Kosova në grup me Spanjën e Suedinë

0
101

Në Cyrih është zhvilluar ceremonia e tërheqjes së shortit për ciklin kualifikues të Botërorit “Katar 2022”. Për shkak të pandemisë COVID-19 kjo ceremoni këtë herë është mbajtur pa praninë e përfaqësuesve të federatave dhe të mediave.

Fati deshi që Kosova në këto kualifikime të përfshihet në Grupin B, ku do të ketë rivalë Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë. Në fakt, De Rossi e tërhoqi Kosovën për në Grupin A, por për shkak se në atë grup bënte pjesë Serbia, FIFA paraprakisht e kishte paralajmëruar se do të shmangte një përballje të tillë dhe kësisoj Kosova u zhvendos në Grupin B.

Ndeshjet kualifikuese për Botërorin “Katar 2020” do të nisin më 24 mars të vitit të ardhshëm dhe do të mbyllen më 16 nëntor. Ekipet fituese të 10 grupeve do të kualifikohen direkt në Kupën e Botës, derisa atyre do t’iu shtohen edhe 3 ekipe tjera që do të arrijnë të fitojnë “play-off”-in, në të cilin do të marrin pjesë 10 vendet e dyta si dhe dy ekipe që vijnë nga Liga e Kombeve.

Orari i këtyre kualifikimeve është mjaft i ngjeshur, ngase gjatë muajit mars kombëtaret do t’i luajnë nga tri ndeshje, në datat: 24-25 mars 2021 (xhiro e parë), 27-28 mars 2021 (xhiro e dytë) dhe 30-31 mars 2021 (xhiro e tretë), derisa nga tri ndeshje do t’i luajnë edhe në muajin shtator, derisa në tetor dhe nëntor nga dy ndeshje.

Do theksuar se për herë të parë finalet e Kupës së Botës do të zhvillohen në periudhën e dimrit, kjo për shkak të temperaturave të larta në shtetin e Katarit, që do të jetë për herë të parë mikpritës i eventit më të madh të futbollit botëror.