Kryeministri Hoti kërkon mobilizim të përgjithshëm për fillimin e vitit të ri shkollor

0
42

Me kërkesë të Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka organizuar sot një takim virtual me kryetarët e Komunave të Kosovës dhe me drejtorët e Departamenteve Komunale të Arsimit, në të cilin është diskutuar për përgatitjet finale që po i bëjnë institucionet e vendit për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.

Në këtë bashkëbisedim morën pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u përfaqësua nga Merita Koçinaj – Berisha, e cila njëherësh është edhe prorektore e Universitetit të Prishtinës.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, kërkoi nga të gjitha institucionet relevante të arsimit në vend që t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme për ta filluar sa më mbarë vitin e ri akademik, por gjithnjë duke i marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve të shëndetësisë për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID 19.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Ramë Likaj theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021. Ai paraqiti tre skenarët e kësaj ministrie për fillimin e vitit të ri shkollor, të cilët janë: A. Rikthimi në ambientet shkollore, B. Mësimi i kombinuar, dhe C. Mësimi nga platformat e ndryshme.

Në këtë takim, pjesëmarrësit u pajtuan që opsionet e MASH-it të shndërrohen sa më parë në vendime dhe si të tilla t’u dërgohen Departamenteve Komunale të Arsimit, të cilat, varësisht nga kapacitet që kanë, duhet të përcaktohen se cilin opsion do ta zbatojnë në komunën e tyre.

Sidoqoftë, mbizotëroi qëndrimi se, sidomos për klasat e ulëta, prioritet t’i jepet mundësisë së pjesëmarrjes fizike të nxënësve në procesin mësimor, nëse këtë e mundësojnë kushtet epidemiologjike.