Kurti: Është detyrë e jona të zhvillojmë shtetin nga brenda e ta forcojmë atë nga jashtë

0
56

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në shënim të 17 Shkurtit, 12 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, bashkë me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe kabinetin qeveritar ka vizituar Forcën e Sigurisë se Kosovës.

Para të pranishmëve të shumtë, ambasadorë të akredituar në Kosovë, ushtarakë, familje të dëshmorëve, kryeministri Kurti, duke e cilësuar të rëndësishme këtë ditë, tha se uniforma juaj është mishërimi i sakrificës tonë kombëtare dhe i krenarisë e aspiratave qytetare e njerëzore.

“Pa ushtri e pa mbrojtje jemi të dobët e të pambrojtur. Prandaj, ne mburremi për shërbimin tuaj. Sakrifica që ju bëni dhe trajnimet që ju kaloni janë të vështira, por qëllimi që ju keni është fisnik”, tha kryeministri Kurti.

 

Poashtu, kryeministri Kurti tha se do të punojmë që të ndërtojmë aleanca të reja e të avancojmë sa më shpejtë anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Anëtarësimi në NATO është prioritet, prandaj edhe investimet në Forcën e Sigurisë janë të domosdoshme që të bëhemi partnerë të denjë. Integrimi në Bashkimin Evropian është rrugë e gjatë dhe e mundimshme, por rrugë që na forcon. Reformat që ne duhet të bëjmë janë reforma që ne na duhen për të zhvilluar shtetin e së drejtës, zhvillimin e vendit dhe barazinë në popullsi”, tha kryeministri Kurti.

 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti

 

I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama,

Të nderuar ushtarë, kadetë, personel dhe veteranë,

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

E nderuara kryetare e Kuvendit, znj. Vjosa Osmani,

I nderuari ministër i Mbrojtjes, z. Anton Çuni

Të nderuar ministra,

Të dashura familje të dëshmorëve dhe martirëve të kombit,

Të dashur veprimtarë, e të nderuar të pranishëm,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë, e diplomatë ndërkombëtar ,

 

 

Është kënaqësi të jem me ju sot në këtë ditë të rëndësishme për shtetin tonë. Më lejoni që në emër të qytetarëve të ju falënderoj secilin prej jush dhe të gjithëve bashkë për shërbimin që i bëni vendit dhe për patriotizmin tuaj.

Të gjithë ne që marrim poste dhe pozita publike jemi në shërbim të qytetarëve në çdo kohë dhe gjatë gjithë kohës.

Me votën e tyre qytetarët e Republikës kanë deleguar besimin te ne që të udhëheqim me politikat e punësimit e të zhvillimit ekonomik, të drejtësisë dhe të drejtave, të edukimit e të shëndetësisë, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Por, mbi ju bie detyra e rëndë dhe e shenjtë e mbrojtjes së vendit, detyrë të cilën ju e bëni me përkushtim dhe dashuri.

Uniforma juaj është mishërimi i sakrificës tonë kombëtare dhe i krenarisë e aspiratave qytetare e njerëzore.

Pa ushtri e pa mbrojtje jemi të dobët e të pambrojtur. Prandaj, ne mburremi për shërbimin tuaj.

Sakrifica që ju bëni dhe trajnimet që ju kaloni janë të vështira, por qëllimi që ju keni është fisnik. Çdo mëngjes ju zgjoheni herët kur të tjerët flenë, rregulloni shtratin, pastroni dhomat, shkëlqeni këpucët e stërviteni me orë të tëra nën diellin përvëlues, në acarin e dimrit, në shi e në baltë.

Stërvitjet janë të mundimshme sa shpeshherë ju bëjnë të dyshoni tek vetja nëse mund t’ia dilni, por muajt e vitet kalojnë e ju bëheni më të fortë, më të disiplinuar e më të përgatitur sepse zemra ju rreh fortë për atdhe.

Unë dua të ju falënderoj edhe për misionin e suksesshëm që keni pasur në nëntorin e kaluar në ndihmë vëllezërve dhe motrave tona në Shqipëri në një kohë kur ata kishin shumë nevoje për ju.

I keni bërë krenar të gjithë qytetarët dhe keni lartësuar vendin.

Ne të gjithë mund dhe duhet të mësojmë nga disiplina e ushtarit, nga përkushtimi në punë e profesion dhe nga dashuria e madhe për t’i shërbyer vendit.

