Kurti ka vizituar Ministrinë e Mbrojtjes

0
40

Këtë paradite, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, z. Besnik Bislimi, vizituan Ministrinë e Mbrojtjes, ku takuan ministrin në detyrë, z. Anton Çuni, zëvendësministrin, z. Enver Dugolli, Komandantin e FSK-së, gjeneral-lejtnant, Rrahman Rama dhe ushtruesin e detyrës së Sekretarit, z. Faruk Gecin.

Fillimisht vizituan Ministrinë ku të gjithë diskutuan gjerë e gjatë për avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me misionin dhe detyrat sipas ligjeve të aprovuara në Parlamentin e Kosovës. Përgatitja sa më e mirë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, është elementi kyç i ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon. Shteti i Kosovës dhe FSK-ja nuk kanë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rrugën e ndërtimit dhe forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse. Projektet e shumta të përbashkëta me ShBA-të dhe ushtrinë e saj, që nga përgatitja dhe shkollimi i oficerëve dhe nënoficerëve, deri te ato kapitale si pajisje me armatim, janë përcaktim yni strategjik dhe nuk do ndalen për asnjë moment.

Qeveria në detyrë e Kosovës, edhe në këtë kohë krize me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19, do të përkrahë pa rezervë projektet e planifikuara nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, duke qenë falënderues edhe ndaj partnerëve tanë strategjik për angazhimin dhe përkushtimin e tyre të sinqertë. Kryeministri në detyrë Kurti, vizitoi edhe Qendrën Operative të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së ku u njoftua për masat dhe veprimet e marra për luftimin e virusit Corona dhe për kontrollimin e tërë hapësirës administrative të Republikës sonë.

FSK-ja vazhdon edhe më tutje me gjendjen e gatishmërisë së nivelit 2, duke qenë gjithmonë e gatshme të mbështesë autoritetet civile të vendit në përballje me pandeminë COVID-19 dhe nevojat tjera.