Kosova me qendër për astronomi

0
179

Qendra e parë shkencore e kërkimore në fushën e Astronomisë do të ndërtohet në Rashicë të Komunës së Shtimes, vend ky me kushte të volitshme për vrojtime qiellore.

Ky projekt do të subvencionohet me 236,568.76 euro pasi Kuvendi i Kosovës në mënyrë unanime votoi pro amendamentit për ndërtimin e Observatorit dhe Planetariumit të parë në Kosovë.

Parcelën për ndërtimin e këtij objekti e ka dhënë si donacion profesori i Astronomisë dhe Fizikës Milaim Rushiti.

Rushiti për gazetën inFokus ka shpjeguar funksionin e këtij objekti.

“Observatori është kupolë lëvizëse 360°, e cila hapet dhe brenda saj vendoset teleskopi në mënyrë vertikale për të mundësuar vëzhgimin e qiellit, ndërsa palentariumi është një gjysmë kupole në formë të sferës ku në të mund ta projektojmë qiellin njëjtë sikurse shihet si gjysmësferë”, shpjegoi Rushiti.

Ky projekt është njëri ndër rezultatet e punës së palodhshme të Pranvera Hysenit, drejtueses së organizatës “Astronomy Outreach of Kosovo” e cila ka për qëllim aktivitetin popullarizues të Astronomisë në Kosovë.

Kjo organizatë u themelua me 10 janar 2015 dhe ka shtrirje në tërë Kosovën, ndërsa përmes kësaj organizate, Hyseni ka vizituar dy herë qendrat kërkimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Gazeta inFokus.

“Përpjekjet tona për popullarizimin e Astronomisë përgjatë gjithë këtyre viteve, u shpërblyen nga Kuvendi Kosovës. Me aprovimin e amandamentit për ndërtimin e Observatorit dhe Planetariumit të parë në Kosovë, vendit tonë iu është hapur një derë e re drejt Universit” ka thënë Hyseni.

Pranvera Hyseni është shpërblyer nga SHBA me çmimin “24 Under 24”, i cili  ndahet për të rinjtë që arrijnë të bëjnë ndryshimin në botë dhe si rezultat një asteroid ka marrë emrin Pranvera Hyseni nga Minor Planet Center në Universitetin e Harvardit.

Për gazetën inFokus, Hyseni dha detaje të aparaturave të nevojshme, të cilat tashmë janë marrë si donacion nga organizata të ndryshme ndërkombëtare.

“Theksojmë se teleskopin që do ta instalojmë në observatorin e parë në Kosovë, do të jetë një teleskop me aparaturë 14 inç dhuruar nga kompania Celestron. Nga SHBA-të kemi gjithashtu donacion projektorin për Planetarium” tregoi Hyseni për gazetën inFokus.

E gjithçka rreth këtij projekti nisi me kontaktin e kompanisë Ariani për projektin, për të vazhduar me propozimin te deputetja Arbërie Nagavci e cila propozoi amendamentin  për ndërtimin e kësaj qendre, që gjeti përkrahjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit për subvencionimin e këtij projekti. /InFokus/OxygenPress.info