“Kur depresioni buzëqesh, edhe psikiatër si unë mund të mashtrohen”

0
148

Në jetën time të përditshme, kur shoh dikë që duket i lumtur, kam pritshmëri që ata ndihen ashtu. Nuk e mendoj shumë – është një refleks. Shikoj rastësisht një fytyrë të qeshur dhe sigurohem se gjithçka është në rregull. Duhet një përpjekje e vetëdijshme për t’i kujtuar vetes një fakt që psikiatrit e dinë shumë mirë, por mbase duhet ta njohin më shumë: një sjellje e lumtur mund të jetë tepër mashtruese.

Koncepti i depresionit “të lumtur” është i njohur në art dhe jetë, me shembuj që variojnë nga Pagliaccio te Robin Williams. Duket e çuditshme të mendosh se njerëzit mund të jenë shumë në depresion – me të gjitha simptomat e tmerrshme – megjithatë arrijnë ta fshehin këtë, ndonjëherë edhe nga familja. A është depresioni i tyre i vërtetë, sepse ata arrijnë të shkojnë në punë, të buzëqeshin, madje edhe të bëjnë shaka? Mendoj se po. Mund të vijë një moment kur edhe depresioni i lumtur do të zbulohet dhe nuk do të jenë në gjendje ta ruajnë fasadën për shumë gjatë.

Por, a do të thotë kjo se ata vuajnë më pak kur buzëqeshin? Jo: në fakt, kjo paraqitje, pesha e një ndjenje të gabuar përgjegjësie ndaj të tjerëve, mund të jetë një nga aspektet më të rënda të shëndetit mendor.

E gjithë kjo është e rëndësishme për psikiatrit, sepse ne kalojmë shumë kohë duke vlerësuar rrezikun. Unë nuk kam asnjë argument me këtë, pasi natyrisht ne duam t’i shpëtojmë njerëzit nga dëmtimi i vetvetes dhe, shumë më rrallë, nga lëndimi i të tjerëve. Vlerësimi i rrezikut nuk është një shkencë e saktë dhe mund të duhet të jemi tepër të kujdesshëm. Ndonjëherë, pavarësisht përpjekjeve tona më të mira, e kemi gabim.

Problemi është se vlerësimi i rrezikut bëhet kryesor dhe mund të jetë qëllimi kryesor i kontaktit me pacientët. Asnjë profesionist shëndetësor nuk dëshiron të mbajë barrën e rëndë të vdekjes, e komplikuar ndoshta nga një hetim dhe frikë nga humbja e jetesës. Kjo nuk është vetëm dëshira për të qenë larg telasheve. Ne nuk i harrojmë njerëzit që vdesin; ne mund të mos e përjetojmë dhimbjen njësoj me familjarët e tyre, por gjithmonë do të ketë keqardhje dhe trishtim.

Kur mësova për çrregullimin depresiv, dëgjova për melankolinë. Kam lexuar që njerëzit ngadalësohen, duken të trishtuar ose bosh. Ata flasin në heshtje, shpesh me boshllëqe. Ndonjëherë janë të shqetësuar. Gjumi i tyre është me shqetësime, mezi hanë dhe mendimet janë të errëta. Të gjithë i kemi parë këta njerëz dhe ata shpesh janë shumë keq. Por, çfarë ndodh me depresivët e qeshur?

Mund të jetë më e komplikuar për të vlerësuar rrezikun e tyre: një qasje e ngurtë mund të bëjë që psikiatri të besojë se është në rregull. Por një bisedë më e gjerë, mund të zbulojë më shumë. Është thjesht e vështirë për psikiatrin, me kohë të kufizuar, ta arrijë atë.

Nga përvoja ime personale them sigurisht që ajo që shihni nuk është gjithmonë ajo që ekziston vërtet. Ndihem në depresion para se paraqitja ime të duket e tillë. Dhe në atë kohë, nëse them se kam depresion, përgjigjja do të jetë: Epo, ti dukesh mirë, dukesh vërtet mirë. Unë e di që njerëzit duan që unë të jem mirë dhe se në shumicën e rasteve nuk është më shumë se kaq, por është shumë e vështirë. Më vonë, mund të mos ndihem keq dhe të më thuhet “dukesh tmerr” thjesht sepse nuk kam vendosur grim. As kjo nuk është për t’u duartrokitur.

Prandaj, kini kujdes nga siguria e rreme e buzëqeshjes. Pamja është më pak e dobishme si një mjet diagnostikues nga çfarë është besuar më parë. Në kohën kur shëndeti mendor është i qartë nga jashtë, ndoshta është vërtet shumë keq. Mësimi, për psikiatrit dhe për të gjithë ne? Dëgjoni njerëzit! Dëgjoni çfarë thonë ata. Mund të jenë duke thënë diçka që fytyra e tyre nuk mund ta shprehë.

– Shkruar për Guardian nga Rebecca Lawrence, eksperte e konsulencës psikiatrike.