Kreshnik Gashi drejtor i AKI-së

0
683

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë emëruar për Drejtor të ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Kreshnik Gashin, si dhe për Inspektor të Përgjithshëm të AKI-së, Burim Ramadanin.

Ky vendim është marrë bazuar në nenin 84, paragrafin 21, bazuar në nenin 94, paragrafin 8, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kreshnik Gashi është vëllau i Qëndrim Gashit, ish-këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga, e që është ambasador i Kosovës në Francë.

Kreshnik Gashi ka mbajtur pozitën e kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP), derisa Ramadani ka qenë zëvendës-ministër i Mbrojtjes.

Ky vendim i Haradinajt vjen pasi ditë më parë, Shpend Maxhuni ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Maxhuni ishte emëruar në këtë pozitë në prill të vitit të kaluar.