Vetëmohimi, përulja, sakrifica, devotshmërinë në punë, dashuria e pa kusht për vendin, pa përfitim e pa lavdi personale janë virtyte e vlera që duhet t’i posedojmë secili nga ne.

Prandaj edhe do ta bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm, sepse përvoja dhe mësimet e fituara gjatë shërbimit ushtarak na duhen për t’u përballur edhe me betejat e paqes.

Shërbimin e detyrueshëm ushtarak nuk e bëjmë sepse kemi ambicie për të pushtuar apo për të sulmuar. Ne jemi popull paqedashës dhe liridashës. Ne asnjëherë nuk kemi pushtuar dhe okupuar toka të huaja ose robëruar popuj të tjerë, por kemi mbrojtur dhe do të mbrojmë çdoherë çdo cep të vendit tonë.

Pikërisht sepse jemi popull liridashës ne duam të jemi në gjendje të mbrojmë lirinë dhe paqen tonë.

Vendet demokratike në gjithë botën duan paqe dhe punojnë përditë që paqja të jetë e qëndrueshme dhe e përhershme, e megjithatë investojnë në ushtri, trajnime dhe pajisje të reja ushtarake.

Investimet në ushtri dhe në mbrojtje nuk bëhen sepse duam luftë, por sepse nuk duam që lufta të vijë te ne. Ne vetëm se duam sepse duhet të jemi në gjendje të mbrojmë vetveten.

Ne investojmë në mbrojtje sepse e keqja ekziston në botë; investojmë sepse ata që duan të na bëjnë keq ekzistojnë.

Në një vend të varfër sikurse Kosova, ushtria njëmend është e kushtueshme, prandaj edhe me shumë të drejtë disa mund të pyesin se përse kemi zgjedhur të rrisim investimet në ushtri?

Natyrisht nuk ka një përgjigje të thjeshtë, kjo pyetje është e vështirë për secilin vend demokratik. Por investimi në mbrojte është njohje e realitetit në të cilin jetojmë e me të cilin rrethohemi, një realitet të cilin nuk guxojmë ta mohojmë apo të bëhemi naiv se është më mirë se sa që ai na shfaqet.

Natyrisht, është detyrë e jona të zhvillojmë shtetin nga brenda e ta forcojmë atë nga jashtë, ashtu siç është detyrë e jona që të punojmë dhe forcojmë paqen në rajonin tonë në mënyrë që të mos ketë nevojë për përdorimin e forcës asnjëherë.

Por, ne duhet të përballemi me botën ashtu siç është e çdoherë e gjithmonë duke punuar për ta bërë atë ashtu siç duam ne që ajo të jetë.

E them këtë duke qenë i vetëdijshëm që jetojmë në një rajon ku paqja ende është e brishtë. 20 vjet kanë kaluar dhe ende askush nuk ka marrë përgjegjësi për gjenocidin, masakrat, vrasjet masive, përdhunimet e plaçkitjet që i kanë ndodhur popullit tonë. Për më keq, të njëjtët që dikur tentuan të na shfarosin, sot mohojnë ekzistencën tonë, mohojnë të drejtën tonë për të jetuar të lirë e të pavarur.

Prandaj, nuk mund të bëhemi naiv e të pretendojmë se paqja që kemi është e qëndrueshme dhe e garantuar përderisa agresori jo vetëm nuk kërkon falje për krimet, por kërkon të kthehet në kohë për të ndryshuar realitetin, për të na ngushtuar e për të na shkurtuar.

Përgjigja jonë duhet të jetë në forcimin e shtetit. Më shumë shtet e më pak pushtet.

Ne mund të përballojmë polarizimet në politika të brendshme. Në fund të fundit ne kemi mendime dhe besime të ndryshme sepse jemi njerëz të ndryshëm dhe kur përpiqemi të argumentojmë se cilat ide ndihmojnë jetën e qytetarit më mirë, atëherë qytetari përfiton, veçse e njëjta nuk mund të thuhet për politikën e jashtme.

Nuk mund të kemi përfaqësues, të zgjedhur apo të emëruar të popullit të cilët minojnë njëri tjetrin, që flasin ndryshe nga çka ka votuar populli duke çuar mesazhe konfrontimi. Demokracia jonë është parlamentare ku populli zgjedh përfaqësuesit e tij për të zgjedhur Qeverinë. Pra, fuqia qëndron tek populli, populli është burimi i sovranitetit, i cili me votën e lirë vendos se kush duhet të flas në emër të tij.

Ne e dobësojmë shtetin tona sa herë që vendosim vetën para interesave të popullit e ndryshe nga çka voton populli.

