Kurti takohet me ambasdorin turk, flasin për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem

0
89

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka takuar ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Ambasadori Sakar uroi Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve teksa theksoi se Turqia është e interesuar të thelloj bashkëpunimin me qeverinë në ardhje, njofton Klan Kosova.

“Sot, Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për deputete, Fitore Pacolli dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj, në zyret e Lëvizjes priti Ambasadorin e Turqisë, z. Çağri Sakar, dhe sekretaren e dytë të ambasadës, znj. Dilara Köseoğlu”.

“Ambasadori uroi Kryetarin Kurti për rezultatin e zgjedhjeve duke theksuar se ai dhe Turqia janë të interesuar të thellojnë bashkëpunimin me qeverinë në ardhje”.

Kurti me Sakar bisedoi edhe rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem.

“Kryetari Kurti e falendëroi Ambasadorin për vizitën, si dhe për letrën e urimit nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Kryeministri në ardhje, Kurti e informoi Ambasadorin për prioritetet e qeverisë së tij dhe potencoi se në raport me Turqinë do të fokusohemi në shtimin e marrëdhënieve tona bilaterale, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik”.

“Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje” thuhet në njoftimin e LVV-së.

Në fund Kurti dhe Sakar u dakorduan që porsa të formohen institucionet e reja të legjislaturës së tetë do të vazhdojmë bashkëpunimin në mes të dy vendeve tona mike.