“Kosova nuk ka para për ndërtimin e Stadiumit Nacional”

0
250

Kosova duhet të pres edhe për një kohë për tu bërë me Stadium Kombëtar. Fillimisht problem ishte lokacioni se ku duhet ndërtuar ai në Bernicë të Prishtinës apo në Drenas, ndërsa tash problemi tjetër është se nuk ka para për ndërtimin e këtij objekti.

Ministrja e Kulturës, Rinisë e Sportit, Vlora Dumoshi deklaroi sot se ndërtimi i Stadiumit Kombëtar është një projekt i kushtueshëm dhe se duhet të shihet një zgjidhje nëse do të ndërtohet në këtë fazë apo të shihet si mundësi e një partneriteti publiko-privat.

Dumoshi gjatë raportimit në Komisionin për Arsim ka bërë të ditur se deri në muajin nëntor do të përfundojnë gjashtë projektligjet e parapara nga ministria që ajo drejton.

“Ne e kemi projektin e fizibilitetit, i cili ka përfunduar, tash do të bëhet edhe një komision, i cili do ta rishikojë komplet edhe një herë projektin. Projekti është shumë i kushtueshëm”.

“Ne e dimë që këtë vit, siç e potencova, deri në muajin gusht nuk kemi mund të nisim asnjë procedurë të aktivitetit të prokurimit. Pothuajse është vit i humbur për investimet kapitale. Aty parashihet diku 70 milionë deri në 100 milionë për t’u kryer stadiumi. Besoj që duhet bërë një zgjidhje, se a ka Republika e Kosovës një buxhet të tillë për ndërtimin e këtij stadiumi në këtë fazë, apo duhet të shihet edhe partneriteti publiko-privat”, tha Dumoshi.