Kujtojmë Ganimete Xhylanin, luftoi bashkë me Rasim Kiçinën

0
409

Ganimete Xhylani u lind në fshatin Baicë të Drenasit, më 6 prill të vitit 1979. Ajo ishte fëmija i katërt i prindërve, Azem dhe Emine Xhylani dhe kishte tre vëllezër e tri motra: Bashkimin, Blerimin, Beratin, Mihrien, Burbuqen dhe Ibadeten.

Arsimin fillor, Ganimetja e kishte kryer në shkollën fillore “Migjeni” të Baicës, ndërsa ishte nxënëse e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, të Drenasit kur filloi lufta çlirimtare dhe u bë thirrja për bashkim të popullit në këtë luftë.

Ganimetes i ishte fiksuar dëshira për t’iu bashkuar luftëtarëve të lirisë. Këtë dëshirë, në një ditë pranvere, ajo ua kishte përcjellë prindërve të saj nëpërmjet luftëtarit çlirimtar dhe eprorit të UÇK-së, njëherësh edhe bashkëfshatarit, Rasim Kiçina (dëshmor), i cili kishte për mision edhe rekrutimin e pjesëtarëve të rinj të UÇK-së, me qëllim të masivizimit të saj.

Pas pëlqimit të prindërve që ajo të angazhohej në luftë, Ganimetja fillimisht u sistemua në pikën ushtarake në Vasilevë të Drenasit, pastaj në Nekoc dhe në muajin e fundit në Açarevë të Skenderajt. E veshur me uniformë me ngjyrë të zezë, ajo po kryente detyrën e polices ushtarake.

Herë pas here Ganimetja po i vizitonte prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes, në shtëpi, ku njëkohësisht po shfrytëzonte rastin ta afirmonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e saj për liri, duke rrëfyer për trimërinë dhe heroizmin e të rinjve e të rejave në ballë të luftës.

Për herë të fundit, ajo e kishte vizituar familjen e vet tri ditë para se të binte në altarin e lirisë, të premten e 21 gushtit të vitit 1998. E përmalluar për ngrohtësinë e vatrës së saj familjare, asaj radhe ajo kishte shkelur çdo skutë të oborrit, me plot vullnet, gjallëri e krenari atdhetare. Pas po i shkonte e ëma, Eminja, me kureshtjen që ta dëgjonte prej saj ndonjë fjalë lidhur me angazhimin në frontin e luftës, që të kuptonte nëse po e kishte të rëndë apo nëse po përjetonte frikë gjatë luftimeve.

Kur ajo e kishte pyetur nëse po frikësohej nga granatimet dhe luftimet, Ganimetja ishte përgjigjur: – Qe besa hiç, asnjë fije!

Pasditen e 21 gushtit, Ganimetja ishte larguar nga shtëpia dhe së bashku me luftëtarin emblematik të UÇK-së, Rasim Kiçina, ishin nisur drejt Açarevës, ku e prisnin detyrat ushtarake. Atë e kishte përcjellë e ëma, së cilës, në ndarje, Ganimetja ia lë premtimin se do të rikthehej sërish të hënën tjetër. Mirëpo, pas dy ditësh, të dielën e 23 gushtit, forcat pushtuese serbe ndërmarrin ofensivë të ashpër granatimesh, e pastaj edhe me armë të tjera kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Açarevë.

Zjarri i luftës kishte vazhduar gjatë tërë ditës, gjatë të cilit, predhat e snajperit serb e kishin përshkuar pjesën e majtë të kraharorit të trimes Ganimete Xhylani.

Lajmin për rënien e Ganimetes dhe trupin e saj, në mesnatën e 23 gushtit, në familjen e dëshmores e kishin sjellë bashkëluftëtarët. Të nesërmen, më 24 gusht 1998, u organizua ceremonia e varrimit në fshatin e lindjes, Baicë.