Kosova me dokument strategjik për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut

0
50

Në takimin e Grupit Ndërministror për të Drejtat e Njeriut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, tha se Qeveria është plotësisht e përkushtuar dhe e angazhuar që të drejtat e njeriut të jenë të përfaqësuara, si pjesë e vlerave të shtetit tonë, duke u bazuar në parimet elementare të demokracisë, të sundimit të ligjit, të mosdiskriminimit, të promovimit të barazisë gjinore, të bashkëjetesës tonë paqësore dhe të respektit reciprok midis gjitha grupeve të popullsisë, pavarësisht ndryshimeve që mund të kemi në baza gjuhësore, etnike, kulturore, fetare ose çfarëdo baze tjetër.

Duke folur për programin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës për periudhën 2021-2025, Kryeministri Hoti tha se ky dokument strategjik parashihet të jetë një katalizator në këtë fushë, ku përcaktohen hapat konkretë që duhet të ndërmerren për të ndërtuar një strukturë që është koherente për promovimin, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe pastaj të ndikojë për shpejtimin e investimeve të nevojshme në këtë fushë, në mënyrë që të drejtat e njeriut të konsiderohen dhe të mbrohen në çdo aspekt, para së gjithash duke ndikuar në fuqizimin ekonomik të secilit qytetar pavarësisht dallimeve.

Fjala e plotë e Kryeministrit Hoti:

Faleminderit z. Hajredini,

Të nderuar pjesëmarrës në këtë takim të Grupit Koordinues,

I nderuari Avokat i Popullit,

Zonja Demolli, Ministër Likaj,

Përfaqësues të institucioneve, Këshillit të Evropës, të partnerëve tanë që jeni këtu në këtë tryezë,

Më lejoni të ju uroj të gjithëve mirëseardhje në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe t’iu përshëndes, përgëzoj dhe falënderoj për punën e përbashkët që keni bërë dhe mbështetjen që ia keni dhënë institucioneve të vendit për të çuar përpara agjendën tonë, në funksion të avancimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe përafrimit të standardeve në këtë fushë, me standardet më të larta të botës demokratike.

Si Qeveri jemi plotësisht të përkushtuar dhe të angazhuar që të drejtat e njeriut të jenë të prezantuara, përfaqësuara, si pjesë e vlerave të shtetit tonë, duke u bazuar në parimet elementare të demokracisë, të sundimit të ligjit, të mosdiskriminimit, të promovimit të barazisë gjinore, të bashkëjetesës tonë paqësore dhe të respektit reciprok midis gjitha grupeve të popullsisë, pavarësisht ndryshimeve që mund të kemi në baza gjuhësore, etnike, kulturore, fetare ose çfarëdo baze tjetër.

Ndjehem mirë që Republika e Kosovës ka bërë progres gjatë këtyre viteve në sigurimin e këtyre të drejtave nëpërmjet plotësimit fillimisht të kuadrit të nevojshëm ligjor, duke e miratuar një pako të plotë të ligjeve gjithëpërfshirëse që prekin të drejtat e njeriut, përfshirë këtu Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi, Ligjin për Avokatin e Popullit, mandej Ligjin për Barazi Gjinore, dhe besoj që me këtë është kompletuar gjithë kompleksiteti i kornizës ligjore në këtë fushë.

Tani para vetës kemi edhe miratimin e Programit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës për periudhën 2021-2025, që është një dokument strategjik i cili parashihet të jetë një katalizator në këtë fushë, ku përcaktohen hapat konkretë që duhet të ndërmerren për të ndërtuar një strukturë që është koherente për promovimin, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe pastaj të ndikojë për shpejtimin e investimeve të nevojshme në këtë fushë, në mënyrë që të drejtat e njeriut të konsiderohen dhe të mbrohen në çdo aspekt, para së gjithash duke ndikuar në fuqizimin ekonomik të secilit qytetar pavarësisht dallimeve.

