Kosovë mahnitëse, gjunjëzon Malin e Zi në “Fadil Vokrri”

0
70

Kosovë spektakulare. Kështu mund të cilësohet loja që ka shfaqur Kombëtarja Dardane në ndeshjen e radhës kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi, në stadiumin e tejmbushur “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku kanë qenë të pranishëm 12.494 tifozë. Dardanët e kanë nisur në mënyrë fantastike lojën dhe pikërisht në momentet kur tifozët në tribuna kishin ndezur dritat e celularëve në shenjë respekti për legjendën Fadil Vokrri, në ato momente erdhi edhe goli i gëzimit. Po luhej minuta e 10-të, kur Bersant Celina harkoi në zonë nga këndorja, derisa më së larti u shkëput Amir Rrahmani, që e nguliti topin me kokë në rrjetën e portës së malazezëve, duke shkaktuar gëzim të papërshkrueshëm tek tifozët në tribuna. Loja e mirë e Kosovës vazhdoi edhe në minutat në vijim, me raste të shumta para portës, por që epërsia u dyfishua në minutën e 34-t, kur kësaj radhe Vedat Muriqi, si luan i vërtet, finalizoi një aksion perfekt të Dardanëve, duke e gjunjëzuar përfundimisht skuadrën mysafire. Në pjesën e dytë Kosova sërish u shfaq spektakolare, por që futbollistëve tanë iu mungoi efikasiteti, derisa në një rast golin Muriqit ia mohoi tërthorësja e portës. Pas kësaj fitoreje Kosova i mban gjallë shpresat për kualifikim, me 11 pikë të arkëtuara dhe me dy finale për t’u zhvilluar kundër Çekisë dhe Anglisë në muajin e ardhshëm.

Kosova – Mali i Zi   2:0
Stadiumi: “Fadil Vokrri”
Shikues: 12.494.
Gjyqtarë: Artur Dias (Portugali)
Golashënues: 1:0 – Amir Rahmani 10’, 2:0 – Vedat Muriqi 35’
Kartonë të verdhë: Vedat Muriqi, Mergjim Vojvoda, Benjamin Kololli – Vladimir Jovovic, Aleksandar Shçekiq, Nikola Vukçeviq, Marko Jankoviq.
Kosova: Arijanet Muriç, Florent Hadergjonaj, Fidan Aliti, Benjamin Kololli, Herolind Shala (82′ Anel Rashkaj), Milot Rashica, Bersant Celina (90+3 Florent Hasani), Amir Rahmani, Valon Berisha, Mergim Vojvoda (88′ Edon Zhegrova), Vedat Muriqi.
Mali i Zi: Danijel Petkovic (15′ Milan Mijatoviq), Darko Bulatoviq, Nikola Vukçeviq, Dushan Lagator, Stefan Mugosha, Vladimir Jovoviq (73′ Marko Jankoviq), Nebojsha Kosoviq (46′ Fatos Beqiraj), Aleksandar Shçekiq, Aleksandar Boljeviq, Marko Simiç, Adam Marushiq.