Kosovë e mrekullueshme, shijon fitore historike në Bullgari

0
154

Kombëtarja e Kosovës e ka shijuar fitoren e parë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020. Dardanët kanë arritur të mposhtin Bullgarinë në stadiumin “Vasil Levski” në Sofje, me rezultat 3:2.

Mbështetja e madhe që morën futbollistët nga tifozët dardanë, të cilët kishin udhëtuar nga të gjitha viset ku ata jetojnë, duke krijuar ambient spektakular në stadium u dha zemër djelmoshave të drejtuar nga Bernard Challandes, duke arritur t’i arkëtojnë tri pikë tejet të rëndësishme në garën për kualifikim në Evropian dhe në të njëjtën  kohë duke vendosur një rekord të ri prej 14 ndeshjeve pa humbje.

Kosova e dominoi plotësisht Bullgarinë, ashtu sikurse në ndeshjen e parë në Prishtinë, por këtë herë edhe fati ishte në anën e ekipit tonë.

Dardanët kaluan në epërsi në minutën e 13-të nëpërmjet Milot Rashicës, gol ky i cili iu dedikua Arbër Zenelit, i cili pësoi lëndim në Podgoricë. Pas këtij goli djemtë tanë patën edhe disa mundësi tjera të mira, por nuk ishin efikas në finalizim.

E kjo u kushtoi me barazim të rezultatit në minutën e 43-të, kur Ivelin Popov, shfrytëzoi hapësirën e krijuar dhe me gjuajtje të fortë e mposhti Aro Muriçin.

Pjesa e dytë nisi keq për tanët, pasi bullgarët arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 55-të, kur Kristian Dimitrov realizoi me kokë për 2-1. Mirëpo, vetëm nëntë minuta më vonë Vedat Muriqi shënoi për barazim 2:2.

Edhe pas këtij goli Dardanët vazhduan me këmbëngulësi për ta kërkuar golin e fitores dhe pas shumë rasteve të shpërdoruara ishte pikërisht Elbasan Rashani në minutën e fundit të ndeshjes që arriti të shënojë për fitoren e parë të Kosovës në kualifikimet e Evropianit.

Pas ndeshjes djemtë Dardanë i kanë uruar kryeparlamentari Kadri Veseli dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, duke theksuar se këta djemë sonte kanë bërë krenarë një komb të tërë.