Gjithashtu, sot do të paraqesim të gjeturat e hulumtimit mbi promovimin e diversitetit dhe barazisë në Kosovë. Ky dokument pasqyron të dhënat mbi situatën sa i përket gjendjes në këtë fushë dhe njëkohësisht identifikon sfidat të cilat ne duhet t’i adresojmë duke zhvilluar politika adekuate, por edhe veprime institucionale konform nevojave të paraqitura. Për më tepër, bazuar në parimin e mbrojtjes nga diskriminimi edhe me qëllim të zhvillimit të një ambienti të punës të sigurt dhe të paanshëm, profesional dhe të përgjegjshëm në institucionet e Republikës së Kosovës. Ne kemi miratuar siç e keni parë para disa dite politikën kundër ngacmimit seksual në organet e administratës publike të Republikës së Kosovës, me qëllim që kjo politikë të shërbej si një udhëzues për parandalimin e çfarëdo forme të ngacmimit seksual që mund të cenojnë dinjitetin personal të secilit të punësuar në organet e Administratës Publike.

Po ashtu, është e rëndësishme të theksohet se me vendimin 138/2020, kemi themeluar Grupin Teknik për Mbrojtje nga Diskriminimi të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, i cili mekanizëm ka përkrahjen e plotë të Qeverisë dhe të institucioneve përkatëse për të adresuar të gjitha çështjet, të gjitha ankesat që mund të vijnë nga ky komunitet lidhur me eventualisht diskriminimin ndaj tyre. Pra, angazhimi ynë i vazhdueshëm ka qenë krijimi i mundësive të barabarta, respektimi i diversitetit shoqëror, mbi bazën e të cilit mund të krijojmë së bashku një shoqëri të shëndosh dhe të mirëfilltë, si rrjedhojë të gjitha institucionet përgjegjëse në këtë mekanizëm do të paraqesin në vazhdim veprimet e ndërmarra që përmbushin standardet sa i përket të drejtave, respektimit të drejtave të njeriut në vend.

Unë si kryesues i këtij Grupi do të mundohem që të krijojë ambientin e nevojshëm për konsultime ndërinstitucionale dhe për t’u siguruar që politikat tona të zbatohen me efikasitet të plotë. Prioritet e Qeverisë së Kosovës në fushën e të drejtave të njeriut dhe të këtij mekanizmi qeveritar do të orientohen fillimisht në përmirësimin e punës në mënyrë sistematike dhe të koordinuar sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut në të gjitha nivelet e qeverisjes, pastaj në monitorimin dhe zbatimin e pakos së ligjeve që lidhen me të drejtat e njeriut, siç e përmenda më herët Ligji për mbrojtje nga Diskriminimi, Ligji për barazi gjinore, për Avokatin e Popullit, dhe ligjet dhe aktet tjera nënligjore. Mandej zbatimi i Programit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës 2021-2025, të cilën besoj do ta miratojmë sot, fuqizimi i mekanizmave për mbrojtjen nga diskriminimi në nivel qendror dhe lokal, puna intensive dhe bashkëpunimi i ngushtë me Avokatin e Popullit, për t’u siguruar që të zbatohen rekomandimet që dalin nga Avokati i Popullit, si dhe inkurajimi i institucionit të Avokatit të Popullit që të monitorojë plotësisht punën e institucioneve qeveritare në këtë drejtim.

Në veçanti, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut, grupeve që janë më të margjinalizuara në shoqëri, siç janë: personat me nevoja të veçanta ose komuniteti LGBTI, komunitetet rom, ashkalinj, egjiptian, dhe disa grupe më specifike dhe sigurimi i një ambienti për jetë të shëndoshë përgjithësisht dhe promovim të mirëqenies për të gjithë qytetarët pa dallim.

Unë shfrytëzoj rastin që sot, në këtë ditë të veçantë për këtë çështje të falënderoj të gjitha institucionet lokale dhe qendrore dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, sigurisht Zyrën për Qeverisje të Mirë, për koordinimin e gjithë këtij procesi, në adresimin e një çështje që është jetike, ku dhe besoj se është indikatori më i mirë për të treguar nivelin edhe të demokracisë por, edhe të civilizimit të një shoqërie demokratike.

Ju bëjë thirrje që të punojmë së bashku në adresimin e të gjitha sfidave që mund t’i kemi.

Ju falënderoj për pjesëmarrje!