Kurti vizitoi komunat e Malishevës, Prizrenit dhe Dragashit

0
47

Vizitat për informim më të detajuar për menaxhimin e situatës pas shpërndarjes së virusit Corona në vendin tonë, kryeministri në detyrë Albin Kurti i vazhdoi sot në komunat e Malishevës, Prizrenit dhe në atë multietnike të Dragashit.

Në komunën e Malishevës, vendin më të prekur nga virusi Corona, Kryeministri ishte i shoqëruar me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, z. Arben Vitia dhe ministren në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, znj. Emilija Redzepi. Si çdo qytetar ashtu edhe qeveria e vendit është e brengosur me numrin e të prekurve në komunën e Malishevës. Vdekja e mbrëmshme e 66 -vjeçares e bëri edhe më të rëndë këtë situatë. Ky virus nuk ka këmbë. Ai mund të lëvizë vetëm nëse ecim ne. Prandaj, është i domosdoshëm qëndrimi në shtëpi e i paarsyeshëm dalja nëpër rrugë.

Nga aty, kryeministri në detyrë Kurti së bashku me ministren në detyrë znj. Redzepi shkuan në takim të kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka. Fat i mirë në këtë komunë është numri më i vogël i të prekurve dhe se menaxhimi i karantinës e i shpërndarjes së ndihmave po bëhet suksesshëm e pa pengesa. Këto ditë duhet të rritet kujdesi dhe përcjellja kur qytetarët i frekuentojnë marketet e furrat e bukës. Të hollat metalike kanë mundësi të madhe të përcjelljes së virusit. Andaj duhet të bëhet pastrimi i duarve deri në 30 sekonda. Karrocat e shportat të dezinfektohen disa herë gjatë ditës dhe pas shkuarjes në shtëpi të bëhet dush.

Gjatë kohës së lëvizjes, si qeveri ju lusim që vetëm një anëtar i familjes t’i bëjë blerjet e nevojshme për shtëpi dhe posa të futet në shtëpi të pastrohet. Rreziku është i madh, prandaj edhe duhet të jemi në nivelin e përgjegjësisë institucionale e qytetare.

Komunën e fundit të cilën e vizituan sot ishte ajo multietnike e Dragashit, ku u pritën nga Kryetari i Komunës, z. Shaban Shabani. Aty u bashkua edhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Besian Mustafa. Si qeveri në detyrë jemi të vetëdijshëm që po futemi në një kohë të rëndësishme për prodhuesit tanë, sidomos ata të bujqësisë ku masat e ndërmarra nga qeveria mund të kenë penguar prodhimin e produkteve. Por të gjithë këtë jemi duke e bërë për të shpëtuar jetë njerëzish. Dragashi ka aq shumë mërgimtarë sa mund të thuhet se është edhe një Dragash jashtë tij. Shqetësimi për familjarët është i madh, por këtë situatë nuk e kemi zgjedhur ne. Neve na gëzon fakti që në këtë komunë nuk asnjë të prekur e shpresojmë se do të jetë kështu deri në fund.