Kurti: Terminali i vjetër i aeroportit të Prishtinës do të funksionalizohet në terminal doganor të shtetit të Kosovës

0
256

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, z. Besnik Bislimi, sot vizitoi terminalin e vjetër të aeroportit të Prishtinës, ku u prit nga U.D. Drejtori i Doganave, z. Ibrahim Xhaka dhe Drejtori i Operacioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, z. Gökmen Aritay. Më pastaj, Kryeministri në detyrë vazhdoi vizitën për në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, ku mbajti një takim pune me Drejtorin e Operacioneve, z. Gökmen Aritay dhe stafin e lartë menaxhues.

Gjatë vizitës në terminalin e vjetër të aeroportit të Prishtinës, Kryeministri në detyrë dhe ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve shprehën interesimin që brenda një kohe shumë të shkurtë kjo hapësirë të funksionalizohet në terminal doganor të shtetit të Kosovës. Terminali i vjetër i aeroportit të Prishtinës, i cili është i pashfrytëzuar për tash e 7 vite, ka një hapësirë prej 2500 m2 me infrastrukturë të gatshme e cila është e përshtatshme për terminal doganor për regjionin e Prishtinës. Në këtë mënyrë i ndihmojmë kompanive private të cilat iu nënshtrohen tarifave të larta në terminale doganore private, terminale doganore private këto të cilat po ashtu privojnë arkën tonë shtetërore nga një shumë e konsiderueshme e të hyrave.

Kurse gjatë vizitës dhe takimit të punës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Ademi Jashari” Kryeministri në detyrë Kurti, ministri në detyrë Bislimi dhe stafi i lartë menaxhues i aeroportit diskutuan për mundësinë dhe përgatitjet e nevojshme për rihapjen e aeroportit për udhëtarë. Aty po ashtu u diskutua edhe për mundësitë e reja që mund të na ofrohen pas përfundimit të pandemisë në hapjen e linjave të reja dhe bashkëpunimin me kompani ajrore ndërkombëtare.