Kurti bashkë më këshilltarin e tij mbajtën konferencë për medie

0
52

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot konferencë të përbashkët për medie me këshilltarin e tij politik, Shkëlzen Gashin.

Përmes kësaj konference, kryeministri në detyrë Kurti, ka sqaruar thirrjen për intervistim të z. Gashi nga ana e Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë, e që kishte të bënte lidhur me një postim në rrjete sociale, por që siç tha ai, më pastaj është hequr dorë nga një thirrje e tillë.

Ndërkaq, Shkëlzen Gashi, këshilltar politik i kryeministrit Kurti ka dhënë detaje për ftesën e Policisë së Kosovës dhe të Prokurorisë Themelore, për postimin e disa ditëve më parë dhe se çfarë kishte nënkuptuar me fjalën rezistencë të cilën e kishte shkruar në postimin e tij.

Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Kryeministrit në detyrë Kurti:

Të nderuar gazetarë, ju faleminderit që keni ardhur edhe njëherë në këtë konferencë për media këtu te kryeministria.

Siç mund të shihni aktivisti dhe këshilltari Shkëlzen Gashi nuk ndodhet në këto çaste as në ndonjë podrum të errët të Policisë e as në ndonjë zyre të ngushtë të Prokurorisë, pra ai është këtu në kryeministri.

Për sot ka pasur një ftesë për t’u intervistuar lidhur me një postim në rrjetet sociale dhe më pastaj është hequr dorë nga një thirrje e tillë.

Unë pa humbur kohë po ia kaloj fjalën këshilltarit politik në Kryeministri, zotëri Shkëlzen Gashit.

Fjala e plotë e këshilltarit politik të Kryeministrit, Shkëlzen Gashi:

Mirëdita krejtve, faleminderit shumë Kryeministër,

Qysh edhe ju informoi Kryeministri dhe qysh edhe jeni informuar dje, unë më 19 prill të vitit 2020, ka qenë e diel, pas postimit të ambasadorit Richard Grenell dhe postimit të presidentit Hashim Thaçi, unë kam bërë një status në facebook që e kam titulluar “ Ne do të rezistojmë”.

Po e lexoj statusin krejt, ndoshta është me rëndësi. “Këta po duan të pranojnë shkëmbim territorial; komuna të reja me shumicë serbe e asociacion të tyre; si dhe eksterritorialitet për kishat e manastiret ortodokse në Kosovë. Nuk do të ketë njohje të Kosovës nga Serbia e as anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Këta do të marrin amnisti për pasurim të paligjshëm për gati dy dekada në kurriz të qytetarëve të Kosovës dhe amnisti nga Gjykata Speciale.

NE DO TË REZISTOJMË”, ky ka qenë statusi, për fat të mirë menjëherë një qytetare ma ka shtruar një pyetje përfundi këtij statusi. Kush do të rezistojë, ndaj kujt dhe si? Kjo është pyetja.

Përgjigja jem ka qenë kështu: Do të rezistojmë ne, qytetarët e pa kënaqur të Kosovës, kundër “partive politike” që po tentojnë ta shtrembërojnë në mënyrë kundërkushtetuese dhe kundërligjore vullnetin e qytetarëve të Kosovës nga zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor 2019.

Po ashtu do të rezistojmë edhe kundër cenimit të integritetit territorial dhe rregullimit të brendshëm kushtetues të Kosovës. Për fund, natyrisht do të rezistojmë paqësisht. Më vjen shumë keq nëse ju keni pritur rezistencë tjetërfare prej meje. Por unë jam lexues i pasionuar i Gene Sharp dhe hulumtues i rrymave të rezistencës paqësore në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar.

Dje, rreth orës 13, kam marrë një thirrje telefonike nga policia e Kosovës, përkatësisht prej policit hetues, Ali Berisha i cili më ka kërkuar që të paraqitem menjëherë në Polici për shkak se ka një rast për mua për kanosje dhe unë e kam pyetur se kënd e kam kanosur, përgjigja e tij ka qenë se përmes një statusi në facebook keni bërë thirrje për rezistencë dhe duhet të vini në polici.

I kam thënë që nuk mundem të vij tash në Polici sepse në ora 14 kisha një takim me kryeministrin e Kosovës, atëherë ai më tha që duhet nesër në ora 10 me u paraqit. Unë i kërkova që ftesën për paraqitje në polici me emrin e policit hetues, me arsyen pse po më ftojnë dhe me emrin e prokurorit që ishte Sebahate Selimi, të m’i dërgojnë të shtypura dhe brenda 10 minutash m’i kanë dërguar në adresën time në shtëpi.

Sapo e kam marr ftesën, e kam postuar në rrjetin social dhe pastaj është publikuar pothuajse në të gjitha portalet në vend.

Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi në media jam kontaktuar diku në mbrëmje rreth orës shtatë, jam kontaktuar prej kabinetit të kryeprokurorit dhe më kanë thënë që e kanë parë rastin dhe e kanë kuptuar që ky rast nuk përbën kurrfarë vepre penale.

Ata menjëherë e kanë kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe kanë kërkuar prej Prokurorisë Themelore që me mbyll këtë rast sepse kjo nuk paraqet kurrfarë vepre penale.

Unë besoj, shpresoj dhe kërkoj që Kryeprokurori i Kosovës ka me iniciuar procedurë disiplinore dhe me ndërmarrë masa disiplinore ndaj policit hetues Ali Berisha dhe ndaj prokurores Nebahate Selimi.

Edhe një gjë desha ta them për fund, kjo është shkelje shumë e rëndë e të drejtave themelore të njeriut, siç është liria e shprehjes e cila është e garantuar me krejt ligjet, me Kushtetutën e Kosovës dhe me krejt konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilat për fat të mirë janë pjesë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Dhe për fund, unë jam i informuar që Këshilli i Evropës si institucioni më i rëndësishëm në Evropë, e ndoshta edhe më gjerë për të drejtat e njeriut ka bërë investime të jashtëzakonshme për trajnimin e prokurorëve të Kosovës se si duhet me i trajtu, rastet e lirisë së shprehjes dhe jam shumë i zhgënjyer që ky investim si duket nuk ka pasur sa duhet sukses. Faleminderit.