Kurti dhe Osmani të koordinuar për dialogun me Serbinë

Dialogun politik me Serbinë do ta udhëheqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke u këshilluar me presidenten, Vjosa Osmanin, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai ka theksuar se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2019, e ka bërë të qartë se kush udhëheq me këtë proces, transmeton Klan Kosova.

“Natyrisht, kryeministri këtë do ta bëjë duke u këshilluar dhe koordinuar me presidenten dhe duke ndërtuar konsensus nacional e shtetëror në lidhje me dialogun. Kryeministri ka deklaruar disa herë tashmë se do të kërkojë konsensus dhe debat deri në shterim me opozitën për çështje kapitale për vendin dhe dialogu me Serbinë është ndër çështjet kryesore ku do të kërkohet konsensus”, u shpreh Kryeziu.

Sipas vendimit të vitit 2019, të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria e Kosovës është bartësja e procesit të dialogut me Serbinë.

Pas zgjedhjes së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit si dhe kompletimit të institucioneve të larta të vendit me përbërjen e re, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, partnerët perëndimorë të Kosovës janë duke insistuar për rinisjen e dialogut të saj me Serbinë në Bruksel, shkruan Radio Evropa e Lirë.