Kurti: Vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe institucionale, angazhimin politik për liri dhe pavarësi të presidentit Rugova

0
44

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh të varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, me rastin e 12-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12 të Shpalljes së Pavarësisë kujtojmë presidentin e parë të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, të zgjedhur me votë popullore, me 24 maj të vitit 1992”, deklaroi kryeministri Kurti para gazetarëve.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha po ashtu se një dekadë më vonë, më 4 mars të vitit 2002 në Kuvendin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, rizgjidhet sërish president i Kosovës, kësaj radhe president i parë në Kosovën e çliruar.

“Në një ditë si kjo, ne vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe institucionale, angazhimin politik për liri dhe pavarësi. U preftë i qetë dhe në paqe”, përfundoi kryeministri Kurti, për të vazhduar homazhet edhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.