Si përfaqësues të shtetit ne duhet të jemi unik në politikën e jashtme. Unë do të kërkoj këtë unitet përkundër dallimeve që kemi. Ne të gjithë kemi në zemër interesat më të mirë për shtetin dhe qytetarët tanë, prandaj dallimet e brendshme duhet të mbeten brenda.

Ne do të punojmë shumë dhe pa u ndalur që të forcojmë shtetin edhe nga brenda edhe nga jashtë.

Prandaj edhe kemi zgjedhur që të rrisim investimet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kemi vendos ta ngrisim Forcën dhe Sigurinë e vendit tonë.

Koha kur monopolet për kompaninë ishin më të rëndësishme se investimet për ushtrinë ka kaluar.

E derisa forcojmë ushtrinë duhet të forcojmë ekonominë. Pavarësia dhe liria që gëzojmë nuk duhet të punoj vetëm për disa por për të gjithë e sidomos për ata që kanë më së paku.

Pavarësia nuk duhet të pasurojë politikanët por popullin; nuk duhet të forcojë individët por shtetin, sepse, në fund të fundit, suksesi jonë matet me aftësitë tona për të ruajtur dhe garantuar vlerat më bazike të demokracisë: lirinë e fjalës dhe garantimin e votës së lirë; sigurinë për të punuar e për të jetuar, të drejtën për ujë e ajër të pastër, të drejtën për shkollim e shërim, për pronë dhe për privatësi.

Janë këto vlera për të cilat ne të gjithë rrezikojmë jetët tona për t’i mbrojtur ato.

Pavarësia dhe liria nuk kanë kuptim pa drejtësi. Pabarazia shoqërore, varfëria, korrupsioni i lartë e krimi i organizuar janë kërcënim i vazhdueshëm për demokracinë tonë sepse e gërryejnë atë nga brenda, kurse mungesa e sigurisë dhe e mbrojtjes na kërcënojnë nga jashtë.

Prandaj do të punojmë që të forcojmë ekonominë dhe të ndajmë mirëqenien, duke e kuptuar sa shumë kjo është e lidhur me mbrojtjen dhe sigurinë tonë.

Do të punojmë që të ndërtojmë aleanca të reja e të avancojmë sa më shpejtë anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Anëtarësimi në NATO është prioritet, prandaj edhe investimet në Forcën e Sigurisë janë të domosdoshme që të bëhemi partnerë të denjë.

Integrimi në Bashkimin Evropian është rrugë e gjatë dhe e mundimshme, por rrugë që na forcon. Reformat që ne duhet të bëjmë janë reforma që ne na duhen për të zhvilluar shtetin e së drejtës, zhvillimin e vendit dhe barazinë në popullsi.

 

Atdheu është i yni, vendi është i yni, ne jemi në rrugë të drejtë sepse jemi në të drejtën tonë.

Mjaft kemi vuajtur, mjaft kemi humbur tash është koha të fitojmë.

Le të festojmë me dinjitet e me integritet, me ndjenjën e krenarisë për atë që kemi arritur e me ndjenjën e përgjegjësisë për atë që duhet të arrijmë.

 

Të ndihmojmë e të ngremë lart njëri tjetrin në punë të mira, e të distancohemi nga keqbërësit.

Le t’ia shtrijmë dorën njëri tjetrit në politikë, në institucione e në shoqëri, dorën edhe të pajtimit edhe të bashkëpunimit, sepse bashkimi është ai që na lartëson, bashkimi është ai që na siguron.

 

Natyrisht, në këtë ditë ka një listë të gjatë të atyre që duhet t’iu falënderohemi:
Së pari dua të falënderoj burrat dhe gratë, djemtë e vajzat e vendit tonë që kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre dhe japin edhe sot çdo ditë për ta bërë shtetin tonë më të fortë e popullin tonë më të sigurt.

Profesorë, mësues e studentë, mjekë, veteranë të luftës çlirimtare, familje të dëshmorëve e martirëve, intelektualë e mërgimtarë, bujq, të punësuar, edhe ata të papunë.

 

Pa Ushtrinë Çlirimtare, çlirimi do të vonohej e pa NATO-n do të vonohej fitorja.

Prandaj dua të falënderoj Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë, Turqinë dhe të gjitha shtetet anëtare të NATO-s që na kanë ndihmuar në çlirimin e vendit.

Urime dita e pavarësisë të gjithë juve këtu dhe të gjithë qytetarëve të Republikës tonë.