin fetar, zakonet, etikën dhe korrektësinë.

Respekti ndaj të moshuarve, veçori themelore e kinezëve që para Konfucit, nga konfucizmi është forcuar në mënyrë të veçantë me besnikërinë dhe respektin e fëmijëve ndaj prindërve. Konfuci gjithashtu thoshte, që gratë duhet t’i respektojnë burrat dhe t’u binden atyre ashtu si shtetasit udhëheqjes. Mendimtari kinez nuk e pranonte tiraninë. Ai besonte në ekzistencën e shtetit për të mirën e popullit dhe ekzistencën e popullit për të; udhëheqësit duhet të drejtojnë me shembullin e tyre moral dhe jo me forcë. Një nga maksimat e tij është një variant i së Drejtës së Artë: “Atë, që nuk do të ta bëjnë të tjerët, mos ua bëj ti atyre”.

Arsyetimi bazë i Konfucit është tejet konservator. Ai besonte se epoka e artë prej kohësh kishte mbaruar dhe u bënte thirrje pushtetarëve dhe shtetasve që të kthenin vështrimin nga normat e vjetra dhe të mirat morale. Në të vërtetë, idetë e tij për të drejtuar shtetin me shembullin moral nuk gjetën zbatim të gjerë në të shkuarën, por në këtë aspekt ai ishte novator më i madh nga ç’mund ta mendonte edhe vetë.

Konfuci jetoi në kohën e Dinastisë Çou, periudhë e ideve të mëdha intelektuale në Kinë. Udhëheqësit e atëhershëm nuk i pranuan mesazhet e tij, megjithatë, pas vdekjes, ato u përhapën në të gjithë vendin. Ditë të zeza për konfucizmin erdhën në vitin 221 p.e.s. kur pushtetin e mori Dinastia Çin. Mbreti i parë i kësaj dinastie, Shi Huant Ti, vendosi ta çrrënjoste ndikimin konfucian për shkëputjen nga e kaluara.

Ai urdhëroi të dënoheshin idetë e Konfucit dhe të digjeshin të gjithë librat e tij. Kjo përpjekje për reprezalje praktikisht nuk pati sukses. Pas disa vitesh, kur erdhi fundi i Dinastisë Çin, studiuesit e Konfucit, për së dyti arritën lirisht  të predikonin doktrinën e tyre.Me ardhjen në pushtet të Dinastisë Han, viti 206 p.e.s., konfucizmi u bë filozofi kryesore në shtetin kinez.

Në kohën e Dinastisë Han, mbretërit kinezë i zgjidhnin nënpunësit shtetërorë me anën e provimeve të veçanta. Konfucizmi u njoh si filozofi klasike. Me synimin për t’u ngjitur në hierarkinë shtetërore, që ishte rruga drejt pasurimit dhe prestigjit në Perandorinë Kineze, në provimet për nëpunës shtetërore paraqiteshin shumë kandidatë . Ja përse breza të tërë të rinjsh nga më inteligjentët dhe më ambiciozët e studionin Konfucin dhe në shekuj me radhë e tërë administrate shtetërore e Kinës u mbush më nëpunës, që e shikonin botë nëpërmjet filozofisë së Konfucit. Ai sistem qëndroi (me shkëputje të njohura) rreth 2000 vjet, që nga viti 100.p.e.s. deri në vitin 1900.Po konfucizmi nuk ishte filozofia zyrtare e administratës shtetërore kineze.

Idetë e tij janë zbatuar nga pjesa më e madhe e popullit kinez dhe gjatë 2000 vjetëve kanë patur ndikim të thellë lidhur me subjektin e tyre dhe mënyrën e të menduarit.

Konfuci ndikoi aq shumë te kinezët për disa arsye, si: së pari, cilësitë vetjake, si:çiltërsia, sinqeriteti dhe ndershmëria ishin veti të rëndësishme të tij; Së dyti, ai ishte praktik dhe i matur dhe nuk kërkonte gjëra të pamundura nga ithtarët e vet.

Kur u bë fisnik nuk pranoi të quhej shenjtor.

Me këto sjellje dhe të tjera si këto, Konfuci u bë personifikimi i normave morale të sjelljes së popullit kinez.

Pikërisht, këtu gjendet çelësi i suksesit të madh të ideve të tij në Kinë. Konfuci nuk kërkonte nga kinezët që të ndërronin bindjet e tyre themelore. Ai, praktikisht përsëriste në një formë të qartë dhe të besueshme idealet themelore e tradicionalte të tyre. Pothuajse nuk ka filozof të dytë  në histori që të jetë i lidhur aq shumë me pikëpamjet fondamentale të bashkatdhetarëve të vet.

Konfucizmi, që këmbëngulte më shumë në detyrat sesa në të drejtat e individit, mund të kuptohet me vështirësi dhe të mos pranohet normat e  sotme perëndimore. Megjithatë, si filozofi shtetërore, në praktikë ai ka patur frytshmëri të jashtëzakonshme.

Për aspektin e ruajtjes së paqes së brendshme dhe përparimit, vihet re se gjatë 2000 vjetëve, Kina ka qenë pak a shumë shteti i qeverisur më mirë në botë.

Rrënjët e thella të kulturës kineze, idealet e Konfucit nuk kanë gjetur përhapje të gjerë jashtë kufijve të Azisë Lindore.Ato kanë patur ndikim të fuqishëm veçanërisht në Kore dhe Japoni,dy shtete me ndikim të madh të kulturës kineze.

Në kohërat tona, konfucizmi në Kinë është në rënie. Duke synuar shkëputjen nga e kaluara, komunistët kinezë e sulmojnë energjjikisht Konfucin dhe doktrinat e tij. Në këtë aspekt, mund të shihet edhe fundi i periudhës së ndikimit të tij në historinë kineze.

Megjithatë ,duke ditur rrënjët thella të idealeve të Konfucit, nuk do të jetë e papritur, në qoftë se në të ardhmen në Kinë do të lindë përsëri konfucizmi.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, i gjashti që është Shën Pavli.