Krijohet baza ligjore për testime të COVID-19 në institucionet private

0
65

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, ka nënshkruar udhëzimet administrative, përmes së cilave u lejohet edhe institucioneve shëndetësore private të kryejnë testime për SARS-Cov-2.

“Udhëzimet përcaktojnë llojin e institucioneve që mund ta ofrojnë këtë lloj të testimit, kushtet që duhet t’i ofrojnë ato, përfshirë hapësirën, pajisjet, llojet e testimeve si dhe raportimi i tyre në baza ditore në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë.

“Duke qenë që me këto udhëzime, përveç testeve molekulare për detektim të acideve nukleinike të SARS–Cov-2 që kryhen në laboratorët mjekësor të Mikrobiologjisë klinike, lejohen të kryhen edhe Testet serologjike (për detektim të antitrupave të SARS-COv-2; teste të shpejta që detektojnë antigjenin e SARS-Cov-2 dhe teste të shpejta që detektojnë antitrupat kundër SARS-Cov-2”, thuhet në njoftim.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë,thotë se institucionet private që aplikojnë për licencim duhet të plotësojnë një sërë kushtesh që janë përcaktuar në bazë të udhëzimeve administrative.

Më herët ishte raportuar se institucioneve private nuk do t’iu lejohet të kryejnë testin PCR i cili përcakton saktë se a ekziston virusi në trup dhe bazohet në analizën e mostrave të strishos në hundë.

Mirëpo, zëdhënësi Hoti tha se nëse laboratorët privatë posedojnë aparaturat e nevojshme dhe përmbushin kushtet për testime të tilla, atëherë do të lejohen t’i kryejnë ato.

Ndërsa testin serologjik, atë që përcakton antitrupat te një person, nuk e bën aktualisht as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Mikrobiologu nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Lul Raka, ka thënë se të gjitha testet, duhet ta kenë vulën e Agjencisë Evropiane të Barnave.

Pacientët e shëruar nga COVID-19 supozohet se janë imunë ndaj koronavirusit. Gjithnjë e më shumë vende në botë janë duke u kushtuar rëndësi testeve serologjike, të cilat pasqyrojnë imunitetin e popullatës dhe rrjedhimisht, do të ndikonin edhe në lehtësimin e masave kufizuese të një vendi.

Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se testet serologjike janë të domosdoshme.

“Duhet të shikohet mënyra se si të bëhen këto, për shkak se ka disa mënyra për vlerësimin e imunitetit. Ajo më e mira dhe më e sigurta, është serologjia, prandaj duhet të mendohet seriozisht për të”, thotë Krasniqi.

Koronavirusi, shton Krasniqi, në mbi 80 për qind të rasteve kalon në forma të lehta e deri tek ato të moderuara. Ai thotë se gjasat janë që “një numër i madh i qytetarëve në Kosovë të kenë kaluar këtë virus edhe pa simptoma fare”.