“Ku ishit ju, kur nderi im humbte?!”

0
1332

Nga Egzon Kryeziu

Ndoshta jane ba kater vjet prej qe e kam shkru kete, e du po aq sa heren e pare qe e kam vnu n’leter. E di, ma nuk di t’shkruj kaq bukur, prandaj edhe kam hequr dore!
Ballkoni em ka pasun 37 shufra t’metalta n’kangjellat e tij, t’lyeme me bojë t’zezë, pa shkëlqim. I shtruem ka ken me pllaka keramike me siperfaqe t’vrazhdë. Pa e njehun rendin e fundit-anash murit, kan ken’ 137 pllaka t’vendosuna pa mjeshtri.
Prej atij ballkoni kam muejt me pa’ 93 dritare, 32 oxhaqe, nji copë qiell dhe hanën, natën.
E kam matun shpesh-herë, 21 kambë i gjat’ e 7 i gjân. I naltë sa dy herë un’, e un kam ken 2 pllâmbë mâ i naltë se kangjellat.
Ne jemi kanë familje e vogël, e lezetshme. Babai em ka punue si sharraxhi, njerëzit e kanë njohun si puntor i vyem, ka pasun pak gjâna ama i dashun e zemërgjân.
N’ditëlindjen e shtatë, kah fundi i shtatorit qe hera e fundit që pashë at’ dashuni për mrena shpisë.
At’ ditë Nâna m’dhuroi nji fletore me kopertina t’trasha, ka kenë ngjyrë bezhë, me shkronja t’imta qosheve.
Veç sa kisha fillue klasën e dytë dhe shkrim e lexim dija mjaftë mirë. N’ato revistat që na falnin n’shkollë pata lexue dikund se nji fletore si ajo mund t’ishte nji ditarë, n’ t’cilin mundesh me shkrue çdo gjâ që ndjen përmbrenda. Idenë se ç’âsht ditari e pata kuptue po at’ ditë, kur n’dollapin ngjyrë kafe-mbrapa teshave pata gjetun nji fletore t’mbështjellun me nji pëlhurë blu. Sipër kopertinave qe e shkrueme “Ditar i vonuem” dhe dy inciale : N.H. Kam hapun faqet e para, dy t’parat ishin bosh, n’ t’tretën qe e shkrueme “Për mue që mbaj sekrete”. Ai ishte ditari i Nânës, i shkruem me shkrim pa shije që s’arrija me lexue.
Ditarin nuk e fsheha aty ku e gjeta, e lash mbi shtrat, nër jorgan në dhomën e prindërve.
At’ natë me t’u errun, Babai erdhi n’shpi, i lodhun si perhere ama i qeshun. -M’kishte ble nji top Golfi, nji nderresë me figura dhe nji fotografi tonën si familje e kish futun n’kornizë.
M’puthi, m’tha se sa i ngjaja, mandej m’kërkoi t’ i’a thonja se sa e doja. Ishim t’lumtun, Mbasi që fika qirinjët e ditëlindjes, thash dëshirat, ata m’vunë n’gjumë, më puthën dhe ikën.
Po at’natë, me dritë t’llambës shkrova mbi kopertinat e fletorës që m’fali Nâna “Ditari i askujt”, se di pse, ashtu m’erdhi n’menje.
-Un at’here s’arrija me kuptue se ç’bâhej n’dhomën e Prindêrve ku ata bânin zhurmë. Veç nji here i pata shikue për vrime t’çelsit. Ishin t’mbuluem me çarçafë, luanin me njani-tjetrin dhe lëshonin zâna që për mue s’thonin asgjâ. Edhe at’ natë bânin zhurmë…për mua, luanin.
E nesëmja ishte ndryshe…
Babai s’kishte shkue n’punë, e Nâna kishte fëtyrën e mavijosun, flokë t’shprishuna. Ishte e mbështetun për muri dhe qante. Asnjani nuk m’shihte n’sy. Veç babai m’pa me mllef e m’shau keqas.
U trishtova at’ mëngjes.
Veç mbasi pashë Nânën me kujdes, vërejta që gjakoste n’dorën e djathtë dhe kish pizhamet e shkyeme. Për here t’parë shihja aso’lloj skenash, që më vonë mu bân t’çdo ditshme.
-Me t’shpejtë shkova për tek dhoma e Prindërve, atje ku ish zhvillue beteja. Qe rrëmujë, gjithçka ishte kthye mbrapsht, perdet ishin shkulun, dollapat e rrxuem, çarçafët ishin hudhun tutje, veç fletorja që tash ish pa pëlhurën blu rrinte për tokë, e hapun e me pika gjaku mbi fletat e bardha.
