Kosova nuk ka rezerva të ujit të pijshëm! Si është cilësia dhe pse na duhet për organizmin?

0
331

Uji nëntokësor në Kosovë është më i sigurt për pije, kështu thotë hidrogjeologu, Hazir Çadraku, shkencë kjo që merret me ujërat nëntokësore.

Në emisionin Oxygen ai ka shpjeguar se njerëzit në mënyra të ndryshme janë ndotësit kryesor të ujit.

Në aspektin gjeografik të Kosovës, ujërat nëntokësor janë të koncentruar më shumë në rrafshin e Dukagjinit.

Sa i përket ujit të puseve, Çadraku thotë se nëse bëhet sipas rregullave hidrosanitare pihet, por që duhet kontrolluar cilësinë.

Ndërsa drejtoresha e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës Letafete Latifi thotë se reshjet në Kosovë janë të mjaftueshme, por viteve të fundit nuk janë të shpërndara njëtrajtësisht nëpër Kosovë.

Kosova lindore ka reshje më së paku, ku edhe lumenjtë shterojnë dhe ka deficit të ujit të pijshëm.

“Ky vit ka qenë më me thatësi, sidomos në pjesën e Kosovës lindore. Kur ka shi të ndotur vjen për shkak të ajrit të ndotur, pra ka reshje acidike në raste të tilla. Edhe shiu edhe bora kanë efektin pozitiv kur vijnë në stinën e duhur, edhe bora është depozitim i mirë i ujit”, thotë ajo.

Ajo duke shpjeguar punën që bëjnë thotë se për monitorimin e lumenjve në Kosovë kanë 54 lokacione monitoruese, ku një herë në muaj marrin mostra.

Ajo shpjegon se burimet në Kosovë janë të pastra dhe të përdorshme por përgjatë rrugës thotë se kalojnë në gjendje krejt tjetër.

Ndërsa, Sitnica, thotë Latifi, që është lumi më i ndotur në Kosovë, për shumë arsye.

Në emisionin Oxygen ishte edhe drejtori teknik i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Sokol Xhafa.

Ai thotë se është e garantuar kualiteti i ujit por edhe i gypave të furnizimit.

“Për fat të keq jemi shtet në stres ujor, nuk kemi rezerva të ujit e edhe klima po e rëndon, dhe nuk jemi mjaftueshëm me nivelit që sot për sot disponojmë në liqenet akumuluese. Vendet në rajon më mirë, por Kosova fatkeqësisht lumenjtë tonë shkarkojnë jashtë vendet, pra në shtetet përreth”, thotë Xhafa.

“Uji i pijes është i pijshëm dhe i rekomandoj të gjithë të pinë ujin e kroit, ngase është më i sigurt dhe kontrollohet vazhdimisht. Çdo ditë bëjmë analiza, përveç Instituti të Shëndetit Publik ne i bëjmë analizat për përdorim të brendshëm. Kontrolla në burim, në rrjet dhe tek konsumatori bëhen brenda ditës”, thotë ai, raporton oxygenpress.info

Xhafa thotë se uji keqpërdoret gjithandej e që kjo duhet ndalet. Ujitja, pastrimet e shumë të tjera. Ndërkohë thotë se ka edhe manipulime në ujëmatës.

Sipas tij, uji i pijshëm kalon nëpër shumë procedura derisa të bëhet për pije, e ujitjet thotë se duhet bëhen në mënyra të tjera, madje ka nëpër komuna mundësi ku ofrohet ujë për ujitje.

Ndërsa, infektologu Izet Sadiku ka shpjeguar se uji është një nga përbërësit kryesr të organizmit.

Ai thotë se 70% e organizmit është ujë, por me vite bie niveli.

Sadiku ka treguar se pa ujë njeriu nuk mund të jetojë madje shumë procese në organizëm pa ujin nuk mund të kryhen.

Një njeri 70 kilogramë, sipas tij, ka 50 litra ujë, ku përbërja kryesore e gjakut është ujë, ujë ka në tru, në eshtra dhe të tjera.

“Gjatë 24 orëve njeriu i shpenzon 3 litra ujë, pa ushtrime, prandaj duhet konsumuar për ta kthyer në trup. Mos-kompensimi shkakton probleme të mëdha, dehidrim, tharja e gojës, probleme me fecesin. E uji nga trupi largohet në shumë mënyra, madje edhe përmes ajrit”, thotë Sadiku.

Ai thotë se duhet konsumuar ujë patjetër, e veçanërisht pas disa ushqimeve, ku mes tjerash ai rregullon edhe temperaturën e trupit.

Deri në 2 litra e gjysmë ujë duhet gjatë ditës duhet të konsumojë një njeri, e kjo mund të ndodh edhe nga lëngjet, e veçanërisht nga disa fruta.

“Uji largon edhe mikroorganizma dhe shumë të tjera, pra ndihmon të largojë shumë sëmundje. Përmes ujin vijnë infeksione të zorrëve kryesisht, por edhe shumë të tjera. Por, konsideroj që qëndrojmë mirë , nuk kemi shumë sëmundje të përhapura që vijnë nga uji. Kemi sëmundje që përhapen nga uji, e ka raste që vijnë kryesisht nga zonat rurale ku nuk kanë qasje në ujë të pijshëm. Kujdes të veçantë duhet pasur në pishina, sepse mund të barten shumë infeksione, përmes gojës, lëkurës, syve e të tjera” , thotë Sadiku.

Doktori thotë se pasojat e sjelljes së njeriut janë shumë të rënda në raport me ujin, ndërsa gabim e quan ujin e ambalazhuar në shishe plastike, si për plastikën që është e dëmshme për ambientin ashtu edhe që uji nuk duhet qëndrojë në plastikë./ oxygenpress.info