Kosova U19 pësoi humbje nga Polonia U19

0
49

Kombëtarja e Kosovës U19 ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2020.

Pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë kundër Rusisë, Dardanët e rinj të drejtuar nga Ramiz Krasniqi janë mundur nga Polonia, me rezultat 4:1.

Djelmoshat tanë e administruan mjaft mirë lojën deri në finish të pjesës së parë, por pësimi i golit të parë në minutën e 40-të i shënuar nga Maik Nawrocki ndikoi në rënien e plotë të ekipit tonë. Vetëm dy minuta më vonë i njëjti futbollist shënoi për 2:0, derisa në minutat shtesë të kësaj pjese polakët shënuan edhe golin e tretë nëpërmjet Bartosz Bialek. Në pjesën e dytë paraqitja e djemve tanë ishte më e mirë, por deri te shënimi i golit erdhën vetëm në minutën e 88-të kur realizoi Granit Berisha.

Ndërkohë, në minutën e 3-të shtesë polakët shënuan sërish, kur Bartosz Bida riktheu epërsinë e tre golave për ekipin e tij dhe njëherësh vendosi rezultatin përfundimtar të kësaj ndeshjeje, 4:1. Ndeshjen e fundit në kuadër të këtyre kualifikimeve Kosova U19 e zhvillon kundër Uellsit më 19 nëntor.