Vjedha ditarin e Nânës për herë t’dytë, e fsheha poshtë pizhamave që t’mos e vinte re. Hyra n’dhomën me ballkon dhe arrita me e deshifrue faqen e katërt, tjerat ishin bosh si jeta e asaj grue qe per mue ishte nane e mire.
N’pak rreshta zbulova sekretin e saj, sekreti i saj, isha unë.
-E mbaj mend mirë se ç’shkruhej n’at faqe.
” N.H.
Ç’âsht faji i nji gruaje si un’,që e lidhun kâmb e duer s’mundet me ndalue rrugën e nji sperme çetniku mbrenda saj. Ata që do m’fyejnë mbasi t’ken kuptue për mue, do i thoja ku ishit ju që s’më ndihmuet. Ku ishit ju kur mbrenda meje u ngjiz nji qenie e pafajshme ?
Për mue që mbaj sekretin e “pa ndershmërisë”, sekret që m’mbytë sa here shoh tim bir, dhe e di që âsht i imi dhe i askujt tjetër. Ai u ngjiz n’errësirën kur ju ikët, kujtojeni. Un’ gënjeva kur thash se u fsheha e s’më gjetën ata që ju frikësoheshit prej tynen, Gënjeja kur m’shikonit t’gzueme, gënjeva kur thash se im bir i ngjante tim burri.
Un’ do vazhdoj me gënjye deri at’here kur do më shfaqet kjo qe mbaj permbrenda.
Pastaj ju qê m’deshët do më urreni, ju që m’vlersuet, do m’fyeni. E di që do m’gozhdoni, do m’thoni lavire, e përdalun, por ama m’thuani veç nji fjalë: Ku ishit ju, kur nderi im humbte?!”
Kaq kishte.
At’mëngjes kam kuptue veç nji fjale “biri i askujt”, por nuk qava. Morra fotografinë që nji natë më parë mu dhurue, doja t’gjeja me çdo kusht ngjajshmëritë me at’ që e njihja si Baba. Nuk e kisha shikue kurr vetën ashtu n’detaje, vëreja: mollëzat e daluna, buzë t’holla, sy t’kaltër…
Un’ që deri dje i ngjaja t’dyve, at ditë isha Biri i askujt…
Çdo natë mbas asaj dite Nâna vdiste nga pak.
-Kur ndigoja t’shamet e goditjet e atij që për mue s’ishte ma Baba, mbyllnja veshët me duer, mallkoja zotin pse ekzistoja.
Tân ato muhabete mu duknin zhurma që s’ngjanin mâ me zânat që lshonin dikur… Nâna mbas asaj nate flinte me mue. Sa here rrijna çuet deri n’mengjes e shihja shenjat n’fëtyrë. Dikur ajo grue e bukur, me sy t’çelun e me vetulla t’ngrituna, ish rrudhun n’ më pak se gjysëm vjeti.
Asaj bashk me me mue na ishin rrudhun zemrat…
Un’ ende vazhdoj me u çu heret me plot ankth, ende vazhdoj me e mbulue kryet me jastëk mbasi t’i kem çel sytë, ngase ende kam n’mendje gjith ato mëngjese që i kam perjetue ashtu. Kur ai, t’cilit nuk i thash kurre ma baba, vinte e godiste derën fort e mandej kapte për flokë nânën.
Shpesh qaja, n’fakt qaj ende.
Ne t’dy që flinim n’dhomën me ballkon, ishim turpi i familjes, turpi i fisit. Isha gjak i huej.
N’mëngjesin e ditëlindjes t’tetë, kur s’prisja dhurate mâ, nânen se gjeta n’shtrat … Gjeta veç nji letër me ngjyrë t’kuqe n’ t’cilën shkruhej:
“Të Due,Un jam nalt”
-Nuk m’kujtohet ç’ngjau mandej, por mbaj mend mirë kur i’a hodha nji grusht dhe mbi arkivolin e saj, po at’ ditë.
N’ballkonin me kangjella t’zeza, prej t’cilit shihja vetem: 93 dritare, 32 oxhaqe, nji copë qiell dhe hânën-natën, kam pritun sa vjet me pa vetëm edhe diçka, vetëm edhe nji here siluetën e fytyrës t’saj…
-Un’ biri i askujt që s’pata kurr mâ familje, i dëbuem e i përjashtuem prej krejt njerëzisë, n’ditarin t’em, dy faqet e para s’kam bâ gjâ, n’ t’tretën kam shkrue:
“Un’që hapa kutinë e pandorës”. N’faqen e katërt asht kjo qe e lexuet, tjerat jan bosh,njete si jeta em.