Kosova mëson kundërshtarët në Euro 2020, nëse kualifikohet

0
223

Sonte në Bukuresht është bërë tërheqja e shortit për grupet e Kampionatit Evropian 2020, që do të mbahet verën e ardhshme në 12 qytete të 12 shteteve të ndryshme evropiane.

Kosova do të jetë e përfshirë në Grupin C, nëse paraprakisht arrin ta sigurojë biletën nëpërmjet “play-off”-it, ku fillimisht më 26 mars do të luajë në gjysmëfinale kundër Maqedonisë së Veriut dhe më pas nëse e kalon me sukses këtë sfidë, atëherë në finale do të luajë me fituesin e ndeshjes tjetër gjysmëfinale Gjeorgji – Bjellorusi.

Në Grupin C janë Holanda, Ukraina dhe Austria, derisa skuadra e katërt do të kompletohet në fund të muajit mars, kur do të dihet se cila prej katër skuadrave pretendente nga “play-off”-i i Ligës D në Ligën e Kombeve do të arrijë të triumfojë.

Në tërheqjen e shortit për Euro 2020 në Bukuresht ishte edhe presidenti Agim Ademi, së bashku me homologët dhe miqtë e tij të ngushtë, Armand Duka dhe Muamed Sejdini.