Kreu i BIK-ut ju bënë thirrje qytetarëve të mos migrojnë, e politikanëve të hapin vende pune

0
41

Nga: Naim Ternava

Të gjithë jemi në dijeni për migrimin e vëllezërve dhe motrave tanë jashtë Kosovës, nëpër vende të ndryshme të botës, që kohëve të fundit ka filluar të jetë shumë shqetësuese. Gjendja e rëndë ekonomike si shkas kryesor i migrimit duhet të luftohet. Platforma solidarizuese që promovon Ramazani mund të jetë si formë e suksesshme e luftimit të kësaj dukurie. Kështu nëse arrijmë të kthehemi në një trup, nëse karshi tjetrit ndiejmë përgjegjësi, nëse vuajmë për tjetrin dhe gëzohemi për të, atëherë ne do të sfidojmë gjendjen e rëndë ekonomike duke luftuar çdo lloj krimi apo korrupsioni, e të angazhohemi për të mirën e vendit që është edhe amanet i të gjithë atyre që ranë dëshmorë për çlirimin e vendit.

Fjala atdhe-vatan është fjalë të cilën e do zemra dhe buron prej saj, Kosovë është fjalë e pa zëvendësuar e cila është e mishëruar me shpirtin, zemrën dhe mendjen tonë, ndaj të mos e lëmë, të mos largohemi, të mos migrojmë por të punojmë për ditë më të mira të atdheut tanë.

Do të doja që fjalët e mia të dëgjohen si thirrje për të gjithë ne, për popull e qeveri që të reflektojmë në të mirë dhe për të mirën e atdheut, të krijohen mundësi të reja për punësim të rinis sonë, në mënyrë që ata të mos e marrin botën në sy, që tek të rinjtë tanë të mos fitohet përshtypja se ky vend është i pa perspektivë, e fatin e tyre për një jetë më të mirë të mendojnë se mund ta gjejnë vetëm duke u larguar nga Kosova, por edhe trojet tona tjera shqiptare. Shqiptarët me shekuj kanë dëshmuar se e duan vendin e tyre, edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë ata u kthyen në Kosovën tonë, për ta ruajtur dhe për ta bërë edhe më të mirë, do ta bëjnë prapë nëse ata shohin ndryshimin e duhur.

Në këto çaste të kësaj feste të Fitër Bajramit, në këtë ditë feste të rëndësishme për paqen dhe vlerat universale të shoqërisë njerëzore, në këtë ditë të madhërishme të shprehjes së besimit ndaj Zotit Krijues, ftojë për një unitetet edhe më të fortë mes nesh, për një unitet edhe më të madh politik kur është në pyetje ardhmëria e vendit tonë, e vatanit tonë, për një mirëkuptim dhe besim edhe më të madhe ndër fetare me të tjerët, të cilat janë pasuritë më të çmuara të kombit dhe të fesë tonë, dhe si të tilla, ato përbëjnë një garanci të sigurt për të ardhmen e shtetit tonë dhe brezave që do vijnë pas nesh.

Urime festa e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve brenda trojeve tona, por edhe në mërgatën e largët kudo që ata gjenden duke e lutur Zotin që në botë të mbretërojë paqja dhe lumturia.