Kraja: Nuk duhet të ndodhë bashkimi i Shqipërisë me Kosovën

0
71

Mehmet Kraja, shkrimtari dhe analisti i njohur nga Kosova, deklaroi sot gjatë prezantimit të librit “Identiteti kosovar” botuar nga UET PRESS, se nuk do të ketë asnjëherë bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas tij, edhe ideja për unifikim të kufijve është thjesht diçka që do të mbetet në tavolinë, por nuk i shërben interesit të shqiptarëve.

Tepër i prerë në qëndrimin e tij përsa i përket Shqipërisë së madhe, Kraja tha se dy vendet Shqipëria dhe Kosova do të përparojnë vetëm duke ecur të veçuara drejt aspiratave europiane.

Rektorja e Universiterit Europian të Tiranës Nevila Nika e quajti librin e Krajës një ftesë për reflektim, dhe një vështrim të thellë i ndërthurur me historinë.

Libri shoqërohet me parathënie nga deputetja Mirela Kumbaro. “Provokues deri në çdo faqe është “Identiteti kosovar” i Mehmet Krajës. Në tri pjesët, të organizuara në qasje historike, kulturore dhe politike, i ashtuquajturi “identitet kosovar” thirret herë në bankën e të akuzuarit, herë në stolin e dëshmitarit, shpeshherë në atë të viktimës, por edhe në fronin e martirit. Vetë autori vendoset me radhë në të gjitha këto pozicione, si një përfaqësues i një vendi, aty dhe pak më tutje, i një populli, i një klase socio-kulturore, i një njeriu të letrave, i një trashëgimtari të historisë, duke e çuar kështu gërmimin deri në thellësi të përkatësisë së tij, por edhe duke ia përballur atij lexuesi që nuk e ka pjesë të identitetit të vet “gjakun” prej Kosove”, tha Kumbaro.

Për Alda Bardhylin drejtoren e UET PRESS, që në titull autori bën një ftesë për debat, duke folur për dy identitete ndër shqiptarë, ai kosovar dhe shqiptar./mapo