Kuçi premtoi përkrahje për Komunën e Vitisë për problemin e ujit të pijës

0
51

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka vizituar sot Komunën e Vitisë, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti.

Me drejtorët komunalë dhe stafin e tij, kryetari Haliti e falënderoi ministrin Kuçi për përkrahje në projektin e rregullimit të shtratit të lumit “Morava e Binçës”. Megjithatë, para ministrit u paraqiten edhe disa halle që kërkojnë zgjidhje.

Uji i pijes ishte temë diskutimi që mori kohën më të madhe të takimit, pasi Komuna e Vitisë ka nevojë për një investim të shpejtë, që qytetarët të mos kenë më këtë problem.

“Biseduam për një projekt që e kemi në vijim e që është rregullimi i shtratit të lumit “Morava”, e që normalisht se do ta përkrahim.

Biseduam edhe për projektet që kanë të bëjnë me ujë të pijshëm, që kryetari e potencoi por që ka mbetur që së bashku me ‘Hidromoravën’ dhe me partnerë tjerë ta gjejmë një zgjidhje që t’i fillojmë procedurat. Bisëduam edhe për trajtimin e ujrave të zeza”, tha ministri Kuçi.

Në këtë takim gjithashtu u shqyrtua edhe mundësia e një projekti për trajtimin e ujërave të zeza, për çka edhe do të shihet mundësia e realizimit në vijim.

Ministri Kuçi dhe kryetari Haliti vizituan punimet në lumin “Morava e Binçës” në dy zona, brenda dhe në periferi të qytetit.